“Më arrestuan pas denoncimit që bënë drejtuesit e televizionit. Edhe sot ruaj bindjen se Mehmet Shehun e kanë vrarë me qëllim eleminimin nga drejtimi i vendit”
Quhet Prek Kosuri dhe sapo i ka kaluar 72-vitet. Ka zbritur nga Dukagjini në Tiranë që në rini, por vetëvrasja e Mehmet Shehut mesnatën e 17-18 dhjetorit 1981, ndryshon rrjedhën e jetës së tij. Ish-punonjësi i Televizionit shtetëror, me të dëgjuar për vetëvrasjen e kryeministrit, ka pohuar publikisht:’Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë, por e kanë vrarë!’. Thirret nga drejtuesit e televizionit, të cilët e denoncojnë… Prek Kosuri përfundon në pranga nën akuzën e ‘Agjitacionit e propagandës’, neni 55/1…. Për rreth 8 muaj, i nënshtrohet presionit fizik e psikologjik… Kjo ka ndodhur më 22 janar të vitit 1985. Dramën e jetës së tij, Prek Kosuri e rrëfen për gazetën ‘Dita’…
Ju jeni arrestuar dhe mbajtur disa muaj në qeli pasi keni pohuar se ‘Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë, por është vrarë’?
-Po. Jam vënë në pranga dhe kam qëndruar 8 muaj e 10 dit në hetuesi ku si pasojë e torturave çnjerëzore, presionit psikologjik e fizik, vuaj ende pasoja të rënda shëndetësore. Ato vuajtje, veçanërisht ato psikologjike, të cilat janë të pa durueshme për mua si malësor, nuk kam për ti harruar gjatë gjithë jetës.
Përse ju kanë arrestuar, më saktë, me çfarë akuze u përballët në gjyq?
-Jam arrestuar në bazë të nenit famëkeq për ‘Agjitacion e propagandë’, përkatësisht nenit 55/1 të Kodit të Procedurës Penale. Ndërsa argumentet ishin se kisha mbrojtur disa herë publikisht bindjen se ‘Mehmet Shehun e kanë vrarë Enver Hoxha e Kadri Hazbiu’, ‘Se me vrasjen e Mehmetit u shkatërrua Shqipëria’, se ‘pas vrasjes së Mehmetit u shkatërrua ekonomia, nuk ka as bukë e as djathë’, etj… Nëse doni ta dini kush mi vuri prangat, po ua them. Më ka arrestuar Zylyftar Ramnizi, ish-zëvendësministër i Brendshëm e Drejtor i Sigurimit, i cili më ka pohuar ‘Se arrestimi yt bëhet me urdhër nga lart’….
Çfarë detyre kishit në momentin e arrestimit?
-Kam qenë punonjës(roje sigurie) në Televizionin publik shqiptar. Kam punuar shumë vite si polic e si punonjës i sigurimit. Arrestimi im, siç ua thash, lidhet me vrasjen e Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë… Ishte 18 dhjetori i vitit 1981. Unë isha me shërbim në turnin e dytë të punës. Në një moment, në radio u dha lajmi nga spikeri se në një moment krize nervore, Mehmet Shehu, kryeministër i vendit ka vrarë veten…
Si reaguat në këtë moment?
-Me thënë të drejtën, në fillim, kur nisi spikeri të flasë, kujtova se ky lajm i rëndësishëm (njoftim), mund të kishte lidhje me vdekjen e Myslym Pezës, se ai ishte i vjetër. U preka kur e dëgjova, por nuk e besova. Me zë të lartë dhe instiktivisht, fola:’Jo! Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë, Mehmet Shehun e kanë vrarë. Mehmet Shehu nuk ishte nga ata burra që vriste veten!’. Kjo ishte një bindje e plotë e imja, nisur nga njohja që kisha për Mehmet Shehun dhe disa takime që kisha pasur me ‘të… Për më tepër, kjo mu përforcua dhe më pas, kur agjenci të huaja të njohura, duke dhënë këtë lajm, konfirmuan vrasje të Mehmet Shehut dhe jo vetëvrasje… Nuk më kujtohet nëse në atë moment pranë meje ka pasur apo jo njerëz, apo sa ishin ata… Por për mua, pak rëndësi kishte kjo…
Çfarë kujtoni tjetër për ato momente?
-Sapo kishte përfunduar komunikata për ‘Vetëvrasjen e Mehmet Shehut’, vjen tek unë Fetah Lika, që ishte shofer i Çajup Rusmajlit, Drejtorit të Përgjithshëm të Televizionit Shtetëror. Më thotë:’A i dëgjove lajmet!. Është vetëvrarë në shtëpinë e tij Mehmet Shehu’. Iu përgjigja:’Jo, nuk i kam dëgjuar, pasi po merresha me një makinë që u fut në institucion’… Nuk di se si e shtyva atë kohë derisa të përfundoja turnin dhe të shkoja në shtëpi. Ashtu i tronditur, dola nga godina e televizionit dhe u nisa për në shtëpi. Më bëri përshtypje se të gjitha dritat e rrugëve të kryeqytetit, ashtu dhe pothuaj në të gjithë apartamentet, ishin ndezur, ndërkohë që zakonisht, në prag mesnate, vetëm pak drita rrinin ndezur në shtëpitë e qytetarëve. Ndërsa rrugicat ishin në errësirë… E njëjta situatë e rëndë ishte dhe në shtëpinë time…
Diçka më konkrete?
-Sapo futem në shtëpi e gjej gruan duke qarë. E kuptova se dënesa e saj vinte nga komunikata që ishte dhënë pak orë më parë. I thashë gruas:’Në daç qaj,në daç mos qaj… Nuk ndryshon gjë. Mehmet Shehun e kanë vrarë!’. Në këtë moment, në murin e shtëpisë, unë mbaja portretin e Kadri Hazbiut, të cilin e njihja më nga afër. Bile, e kishat takuar rreth tre apo katër herë në zyrë për probleme të ndryshme para se të arrestohesha. Një herë e kisha takuar për punë (që ma zgjidhi), një herë kur isha në polici, e një herë tjetër për një problem që lidhej me një informacion të rëndësishëm… Mora portretin e Kadri Hazbiut nga muri, dhe duke bërtitur me të madhe: ’Po ky çfarë bën, lopët ruan që vritet kryeministri i vendit!”. Por që të nesërmen, mosbesimi im për vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe pohimi-revoltë se ‘Mehmet Shehun e kanë vrarë!’, do të shënonte për mua nisjen e një kalvari të mundimshëm fizik e psikologjik si armik….
Çfarë ndodhi të nesërmen?
-Tërë natën e kaluam pa gjumë. Që në mëngjes nisem dhe shkoj në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të takuar drejtorin Zef Leka, me të cilin kisha dhe njohje personale. Pasi ua thash qëllimin oficerëve të shërbimit në hyrje, më thonë se Zefi kishte shumë punë dhe kishte lënë porosi se nuk priste njeri atë ditë, përveçse rasteve të veçanta. U thash ti transmetojnë se e kërkon Prel Kosuri. Nuk vonoi, e pas pak, u gjenda në zyrën e Zef Lokës….
Çfarë biseduat me ‘të?
-E gjeta në këmbë e dukej që ishte i shqetësuar. Pa u përshëndetur mirë,i thash: ’Çfarë të informojmë për Mehmet Shehun?’. Zefi pa lëvizur nga vendi dhe pa më parë drejt në sy m’u përgjigje:’Nuk ke çfarë thua. Ai ka bërë një autokritikë shumë të keqe. Partia na ka thënë se ai është armik’. Nuk prita gjatë, por i thashë i vendosur: ’Nuk është vetëvrarë, por e kanë vrarë!’.
Si reagoi në këtë moment titullari i policisë?
-Më tha: ’Mos fol. Të vërtetën e ka thënë partia në komunikatën e mbrëmshme’. Në zyrë ishin dhe nja dy a tre oficerë policie të tjerë, nga drejtuesit e policisë së Tiranës. Edhe ata më thanë që të mos hapja gojë. Në një moment, Zef Loka ndërhyri dhe më kërcënoi:’Mos fol se e ke gati dosjen!’.
Si vepruat më tej?
