Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës tregon kalvarin dhe jetën e burgut
“Nën akuzat e aplikimit të ‘Metodave të vetë administrimit jugosllav’ në ekonomi dhe për ‘Agjitacion e propagandë’ më dënuan me 15 vite burg”
Ndihma që i ofroi shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, kur ky shkoi për të mësuar nga ‘masa’ në kooperativën që ai do të drejtonte(Seman, Fier), ndihma për mbijetesë për të varfërit në fshatra, shumë shpejt, nën akuzat e aplikimit të ‘Metodave të vetë administrimit jugosllav’ në ekonomi dhe për ‘Agjitacion e propagandë’, do e çojnë në pranga e me një dënim prej 15 vite burg Llaqi Jankon… Kjo ka ndodhur gati 3 dekada më parë, kohë në të cilën për merita në punë në kooperativën e Semanit, Jankos, prej 4 vitesh i ishte besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Kooperativave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë…
Takimet me Kadarenë në kohë të ndryshme, kalvarin në hetuesi e burg, 73 vjeçari Llaqi Janko i rrëfen për ‘Dita’…
Zoti Janko! Ju keni një karrierë të gjatë në drejtimin e bujqësisë, deri Drejtor i Kooperativave Bujqësore të vendit, ndërkohë që jeni arrestuar dhe dënuar disa vite në regjimin komunist?
-Po. Një jetë të tërë në bujqësi, por dhe disa vite në qeli. Kam bërë gjithçka për të kryer detyrat me përkushtim e profesionalizëm, ndërsa dënimi ka qenë për akuzat e aplikimit të ‘Metodave të vetë administrimit jugosllav” në ekonomi dhe për “Agjitacion e propagandë”. Por persekutimin tim, unë do e parandjeja që në kohën që isha drejtues i ekonomisë në Seman, kohë në të cilën erdhi për ‘edukim në gjirin e masës’ shkrimtari i njohur Ismail Kadare… Ndaj them që bisedën bashkë ta nisim nga njohja me Kadarenë…
Ku dhe si ka qenë njohja juaj me Kadarenë?
-Në vitin 1975 në Seman erdhi Kadareja. Nga propaganda u tha se shkrimtarët po zbresin në bazë që të njohin më afër jetën atje. Unë kisha nja adhurim në atë kohë për Kadarenë. Ardhjen e tij në kooperativë e quajta fat, sepse do më jepej rasti që ta njihja nga afër këtë shkrimtar të madh. E quajta privilegj, që do të njihesha me të. Në këto e sipër me një makinë vjen Kadareja, së bashku me një shokun e tij, edhe ky shkrimtar, por jo aq i dëgjuar. Më thonë se i kanë dërguar të rrinë disa muaj këtu, të punojnë në kooperativë, por më shumë të njohin njerëzit e thjeshtë, kooperativistët. Edhe ata thanë variantin zyrtar dhe s’kish si të ndodhte ndryshe.
Çfarë ndodhi më pas?
-I pyeta se ku donin të sistemoheshin për të fjetur, sepse kishim edhe një hyrje(godinë), që kooperativa e përdorte si vend pritje, e mund të sistemoheshin edhe atje, ose me dëshirën e tyre në ndonjë familje. Ata nuk treguan ndonjë preferencë të veçantë. Unë i pyes në mos donin të flinin në Fier, pasi qyteti ishte relativisht afër me mjet e mund t’i ndihmoja unë me mjetin e kooperativës për t’i çuar e sjell përsëri.
Pra, siç del nga këto propozime që po u përmend dhe tani, unë në atë kohë as që e mendoja se ata vinin, sidomos Kadareja, për të shlyer ndonjë gjynah që kishte ndaj udhëheqjes. Këtë e mësova shumë vonë… Por pas pak ditësh, ndodhi një gjë që më habiti…
Çfarë ndodhi konkretisht?
-Pas 15 ditëve, Ismail Kadare më thotë se nuk do rrimë këtu në Seman, sepse do të shkojmë tek Agimi – Libofshë. “U ka mbetur gjë qejfi me trajtimin që u kemi bërë apo keni ndonjë hall tjetër?”, i pyes.
Jo, -më thanë, -ndaj teje nuk kemi asnjë ankesë, por ashtu është puna, do shkojmë në Libofshë. Kaq ishte gjithë historia dhe unë marr vesh realitetin e çuarjes në Libofshë, kur u botua libri “Pesha e Kryqit”, në vitet 90-të të shekullit të kaluar.
Cila ishte e vërteta e ikjes së Kadaresë?
Ja se çfarë shkruan Kadareja në atë libër: “Në Seman mbërritëm në muzg. Na priti kryetari i porsa emëruar i kooperativës, një agronom i ri flokë çelët, me sy që i ndrinin gëzueshëm dhe me një emër po aq të lehtë dhe gazmor, Llaqi Janko. E di ç’ju ka ndodhur, më tha, në shtëpinë e tij, pas darke, pranë oxhakut. Sytë e tij ishin zhbirues, plot etje për të marrë vesh ç’ndodhte atje lart, në sferat e padukshme të socializmit. Ndoshta ishte hera e parë që takonte dikë me të cilin shteti diktatorial, shteti i tmerrshëm diktatorial, kishte një konflikt gjysmë të shpallur. Kur ca kohë më pas mora vesh se qe dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burg për ‘agjitacion dhe propagandë kundër shtetit’. Shumë herë kam menduar se ndoshta zanafilla e së keqes së tij kishte nisur atë mbrëmje të ftohtë vjeshte, kur kishte ftuar për darkë dy kryeqytetas të mallkuar. Pas dy javësh erdhi një ‘Xhip’ i komitetit të partisë për të na marrë. Shpjegimi ishte i shkurtër: do të shkonim në një kooperativë tjetër. Shkaku merrej me mend: kryetari i Semanit qe treguar tepër i butë me ne”. Po kam dhe takime e kujtime të tjera…
Çfarë kontaktesh të tjera keni pasur me Kadarenë?
-Meqenëse jam këtu, tek marrëdhëniet me Ismail Kadarenë, po konsumoj edhe disa ngjarje që ndodhën më vonë. Në vitin 1976, Kadareja shkon në Seman për të bërë disa reportazhe për shtypin e ditës. Ai u gdhi një natë aty, e në mëngjes pyeti se diçka mungon në këtë kooperativë.
“Po Llaqi, kryetari që takova vjet këtu ku është?”, kish pyetur ai.
I shpjeguan se isha transferuar në Tiranë. Kur kthehet në Tiranë më vjen në Ministrinë e Bujqësisë dhe më fton për një kafe në shtëpinë e tij, e unë i them se nuk e di shtëpinë. Më premton se do të vinte të më merrte vetë. Kështu ndodhi. Unë shkova mik në shtëpinë e shkrimtarit…
Diçka nga biseda në shtëpinë e tij?
-Lamë orën se kur do takoheshim. Vajta në shtëpinë e Kadaresë. Aty, veç Elenës, ishte edhe i ati i saj, që ishte nga Fieri. Bëmë muhabet të lirë, kujtuam atë kohë kur Kadareja ishte në Seman. Biseda qe shumë e përzemërt dhe unë u kënaqa që takova edhe familjen e Kadaresë.
Kalonin vitet. Me mua ndodhi ajo që ndodhi, u arrestova dhe u dënova…
Dhe nuk u takuat më me Kadarenë?
-Nuk kishte se si, pasi unë isha në burg. Aty nga viti 1990, pasi kisha dalë nga burgu, i bëj një letër Kadaresë që të shihte mundësinë e rehabilitimit tim politik. Dhënien e letrës e bëri të mundur Aristotel Mici, me të cilin kish njohje që në Fier. E kishte lexuar letrën në prani të Neshat Tozajt. I tha atij: “Që të bëhet kjo që kërkon Llaqi, duhet të ndryshojë regjimi.” Teksa unë prisja një ndihmë nga ana e tij, pas dy ditësh dëgjoj në lajme se Ismail Kadare ishte “arratisur”.
Çfarë ndjetë në këto momente?
-Mendja më shkoi te letra ime. “Do futem përsëri në burg më duket”. Këtë mendova, kur përfytyroja që do sekuestronin dokumentet e Kadaresë dhe aty do gjenin edhe letrën time. Nuk ndodhi gjë. Si duket letrën e kishte marrë me vete. Në vitin 1991, Aleksandër Jorgaqi më sjell librin e Kadaresë “Pesha e kryqit”. Në këtë libër ishte shkruar edhe ajo që u thashë më lart. Nashua më tha se nuk do ma jepte për fare, por sa për ta lexuar. Libri ishte botuar në Francë nga shtëpia botuese ‘Fayard’, në gjuhën frënge dhe pak tirazh në gjuhën shqipe. Kështu që në Shqipëri kishin ardhur shumë pak kopje. Ja ktheva përsëri librin Aleksandrit. Por unë prisja rastin jo vetëm të siguroja librin, por të takoja përsëri Kadarenë.
Kur erdhi ky rast?
-Në vitin 2001. Te “Piramida” ishte hapur panairi i radhës i librit. Shkoj aty dhe blej një nga librat e Kadaresë. Ai ishte ulur në një tavolinë dhe u bënte autograf atyre që blinin librin e tij. Vete dhe unë. Kishte kaluar mjaft kohë pa u parë, që nga viti 1976. I them se jam Llaqi nga Semani.
Si reagoi Ismail Kadare?
-E ndërpreu punën dhe u takuam me shumë përzemërsi…
“Më prit një çerek ore dhe do të pimë një kafe aty në hyrje”, tha ai.
Kështu bëri. Ishte së bashku me Bujar Hudhrin, botuesin. I tregoj për librin “Pesha e kryqit” se si ma kishte dhënë Aleksandri dhe e kisha lexuar, por doja patjetër një kopje të tij.
“Unë nuk kam këtu”, -më tha, “kur të shkoj në Francë do të ta nis.” Në çast u kujtua!
“Jepja ti Bujar një kopje se ta sjell unë një tjetër!” -iu drejtua Bujar Hudhrit, botuesit të tij.
Pas disa ditësh i vajta Bujarit. Ai ma solli pak rrotull bisedën, sepse kishte vetëm një kopje dhe atë s’dinte në do ta gjente në moment apo jo. Së fundi e gjeti. I them: “Dua një shënim këtu.” Duke më vështruar, Bujari bëri një veprim që unë nuk e prisja…
Çfarë bëri botuesi në ato momente?
-Mori në telefon Ismailin që ndodhej në Tiranë. Ia tregon atij kërkesën time. “Hajdeni në shtëpi”, tha ai. Vajtëm në shtëpi, pasi pimë kafe, më shënoi në libër këtë autograf: “Llaqi Jankos, kujtim nga vitet e errëta që përshkruhen në këtë libër, në shenjë miqësie dhe mirënjohje për mikpritjen në Seman, në prag të kalvarit tënd. Ismail Kadare 8 Nëntor 2001”
Të vazhdojmë aty ku e lamë, të rikthehemi tek ikja e Kadaresë nga kooperativa juaj(Seman) tek Agimi-Libofshë?
-Po. Unë atëherë këtë lëvizje të Kadaresë nga Semani tek Agimi e përcolla pa asnjë paragjykim. Kjo që tregova më lart ishte ndoshta një episod i rastësishëm, por nga ç’do të shtjelloj më poshtë nuk ishte plotësisht ashtu dhe pa pasoja mbi mua. Unë isha vënë në shënjestër, e do të vinte ndëshkimi…
Si dhe nga kush ishit vënë në shënjestër?
-Po. Viti 1979 po mbyllej. Unë kisha mbushur 3 vjet të plota, pas gushtit të atij viti, që punoja në Ministri. Në muajin gusht mora një kabinë pushimi në Seman. Nuk isha shkëputur asnjëherë nga fshati im, sepse, megjithëse kisha marrë me vete prindërit, atje kisha vëllanë, motra dhe të afërm të tjerë. Më pëlqente që edhe pushimet t’i kaloja në plazhin e Semanit, pasi edhe fëmijët të vazhdonin ta donin fshatin e tyre të lindjes. Herë pas here, edhe për detyrën që kisha në ministri, interesohesha për ecurinë e kooperativës, por siç kam shpjeguar më lart, edhe kjo kooperativë, si kudo, nga ana ekonomiko-financiare nuk po ecte si duhej. Semani kishte pësuar rënie në krahasim me periudhën para vitit 1976. Nuk mendoja se kjo situatë do të lidhej me mua…
Më konkretisht për këtë situatë?
