Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës tregon kalvarin dhe jetën e burgut
Llaqi Janko: Ministrja e Bujqësisë Themije Thomai u përpoq të më ndihmonte, por urdhri për arrestim nga kreu i qeverisë qe i prerë!
(Vijon nga numri i kaluar)
Një letër anonime tek Mehmet Shehu për ‘shkelje ligjore dhe sabotime në ekonomi’ për Llaqi Jankon, titullarin e Kooperativave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë, do e rëndonte në ekstrem pozitën e tij në përballje me akuzat e ngritura. Ai nuk e dinte se thirrja e tretë në hetuesi e komunikimi i disa akuzave të tjera ndaj tij do të ishte thirrja e fundit që do të pasohej me vënien në pranga në zyrën e tij të punës në ministri. “Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se do të përfundoja në burg e më pas do të dënohesha me 15 vite heqje lirie, pasi nuk kisha bërë asnjë faj e nuk e ndjeja veten fajtor. Por kur më thirrën herën e fundit në hetuesi dhe pashë se me gjithë ato akuza që më komunikuan, më kishin renditur si ‘armik të pushtetit popullor’, të them të drejtën, u shqetësova seriozisht. Për këtë bisedova dhe me eproren time direkt, Ministren e Bujqësisë, Themije Thomai. Ajo pasi bisedoi me Adil Çarçanin, zëvendësin e Mehmet Shehut më tha se problemi nuk do shkonte tek arrestimi, por do merrej një masë administrative, do të më dërgonin drejtor të NB Kamzë. Por ishim gabuar. Vonë do të mësoja se urdhri nga lart kishte qenë i prerë, e se unë si ‘armik’ duhet të arrestohesha e të jepja llogari para gjykatës. Shumë shpejt, kështu ndodhi. Më arrestuan pa përfunduar orari zyrtar në zyrën time në Ministrinë e Bujqësisë. Ishte data 27 qershor e vitit 1980”- vazhdon rrëfimin e tij për ‘Dita’ Llaqi Janko…
Çfarë të rejash pati në thirrjen e tretë në hetuesi?
-Herë e tretë në hetuesi më thirrën në muajin prill. Ata këmbëngulnin që unë të pranoja akuzat e përsëritura më parë dhe shtonin edhe nga një gjë të re. Akuzave të tjera iu ishte shtuar edhe pensioni i babait tim. “Babai yt ka marrë deri tani padrejtësisht 20 mijë lekë pension (merrte 180 lekë në muaj)”, -thanë ata. Dhe më tej, me triumf më deklaruan: “Ja ku është vjedhja!” Sa më përmendën pensionin u them se dua në ballafaqim drejtorin e Sigurimeve Shoqërore, Vedat Çomo, sepse ai e ka bërë llogarinë dhe jo unë.
U realizua ballafaqimi?
-Nuk pranonin ballafaqim. “E dimë ne që t’i ke falsifikuar, ose i ke dhënë urdhër llogaritarit që t’i falsifikonte, -thoshin ata. Këtë e ka deponuar njëri prej tyre në hetuesi. As këtë akuzë nuk e pranova dhe si gjithnjë çdo faqe e firmosja me kundërshtimin tim. Tjetër rrugë s’kishte. Sepse, siç përmenda as avokat, as opinion publik s’kishte në atë kohë për probleme të tilla.
U thirrët më në hetuesi?
-Po. Edhe një herë. Për herë të fundit u thirra më 24 qershor të vitit 1980. Kjo thirrje më shumë ishte që unë ta pranoja akuzën, të pranoja se me punën time në Seman, sa kohë kisha qenë kryetar, kisha dëmtuar unitetin parti-popull në atë zonë, kisha bërë raportime fiktive, kisha ndarë fasule më shumë se më lejonte udhëzimi, kisha dhënë bukë gruri gjithë vitin e të tilla “shkelje” për të cilat duhej të gjykohesha dhe të merresha i pandehur. Nuk pranova gjë dhe në çdo faqe të këtij dokumenti përfundimtar kam bërë shënime dhe kam firmosur se jam kundër çdo pike të akuzës.
Po raportet e punës me ministren dhe me vartësit në këtë kohë?
–Unë isha i traumatizuar, i shokuar. Ndonëse shkoja në punë, kuptohet që isha sa për formalitet. Çfarë nuk flitej prapa shpine për mua. Përveçse ato që thashë më lart, dikush më thoshte se dyshonin se unë kisha marrëdhënie me disa femra, përfshirë dhe në rangje ministrash apo deputete… Bile, thuhej që unë, kur kisha shkuar në një shërbim në Tropojë, kisha fjetur me ministren në shtëpinë e pritjes…
Çfarë ndodhi pas thirrjes së fundit në hetuesi?
-Po atë ditë shkoj te ministrja. Midis të tjerave i them se akuza është hartuar pa asnjë ballafaqim për çështjet që më akuzojnë. Ajo më tha: “Kam folur me Adilin(Çarçani). Kemi rënë dakord që të të lëvizim nga ky vend pune dhe të të emërojmë drejtor në NB Kamzë, që është e të njëjtës nomenklaturë. Kështu mos u bëj merak se çështja u mbyll.”
Mbaj mirë mend se i kam thënë: “Unë tani nuk po të flas si punonjës, por si motër. (Dhe në këtë kohë nuk m’u mbajtën lotët). Nga sa kam kuptuar deri tani ata synojnë dhe do ta arrijnë të më fusin në burg!”
Si reagoi ministrja e Bujqësisë Themije Thomai?
-Themija u mundua të më qetësonte. “Unë tani të fola edhe në emër të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave. Përsëri s’ke besim?!” Kjo qe fjala e fundit që dëgjova nga ajo. E theksoj se ka qenë 24 qershori, ditë e martë pasdite, kur unë bëra këtë bisedë me Themije Thomain menjëherë sapo isha kthyer nga thirrja e fundit në hetuesinë e Fierit… Shkova në shtëpi, u thashë për situatën familjarëve. U thashë që nuk mendoj se do të ketë probleme pasi jam i pafajshëm, nuk kam bërë faje, ndonëse më kanë bërë disa akuza që në fakt janë të rënda. U jepja kurajë atyre, por në fakt, unë tashmë isha i bindur se nga çasti në çast, mund të trokiste dera dhe do të vinte policia për të më vënë prangat… Dhe në fakt, ky çast që kurrë nuk më kishte shkuar në mendje, nuk do të vononte…
Kur ju arrestuan?
-Ja vjen edhe dita më e zezë e jetës sime: 27 qershor 1980. Mëngjes. Unë isha në zyrë, kur bie zilja e telefonit. Kuptohet, që në këtë situatë të rënduar psikologjike që isha, çdo zile telefoni sikur më sillte atë që unë nuk e doja, por në fakt do të vinte. “Jemi nga dega e Fierit. Mos u largo nga zyra se në orën 10:00 do vijmë të takojmë aty. Kemi një problem për të biseduar. Pra, mos lëviz dhe na prit aty!” -vinte zëri nga ana tjetër e linjës. Pra, ishte zëri i ardhur që andej, zë i cili ka mbetur dhe do të mbetet i regjistruar për jetë në memorien time… Për këtë situatë, sigurisht dhe për parandjenjën se mua më prisnin prangat, pasi hetuesi më kishte akuzuar në thirrjen e fundit, mendova që të lajmëroj Ministren e Bujqësisë…
Me kë komunikuat dhe çfarë biseduat në këto momente?
-Ministrja Themije Thomaji ishte në Kukës me shërbim dy ditor. Në zyrë ishin Stavri Rista dhe Kristaq Kule, të dy Zëvendësministra të Bujqësisë. M’u duk pa vend ta bisedoja me ta. I thashë vetes: “Rri në zyrë dhe prit. Çfarë ka për të ndodhur do të ndodhë. Ti je i pafuqishëm ta ndalosh!” Isha komunist, kuadër i një nomenklature të lartë. Pas fjalëve që më tha Ministrja tre ditë më parë mendoja të paktën se do më thërrisnin këto instanca. Duhej të më thërriste organizata e partisë dhe nomenklatura përkatëse, për të më liruar ose për të marrë ndonjë masë partie. Asgjë s’kishte ndodhur deri në atë çast. Nëpër mend shkoja arrestimet e bujshme, që ishin bërë, por gjithmonë pas një kërkese llogarie, në forumet ku ata ishin pjesëtarë. Kështu do të ndodhë edhe me mua. Të paktën për gabimet që kam bërë do të gjykohem edhe në parti. Atje, organizata bazë do mbajë qëndrim, nëse bindet që jam fajtor, do më përjashtojë. Dhe kisha shpresë se do gjykohesha drejt, pasi në organizatë bënin pjesë komunistë, që ishin edhe ekspertë për ato që po hetohesha. Pas organizatës do më thërrisnin në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, apo ndonjë i ngarkuar prej tyre dhe do më komunikonte se isha liruar nga detyra dhe do të vihesha në dispozicion të hetimit të mëtejshëm deri në gjykim. Këto bluaja në kokë. Llogarisja se ngaqë asgjë nga këto s’kishin ndodhur, s’kisha pse të frikësohesha aq shumë ndonjë arrestimi të momentit. Por do të gaboja…
Në ç’orë erdhën hetuesit tek ju?
-Kaloi ora 10:00. Asnjë sinjal. Po afrohej orari zyrtar i mbarimit të ditës së punës. Ora po shkonte 14:00. Asnjë sinjal. Kërkoj Kristaq Kulen. Nuk ishte në zyrë. Pak para kësaj ore nisem të dal nga godina e Ministrisë. Si sot e mbaj mend. Dezhurn ishte Viktor Puka. Sa dal te dera e godinës më vjen Kujtim Ymeri, hetuesi i Fierit. Më thotë: “Do vish me mua deri te Teatri i kukullave!” Aty ishte Gazi i degës së Fierit. Sa hyj brenda më thonë: “Je i arrestuar!” Edhe ndonjë agjent special të isha s’do veprohej me mua kështu. Që aty më çojnë te Teatri Popullor, në hyrjen nga pas të Ministrisë së Brendshme. Rri në makinë me shoferin. Hetuesi, pasi më mori çelësat e kasafortës, zbriti dhe u fut në godinën e Ministrisë. Më vonë mora vesh se aty preu fletë-arrestimin. Rastësisht kalon aty Idriz Ferko, me të cilin njihesha si specialist, por edhe si fierak. Ky më kujtoi diçka, një letër, një veprim timin që mund të më rëndonte më tej pozitën.
Për çfarë letre bëhet fjalë?
-Dua të kujtoj këtu se Idrizit, para dy muajsh i kisha dhënë një letër, për Naunka Bozon, që ishte sekretare në Komitetin e Partisë së rrethit të Fierit. Letrën e kisha futur në zarf, por nuk e kisha mbyllur. I shkrova vetëm kaq: “Të lutem ndihmomë, që kanë ç’kanë ata të Degës së Punëve te Brendshme, le të merren me mua dhe të mos i bien në qafë vëllait tim.” E theksoj këtë moment, sepse kur kam qenë në hetuesi, ma kanë kujtuar hetuesit se: “I ke bërë edhe letër shoqes Naunka pale!” Idrizi më pa dhe kuptoi diçka. Shkon te dezhurni i Ministrisë së Bujqësisë dhe i thotë Viktorit se më duket që Llaqin e kanë arrestuar. Ndërkohë Andon Thimio, me të cilin shkoja në shtëpi, më kërkonte nëpër korridore. Kur del te dezhurni i thonë edhe atij për
mua. Siç më ka thënë më vonë Viktori, ata nuk vajtën në shtëpi, por u futën në një kafe dhe biseduan për mua.
Ku ju dërguan pas ndalimit në Ministrinë e Brendshme?
-Që nga Ministria e Brendshme më çojnë në paraburgimin e Tiranës. Në orën 16:00 pasdite, ishte mbledhja e radhës së organizatës së partisë, ku bëja pjesë edhe unë. Kujtimi hap kasafortën në zyrën time, në Ministrinë e Bujqësisë dhe i jep teserën e partisë Stefan Gjokës, sekretarit të organizatës bazë, që ai të diskutonte dhe të vendoste për përjashtimin tim nga partia, pa qenë unë fare aty dhe pa më dëgjuar asnjëherë gjatë atyre më tepër 6 muajve, që hetohesha i lirë.
Edhe kjo ishte për t’u habitur: Një hetues nga Fieri, më merr çelësat e kasafortës shtetërore në një dikaster qendror dhe i jep “urdhër” sekretarit të organizatës së partisë që të më përjashtonin nga partia. Absurd më të madh, edhe me rregullat e asaj kohe, nuk kishe se ku të gjeja. Por në të tilla duar kisha rënë dhe unë! Kaq ishte “gjykimi” im në parti! Si ish-kuadër i lartë, asnjë fjalë. Hetohesha dhe arrestohem për “faje” të stisura, siç e thur rrjetën merimanga, që të bjerë pre viktima pa asnjë faj, vetëm se merimanga ka nevojë të hajë. Edhe makineria e diktaturës kishte nevojë të “hante” edhe njerëz të pafajshëm, mjafton që t’i mbante të gjithë nën presion e frikë, t’i bënte kurban disa që të rrinin “sus” të tjerët.(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës për provokimet dhe presionet në hetuesi për të pranuar ‘sabotimin në ekonomi’, ‘vjedhjet’ dhe punën ‘armiqësore’.
-Akuza për Jankon për ‘Fjetjen së bashku me ministren e Bujqësisë në shtëpinë e pritjes në Tropojë’ dhe pohimet e të akuzuarit në hetuesi.
-Thirrja e fundit në hetuesi e Llaqi Jankos më 24 qershor të vitit 1980 dhe akuza e re ndaj tij, ajo e ‘Agjitacionit e propagandës’, sipas nenit 55/1.
Cfar te them, maskarejte kan futur ne burg njerez te pafajshem. Duhet te hapen dosjet sa jane maskarejte gjadhe.
ore,te pakten a e pallove themijen?po e pate palluar,te lumte rrocka.