-I shkoj në zyrë Çajup Rusmajlit, drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit. I thash:’Çfarë bëhet kështu shoku drejtor!’. Më tha:’Zallamahi e madhe!’. Nga aty shkova tek Marash Hajati dhe i thash:’Zoti drejtor. Unë jam i bindur se Mehmet Shehun e kanë vrarë, dhe nuk është vetëvrarë, siç u tha në komunikatë!. Jam i bindur se trimi nuk vret veten, dhe Mehmet Shehu qe trim’. Marashi mu drejtua dhe më tha: ’Me bindje e thua këtë!’. I thash: ’Po, me bindje të plotë. Nuk ka ndodhur kurrë në histori, që një trim të vrasë veten’. Në këtë debat me Marash Hajatin, ishte dhe sekretari i Byrosë së Partisë, Nazmi Qaniu. Marashi më Tha: ’Unë do të raportoj lart!’.
Çfarë ndodhi më vonë?
-I bindur në atë që Mehmet Shehun e kanë vrarë, shkova në Ministrinë e Brendshme dhe takova Zylyftar Ramizin, zëvendësministër. Aty, pas përshëndetjes, i vura para një sërë letrash ku Enver Hoxha kishte folur e shkruar në veprat e tij për figurën dhe personalitetin e Mehmet Shehut. Prita ndonjë reagim nga Zylyftari, por ai nuk foli. Vetëm më tha: ’Mirë, tani ikë!’. Zylyftari në atë kohë ishte njeri me shumë peshë në Ministrinë e Brendshme… Por unë nuk e di se në çdo hap që hidhja, në çdo shqetësim që ngrija, ndiqesha ngado… Thirrem përsëri nga drejtuesit e partisë në televizion….
Kush ju thirri dhe çfarë biseduat?
-Më thërret sekretari i Byrosë së Partisë së televizionit. Unë në atë kohë isha nënkryetar i Bashkimeve Profesionale dhe përgjigjesha për emulacionin… Në stendën e emulacionit të televizionit që ishte model në atë kohë, një vend të rëndësishëm zinte Mehmet Shehu, përkatësisht aspekte nga ‘Loja e Bregdetit’, stërvitje me 14 mijë forca. Sekretari i Partisë për sektorin, Refat Tare më thotë: ’Do të pastrosh shpejt stendën e emulacionit1’. Në fakt, shikoj se stenda ishte pastruar në një farë mënyre, pa ma dhënë mua këtë porosi. Fotografitë e Mehmet Shehut, të stërvitjes, ishin shqyer, apo ishin shkarravitur… E pastroj stendën nga ato që kishin mbetur. Ndërkohë, më thërret sekretari i partisë në orën shtatë pa një çerek dhe më thotë: ’E pastrove stendën!’. I them: ’Po, e pastrova!’. ‘Çfarë ke bërë kështu! Pse ke hequr udhëheqjen. Nuk ke lënë asnjë anëtar të Byrosë politike’- foli ai i revoltuar. Më tha ta ndiqja jashtë… Kështu bëra. Në debat e sipër, teksa po më qortonte, i thash: ’Nuk pastroj stendat sa herë që i teket Enver Hoxhës që të nxjerrë armiq!’. Nuk e dija se për mua ishte përgatitur arrestimi…
Kur dhe pse u arrestuat?
-Më 22 janar të vitit 1985, në orën 19:00 të kësaj dite. Isha në punë në Radio Televizion. Vjen hetuesi Fatos Trebeshina dhe më thotë: ’Do të vish me mua pak në Rajon për të verifikuar diçka për një hajdut që ju e keni denoncuar?!’. I thash se nuk mund të shkoja me ‘të pasi isha në punë, e se ‘nuk mund të le vetëm një objekt të rëndësisë së veçantë, ku ka aparatura të shtrenjta dhe ndonjë armik sabotator mund ta hedhë në erë’. Hetuesi shtoi:’Po sikur të lëmë një polic tjetër, vjen?’. ‘Po’- i thash. Kështu u bë. Shkuam në rajon…
Çfarë akuze iu komunikuan në polici?
-Thash, që më futën brenda, e unë nuk dija gjë pse më shoqëruan. Aty më komunikuan akuzën. Më akuzuan për agjitacion e propagandë kundër shtetit’ neni 55, paragrafi i parë i Kodit Penal. Hartuan një proces-verbal dhe ma afruan që unë të firmosja. Refuzova. Thash: ’Kurrën e kurrës nuk do të hedh firmë, pasi unë nuk jam armik!’.
KUSH ËSHTË PRELË KOSURI
Prelë Kosuri u lind më 3 shkurt të vitit 1940 në Dukagjin. Në moshë të re largohet nga vendlindja dhe bëhet banor i qytetit të Tiranës. Për shumë vite ka punuar si punëtor policie, roje në godinën e Televizionit Shtetëror si dhe në punë të tjera. Pas vrasjes së Mehmet Shehut, ai shprehet publikisht se ‘Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë, por e kanë vrarë’. Denoncohet nga drejtuesit e televizionit dhe arrestohet nën akuzën e ‘Agjitacionit e Propagandës’, përkatësisht neni 55/1. Për rreth 8 muaj mbahet në hetuesi ku i nënshtrohet presionit fizik e psikologjik. Për pasojë, pëson depresion, pasojat e të cilit i vuan ende. Pas një periudhe 6 vjeçare pa punë, punësohet si roje në kopshtin zoologjik të Tiranës, ku doli në pension.
SOM 1
“Jam arrestuar në bazë të nenit famëkeq për ‘Agjitacion e propagandë’, përkatësisht nenit 55/1 të Kodit të Procedurës Penale. Ndërsa argumentet ishin se kisha mbrojtur disa herë publikisht bindjen se ‘Mehmet Shehun e kanë vrarë Enver Hoxha e Kadri Hazbiu, ‘Se me vrasjen e Mehmetit u shkatërrua Shqipëria’, se ‘pas vrasjes së Mehmetit u shkatërrua ekonomia, nuk ka as bukë e as djathë’, etj… Më ka arrestuar Zylyftar Ramnizi, ish-zëvendësministër i Brendshëm e Drejtor i Sigurimit, që më tha ‘Se arrestimi yt bëhet me urdhër nga lart’”
SOM 2
“I shkoj në zyrë Çajup Rusmajlit, drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit. I thash: ’Çfarë bëhet kështu shoku drejtor!’. Më tha: ’Zallamahi e madhe!’. Nga aty shkova tek Marash Hajati dhe i thash: ’Zoti drejtor. Unë jam i bindur se Mehmet Shehun e kanë vrarë, dhe nuk është vetëvrarë, siç u tha në komunikatë!. Jam i bindur se trimi nuk vret veten, dhe Mehmet Shehu qe trim’. Marashi mu drejtua dhe më tha:’Me bindje e thua këtë!’. I thash:’Po,me bindje të plotë’. Marashi më Tha:’Unë do të raportoj lart!’”.
SOM 3
“Më 22 janar të vitit 1985, në orën 19:00 të kësaj dite. Isha në punë në Radio Televizion. Vjen hetuesi Fatos Trebeshina dhe më thotë:’Do të vish me mua pak në Rajon për të verifikuar diçka për një hajdut që ju e keni denoncuar?!’. I thash se mund të shkoja me ‘të pasi isha në punë, e se ‘nuk mund të le vetëm një objekt të rëndësisë së veçantë, ku ka aparatura të shtrenjta dhe ndonjë armik sabotator mund ta hedhë në erë’. Hetuesi shtoi:’Po sikur të lëmë një polic tjetër, vjen?’. ‘Po’- i thash. Kështu u bë. Shkuam në rajon…”
NESËR DO TË LEXONI:
-Si e arrestuan Prek Kosurin dhe akuza për ‘Agjitacion e propagandë kundër Atdheut’ që iu komunikua në polici.
-Si e mbrojti ish-punonjësi i televizionit bindjen e tij se ‘Mehmet Shehun e kanë vrarë’, dhe torturat fizike e psikologjike disa mujore në hetuesi.
-Provat në gjyq për ‘armikun’ Kosuri dhe vendimi i trupit gjykues.
Ja ka futur kot. Clidhje ka ky me mehmet shehun? Roje ne televizion. Cu jepni kot hapesire ketyre. do te jete ndonje i rrjedhur.
O
Prek e pask e Krujt b.then vete nuk te ka faje njeri.