Tepër sensuale për t’u zgjedhur nga populli

anazapta

Kur seksizmi iranian bëhet një instrument i dobishëm për të nxjerrë jashtë loje kundërshtarët. Nina Siakhali Moradi u zgjodh si këshilltare bashkie gjatë votimeve që u zhvilluan në qershor, por rivalët e saj arritën ta largonin nga posti që fitoi me 10 mijë vota për shkak të manifestëve elektoralë ku gjoja shfaqej shumë sensuale

Në Iran lufta politike është e pamëshirshme dhe si kudo tjetër konservatorët e përdorin moralin islamik kundër kundërshtarëve meqenëse nuk është aspak e vështirë të gjesh ndonjë pretekst për t’i skualifikuar nga gara elektorale duke i akuzuar se nuk respektojnë moralin.

E pikërisht kjo gjë ka ndodhur edhe me të zgjedhurën e këshillit bashkiak të Qazvin, kryeqyteti i lashtë i Perandorisë Persiane: Nina Siakhali Moradi u vu në qendër të sulmeve të konservatorëve sepse ishte “shumë e bukur”. Përdorimi i motivacioneve si: “Nuk duam një modele pasarelash në këshill”, sipas një funksionari të lartë të qytetit në veriperëndim të Teheranit, e ka justifikuar kështu vendimin për të mos respektuar rezultatin elektoral. Moradi, 27-vjeçe, arriti të marrë më shumë se 10.000 vota gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në muajin qershor, duke u renditur e katërmbëdhjeta dhe duke fituar një vend në këshillin bashkiak.

Me sloganin “Ide të reja për një të ardhme të re”, e reja, inxhiniere dhe projektuese e faqeve te internetit, e kishte përqendruar fushatën e saj elektorale mbi synimin për një njohje më të madhe të të drejtave të grave në Qazvin, mbi riorganizimin e qytetit antik, si dhe për një gjithëpërfshirje të të rinjve në jetën e qytezës. Në manifestet elektorale (fotoja që shikoni këtu), Moradi shfaqej e mbuluar me shami, por me një cullufe mikroskopike në dukje.

Pasi u konfirmua fitorja e saj, konservatorët paraqitën një kërkesë për përjashtimin e saj duke e vënë theksin pikërisht mbi manifestet, dhe duke i cilësuar si “vulgare dhe jofetare”. Kësisoj arritën përjashtimin e saj nga radhët e këshillëtarëve, se gjoja “nuk kishte zbatuar normat islamike”. Duket qartë që është një pretekst, meqë gjatë fushatës askush nuk kishte nxjerrë kundërshtime dhe, siç ndodh gjithmonë, kandidatura e saj ishte aprovuar nga autoritetet fetare.

elham aminzadeh (1)

Më shumë pushtet grave?

Gjatë fushatës elektorale, presidenti i ri iranian, Hassan Rouhani, kishte premtuar se do të mbështeste rolin në rritje të grave në shoqëri dhe do të krijonte një ministri për çështjet femërore. Pikërisht dje, Rohani njoftoi emërimin e një gruaje, Elham Aminzadeh, si zëvendëspresidente. Vendosja e saj në rangun drejtues të presidencës megjithatë duhet të ratifikohet nga parlamenti dhe nga autoritetet fetare. Aminzadeh, një akademike shumë më eksperte se e reja Moradi, nuk cenohet nga i njëjti rrezik, të paktën duke e gjykuar nga fotot, në të cilat shfaqet e mbuluar mirë edhe sipas gjykimit të Ayatollah-ut./ D.Gjuzi

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *