Shtëpia jonë gjendej aso kohe në fillim të rrugës së Bamit (sot Qemal stafa), ku tani është Prokuroria. Jetonim bashkë me xhaxhanë, meqë i kishte vdekur e shoqja. Ishim katër fëmijë, më e madhja unë, 11 vjeçe, më e vogla Elma, vajza e xhaxhait, 4 vjeçe. Njëzet metra nga shtëpia jonë ishte kuestura. Natën mund të dëgjoje rënkimet e djemve që i torturonin. Syrit kureshtar të fëmijëve nuk i shpëtonin as komunikatat e fshehura me kujdes nëpër shtëpi nga të rriturit, as thasët me barna, as hyrje-daljet misterioze të kushërinjve ilegalë gjimnazistë me ndonjë person të panjohur. Por ne ishim fëmijë dhe si të gjithë fëmijët ne luanim të shkujdesur. Por atë natë…
Atë natë trokiti dera me forcë disa herë. Ishte ora 1 pas mesnate. Xhaxhai kaloi përmes dhomës sonë të gjumit për të dalë në ballkon – kush është? – Patrulla e xhandarmërisë! – A e keni kryeplakun me vete? – E kemi, hapeni.
Portën ua hapi ime ëmë me pallton krahëve mbi këmishën e natës. Në oborr u dhanë 7-8 persona të armatosur, njëri ishte civil me republikë në kokë.
– Kush është Harito Harito? – Unë jam, tha xhaxhai,që kish dalë tanimë në oborr pas mamasë. – Ai është, i pohoi civili dikujt.
– Eja me ne. – Pritni të bëhem gati. E pritën. Pak çaste pasi dolën, u dëgjuan krisma. – Bobo, tha babai, janë në mish, na e vranë. Ne zumë të qajmë. – Ju shkoni të flini.
E si mund të flinim ne? Xhaxhanë e donim fort. Ishte njeriu që na i varte më shumë, na bënte dhurata për festat, na ndiqte përparimin në mësime, na vëzhgonte për mirësjelljen, të dielave na çonte në ëmbëltore.
E si mund të flinim atë natë, kur zhurmat në rrugë sa vinin e shtoheshin, të shtënat dëndësoheshin, zërat e njerëzve egërsoheshin, trokitjet nëpër porta bëheshin më të dhunshme, kobndjellëse… Edhe te shtëpia përballë, atje ku sot është poliambulanca e ku banonte shoqka jonë Liliana Vila, trokisnin me tërsëllimë. Rreth orës tre ata erdhën përsëri tek ne, sa s’e shqyen portën. E hapi babai. Kësaj here ishin edhe më të dhunshëm, ishin trupmëdhenj, me mustaqe, vështronin egër (më pas mësuam se ishin xhandarët e Xhaferr Devës).
– Pritni sa të vishem. – Do të gjesh atje ku do të shkosh, i thanë me dialekt të rëndë. E morën babanë ashtu si ishte, me pallton mbi pizhama e me pantofla, ia lidhën edhe duart.
Mbetëm katër fëmijë të lebetitur dhe një grua e re që përpiqej të na ngushëllonte. Unë, si më e madhja, rrekesha të qetësoja kushërirën katërvjeçare. Nuk di të them si e kemi gdhirë atë natë tmerri plot klithma e të shtëna.
Të nesërmen herët në mëngjes ime ëmë më nisi për të njoftuar kushërinjtë më të afërm, që banonin te Kodra e Kuqe. Rrugët ishin të shkreta. Ishte mëngjez i acartë. Trotuaret qenë mbuluar me akull. Gjatë rrugës pashë të vrarë në pozicione nga më të ndryshmet. Pranë tyre – akull i kuq. Nuk kisha parë të vdekur në jetën time. Doja të mos i shikoja, po prapë sytë më venin atje. Lotët më rridhnin vetvetiu. Gjatë rrugës së Barrikadave kishte disa të vrarë në krahun e majtë të trotuarit. Njëri ishte shtrirë mu te xhamia ku sot është shkolla “Sami Frashëri”. Atë ditë hynin e dilnin plot njerëz në shtëpinë tonë, të tmerruar për sa kishin dëgjuar e parë. Flisnin me zemër të ngrirë, pa u merakosur që ato tmerre i rrëfenin në prani të fëmijëve. Por ne shkëmbyem lajme edhe me shoshoqin: nga shtëpia e Lilianës tre veta, filanin e kishin vrarë, filanin e kishin lënë zbuluar gjer në mbrëmje, filanin në burg… Përfytyroni këto makabritete në gojën e fëmijëve!
Ankthi më i madh ishte të mësonim për fatin e burrave të shtëpisë – ishin gjallë apo i kishin vrarë? Pas tri ditësh u gjend babai, përfunduar në burg te ish gjimnazi i vjetër, rruga e Kavajës. Unë shkova me një kushëri për t’i çuar bukë dhe veshje. Për xhaxhanë e gjorë lajmet ishin kundërthënëse: Dikush e kish parë hipur në një kamion, dikush në një tricikël me gjermanë, dikush ia pati njohur kufomën nga palltoja. Më është ngulitur në mëndje përjetë një dorë elegante me dorashkë lëkure që trokiste te dritarja jonë, e cila binte në rrugë. Ishte zonja Sojli, një austriake. Edhe asaj i ishte zhdukur i shoqi, Xhemal Sojli. Kur në xham shikonim dorën me dorashkë na mbetej fryma. Ç’lajm do të na ketë sjellë sot znj. Sojli? Një ditë na tha se i kishin deportuar në kamp përqendrimi. Dhe ne u gëzuam, imagjinoni, u gëzuam!
Me makth e shpresë kemi mbetur deri kur u kthyen të mbijetuarit e fundit nga kampet e vdekjes. Kështu xhaxhai ynë i dashur mbeti “as i gjallë, as i varrosur”. Më pas mësuam se disa nga të vrarët e 4 shkurtit i kishin groposur në kodrat e Saukut, dhe disa me emra të njohur i kishin larguar për t’i zhdukur. Këtë fat e pësuan H. Harito, dr. Pano, Xh. Sojli e ndonjë tjetër.
Nuk qe e thënë të soste me kaq kalvari i vuajtjeve tona. Në ditët e luftës për çlirimin e Tiranës ne ishim shpërngulur te Kodra e Kuqe. Në një natë përpjekjesh të ashpra (kush e ka thënë se Tirana u çlirua pa luftë?) ceflat e predhës gjermane do të gjenin pikërisht trupin e Elmës së vogël…
…Dhe ushtari i mirë Italian, Ugo, i stisi një arkëmort, dhe një grusht njerëzish e bartnin atë mes plumbash (vërtet mes plumbash) për te Varri i Bamit, dhe ne, nga dritarja, të ngashëryer, e ndiqnim me sy motrën tonë të vogël e të pafat si largohej për të shkuar tek e ëma… Por ne nuk ishim më ata të parët. E kishim ndier në lëkurë luftën, e dinim ç’është pushtuesi, po e dinim edhe ç’janë bashkëpunëtorët e tij. E dinim se kishte plot e plot të tjerë që vuanin edhe më shumë dhe se ky ishte çmimi i domosdoshëm për lirinë. Ne ishim pjekur para kohe, luanim më pak, mendoheshim më shumë. 4 shkurti e kishte ndarë më dysh fëmijërinë tonë.
***
Tani, pas 70 vitesh, desha t’i ndaj me lexuesin e ri këto përjetime që më kanë shoqëruar tërë jetën. Dëshmitarët e atyre ditëve sa venë e pakësohen. Për atë kohë heroike flitet e shkruhet pak, madje edhe baltoset. Besoj që shoqëria jonë e çidealizuar ka nevojë t’i kthehet asaj periudhe të lavdishme si pikë referimi, ta njohë jo vetëm me mend, por ta rrokë edhe me shpirt. Besoj se bëhet më humane kur ua njeh meritat dhe vuajtjet brezave të mëparshëm dhe për këtë i nderon. Kur u vë emrat e tyre rrugëve e shesheve, e jo kur ua ndërron. Kur u ndërton objekte përkujtimore e i mirëmban, e jo kur i shkatërron e i përdhos ato që kanë ndërtuar brezat e tjerë. Dëshmorëve të 4 Shkurtit u kemi hyrë në hak. Duhet sa më parë t’ua rikthejmë emrin e rrugës Dhe jo vetëm. Duhet ngritur të paktën një përmendore në kujtim të tyre.
Jo për ata, po për ne, për të ruajtur kujtesën kolektive.
Ishin mbi 80 viktimat e asaj nate!

Ne shqiperi ka patur vetem lufte vllavrasese lufte civile.
Falemnderit nene qe na e kujton…na eshte ngushtuar kaq shume mendja prej perrallave te ndotura nga interesat e vogla te castit…
na hape barkun zonje ,po pas clirimit kmeret e kuq te tiranes arrestuan dhe burgosen 100 e kusur njerez te pafajshem ku 22 prej te cileve i pushkatuan dhe i lidhen me tel duke i akuzuar per bomben e legates sovjetike shqiptaret gjithe jeten kane vrare njeri tjetrin sepse ashtu jane te gatuar dhe si majtas dhe djathtas i njejti identitet eshte vrastar