Gjatë vitit 2012 energjia e gjeneruar nga hidrocentralet private arriti në rreth 300 GWh, duke zënë 7% të totalit të prodhimit vendas. Janë 68 hidrocentrale të vogla dhe të mesme në emër të 40 shoqërive koncesionare, të cilat arkëtuan 2.5 miliardë lekë nga kjo energji e shitur ndaj KESH, një rritje e konsiderueshme duke marrë parasysh se, gjatë vitit 2011, hec-et private arritën të arkëtojnë deri në një miliard lekë. Duke nisur nga viti 2010, për shkak të rritjes së çmimit të importit të energjisë, edhe çmimet për energjinë e prodhuar në vend dhe rrjedhimisht të blerë nga KESH kanë ardhur në rritje. Për vitin 2012, për HEC-et e reja me koncesion, bazuar në metodologjinë që mbështetet mbi çmimet e importit të vitit parardhës, rezultoi 9.3 lekë/kWh, ose 34.9 % më e lartë se çmimi i vitit 2011. Në hidrocentralet ekzistuese apo ato të dhëna me koncesion, për shkak të vlerësimit të çmimit sipas një metodologjie tjetër, çmimet për periudhën 3-vjeçare, 2010 – 2012 nuk paraqitën luhatje të theksuara. Në vitin që lamë pas, çmimi i miratuar ishte 7.7 lekë/kWh, nga 7.57 lekë/kWh që ishte më parë, duke shënuar një rritje prej 2.6%. Diferenca në rritjen e çmimit midis dy grupeve vjen për shkak të mënyrave përllogaritëse të ndryshme që përdoren. Për hidrocentralet e vjetra private apo të dhëna me koncesion, në përllogaritje merret si bazë çmimi mesatar për klientët tariforë për vitin përkatës, ndërsa për koncesionet e reja bazë e llogaritjes është çmimi i importit dhe kursi i llogaritjes së vitit pasardhës. Energjia e importuar gjatë vitit që lamë pas ka pasur një vlerë mesatare prej 63 euro për MWh, ndërsa monedha europiane euro ka qenë në kuotat e 135-140 lekë.