Bojkotim dhe tallje në konkursin e Miss Islandës

anazapta

Feministe  dhe gra të zakonshme po protestojnë kundër Miss Islandës në një formë tejet të veccantë. Këtë vit konkursi i bukurisë ka shënuar një bum regjistrimesh ku spikasin pensioniste, parlamentare, madje dhe meshkuj: “Më parë dëshironim të dilnim në sheshe, pastaj, kuptuam se është humori arma më e mirë”

Miss-et nuk gjejnë paqe në asnjë cep të planetit. Italia e dëboi konkursin kombëtar të bukurisë nga ekranet e “Rai”-t (një zgjedhje civile, sepse gratë në televizione janë në 98% të rasteve ‘pa gojë’ dhe të zhveshura), ndërsa tani Islanda, pasi i dhuroi tre mbretëresha bukurie “Miss Botës”, ngre barrikadat kundër konkursit të saj që ishte programuar të zhvillohej më 14 shtator.

“Jemi një vend i hapur e modern dhe nuk dëshirojmë të fosilizohemi në stereotipin e gruas islandeze 1.73 të gjatë, bionde dhe me sy të kaltër. Prandaj kemi rishikuar rregulloren dhe gara është e hapur për të gjithë”, u shpreh producenti i spektaklit Raf Rafnsson. Por, fatkeqësisht (për të) e kishte nënvlerësuar faktin se sa e hapur dhe moderne mund të ishte vërtet Islanda. Bashkëatdhetaret  e tij, prej vitesh ‘në luftë’ kundër një manifestimi ‘patriarkal’ si gara e Miss-eve, ia bënë fjalën vepër dhe të nesërmen shpërtheu stuhia

“Ideja ime e parë ishte që të dilja e të protestoja kundër atyre që na gjykojnë gjithmonë vetëm mbi bazën e normës së imazhit. Por, më pas arsyetova dhe u binda se humori ndonjëherë shërben më shumë se manifestimet. Dhe meqë gara ishte e hapur për të gjithë vendosa të regjistrohem në konkurs”, thotë Hildur Lilliendhl një aktiviste për të drejtat e grave. Ideja e saj u përhap shpejt dhe të parat që ndoqën shembullin e saj ishin feministet më të njohura islandeze. Kulmi arriti kur parlamentarja socialdemokrate Sigribur Ingibjorg Ingadottir, lajmëroi në profilin e saj në “Facebook” pjesëmarrjen në konkurs.

Protesta unike në llojin e saj u zgjerua si një pikë vaji në ujë dhe organizatorit të gjorë Rafnsson i janë grumbulluar mbi 1300 skeda pjesëmarrjeje, shumë për një shtet që numëron në total vetëm 320 mijë banorë. Dhe nëse do të pranohen të gjitha kërkesat, në paserelë mund të sfilojnë bukuri arktike si pensioniste 80-vjeçare, një priftëreshë e Kishës lokale të Reykiavikut dhe dy ose tre burra që e kanë provuar edhe ata fatin e tyre.

Çfarë ndodh tani? Organizimi i konkursit ka pësuar një humbje të madhe të popullaritetit. “Është e vërtetë nuk ka kufij, por mbeten gjithnjë kriteret e ‘përgjithshme’ të kërkuara nga “Miss Bota”, meqë fituesja jonë do të jetë konkurrente e asaj gare”, shprehen përfaqësues të eventit. Kandidatet duhet të jenë midis moshës 18 dhe 24 vjeç, të mos jenë të martuara dhe të mos kenë fëmijë, gjë që është pak e mundur duke konsideruar grupin e 1300 kandidateve.

“Janë kundërshtime të paarsyeshme. Unë kam pasur mundësinë të shëtis botën dhe të njoh shumë vajza të tjera. Kushdo që proteston, nuk e di se sa shumë mundësi i ofron konkursi një vajze!”, komentoi hidhur Iris Jonsdottir, ish-mbretëresha e bukurisë e vitit 2011. Ndoshta është kështu, por problemi është se këtë vit, duke parë sojin e kandidatëve, kurora e Miss Islandës mund të përfundojë edhe në kokën e një burri./ D.Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *