Moshimi i bën njerëzit më të prekshëm nga aksidentet dhe sëmundjet. Me kalimin e moshës, shtohen si ndryshimet degjenerative të përgjithshme, ashtu dhe shpeshtësia e disa sëmundjeve.
Pra një pacient i moshuar mund të vuajë nga shumë probleme dhe jo nga një çrregullim i vetëm. Afërsisht një e pesta e personave të moshuar nuk ndjejnë dhimbje kur ndodh një infarkt miokardi.
Nuk duhet harruar se dhimbja nuk është një shoqëruese normale e moshës së shkuar dhe nuk duhet injoruar asnjëherë.
Si pasojë e ndryshimeve biologjike që ndodhin në organizmin e të moshuarve, edhe sëmundjet jo vetëm janë më të shpeshta, por ato shfaqen në mënyrë atipike (pa shenja të dukshme klinike), gjë e cila e vështirëson diagnozën e hershme të tyre, por edhe trajtimin e përshtatshëm por mund të çojnë edhe në diagnoza të pasakta.
- Sëmundjet kronike jo të transmetueshme përbëjnë problemet shëndetësore kyç për personat e moshuar. Rreth 80 për qind e të gjithë personave të moshuar (mbi 65 vjeç) kanë një, ose më shumë sëmundje kronike
- Sëmundjet kardiovaskulare, cerebrovaskulare dhe kanceri janë gjendje kronike të cilat përbëjnë edhe tre shkaqet kryesore të vdekjeve tek të moshuarit.
- Problemet mendore dhe ato emocionale përbëjnë një shqetësim për shumë të moshuar. Më të shpeshta janë ankthi, depresioni me 15-30 për qind në moshat mbi 65 vjeç.
- Sëmundjet nga mungesat ushqimore, si anemi nga mungesa e hekurit, neuropati nga mungesa e folateve dhe Vitaminës B12, etj.
- Sëmundjet degjenerative si: artritet degjenerative që prekin më shumë kyçet e duarve, këmbëve, kurrizit, etj.
- Seniliteti,i cili paraqitet si konfuzionin mendor, ose paaftësi për të mbajtur
mend dhe për fat të keq, ende përdoret si referencë e moshës së tretë. Dy karakteristika bazë janë në thelbin e tij, deliriumi dhe demenca. Nëse deliriumi, i cili karakterizohet nga simptomat e disorientimit, haset në persona e të gjitha moshave, demenca vihet re sidomos tek të moshuarit. Rreth 10 për qind e personave të moshës së tretë janë të prekur nga ky problem. Forma më e shpeshtë e demencës, e cila haset në të moshuarit është sëmundja e Alzheimerit. Shenjat e para të një individi me Alzheimer janë të lidhura me rënien e kujtesës. Me perparimin e semundjes, fillojnë vështirësitë në orientimin në kohë dhe hapësirë, si dhe ndryshimet në personalitet dhe sjellje. Sëmundja vazhdon deri aty sa mund të preken edhe të folurit, apo të ecurit duke e bërë personin e prekur invalid të rëndë.
Për fat të keq, deri tani nuk ka një metodë parandalimi, trajtimi apo kurimi, apo edhe për shkaqet nuk mund të thuhet akoma ndonjë gjë e saktë.
Të dhënat nga Shqipëria për këtë sëmundje janë të pjesëshme edhe për arsye të tabuve që ekzistojnë ende.
- Humbja e autonomisë, parashikohet se do të jetë epidemia e vërtetë e këtij
Shekulli, gjithashtu dhe sëmundjet e lidhura me moshën.
Shkenca mjekësore ofron gjithnjë e më shumë mjete diagnostike dhe mjekuese mjaft të sofistikuara dhe efikase duke ndihmuar në kontrollin e vdekjes së parakohëshme për shumë të moshuar, por ka bërë shumë pak lidhur me uljen e shpeshtësisë së sëmundjeve dhe të humbjes së autonomisë mes tyre. p.k/Dita