-Nëpër tym, si i thonë, kisha dëgjuar se, jo kishte rënë kooperativa, por ajo kështu kishte qenë, por kishte pasur fiktivitet. Këtë e gatuanin disa kuadro të paaftë që punonin aty. Madje është për t’u shënuar se gjatë 4 viteve, në këtë kooperativë, ishin ndërruar 4 kryetarë. Kjo ishte alarmante, në një kohë që unë zgjidhesha kryetar edhe kur kërkoja të mos zgjidhesha. Kam besuar se zilia është shumë e ligë, sidomos kur ke diçka në dorë dhe e përdor ndaj atij që ke zili. Ata që punonin në kooperativën e Semanit, kërkonin të justifikonin veten dhe rënien ekonomike e kërkonin te puna e dobët që ishte bërë më parë. Nuk munguan për këtë edhe letrat drejtuar Kryeministrit, ose KQ të Partisë për figurën time. Sikur kjo do të rriste vlerën e ditës së punës! Absurde për një logjikë të shëndoshë, por unë kisha hyrë
në vitin e katërt, që isha larguar nga kooperativa dhe figura ime si kuadër, paskësh prishur kooperativën pas katër vjetësh! Edhe sikur ta kisha prishur unë, kishte pasur kohë (4 vjet), që çdo gjë të rregullohej dhe ekonomia të ecte si duhej. Por situata do të ishte shumë e rëndë, ndonëse unë nuk e vlerësova, pasi ishte absurde… Por kjo insinuatë ishte ta largoje fajin nga vetja dhe të tërhiqte vëmendjen në probleme që s’kishin lidhje fare me gjendjen e rëndë ekonomiko-financiare.(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Llaqi Jankos: Si nisën sulmet ndaj meje për “Agjitacion e propagandë” dhe “Sabotim ekonomik” nga Sigurimi i Shtetit dhe letrat nga populli.
-Takimi i “rastësishëm” i Llaqi Jankos me Prokurorin e Përgjithshëm Rrapi Mino dhe Zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë Irakli Bozo dhe këshillat e tyre “është mirë të mos shkosh në vendlindje në Lushnjë”.
-Akuzat dhe arrestimi i vartësve të Jankos dhe hetimet ndaj tij për abuzime në ekonomi dhe agjitacion e propagandë…
KUSH ËSHTË LLAQI JANKO
Llaqi Janko u lind më 19.05.1940 në Seman të Fierit. Ka mbaruar institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë në Kamzë Tiranë, në vitin 1963. Nga viti 1963 deri në vitin 1968 ka punuar kryeagronom i kooperativës së Semanit. Nga viti 1969 deri në gusht të vitit 1976 është zgjedhur kryetar i kooperativës bujqësore të Semanit. Nga viti 1976 deri në 1980 ka qenë Drejtor i Kooperativave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë. Është arrestuar dhe dënuar me 15 vite burg nën akuzat e aplikimit të ‘Metodave të vetë administrimit jugosllav” në ekonomi dhe për “Agjitacion e propagandë”. 73-vjeçari Janko është autor i shumë artikujve shkencorë ndër dekada si dhe i një monografie nga jeta e tij në punë dhe në burg.
Tek libri “Pesha e Kryqit” Ismail Kadare shkruan: “Në Seman mbërritëm në muzg. Na priti kryetari i posa emëruar i kooperativës, një agronom i ri flokçelët, me sy që i ndrinin gëzueshëm dhe me një emër po aq të lehtë dhe gazmor, Llaqi Janko. E di ç’ju ka ndodhur, më tha, në shtëpinë e tij, pas darke, pranë oxhakut. Sytë e tij ishin zhbirues, plot etje për të marrë vesh ç’ndodhte atje lartë, në sferat e padukshme të socializmit. Ndoshta ishte hera e parë që takonte dikë me të cilin shteti diktatorial, shteti i tmerrshëm diktatorial, kishte një konflikt gjysmë të shpallur. Kur ca kohë më pas mora vesh se qe dënuar me pesëdhjetë vjet burg për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit. Shumë herë kam menduar se ndoshta zanafilla e së keqes së tij kishte nisur atë mbrëmje të ftohtë vjeshte, kur kishte ftuar për darkë dy kryeqytetas të mallkuar. Pas dy javësh erdhi një xhips i komitetit të partisë për të na marrë. Shpjegimi ishte i shkurtër: do të shkonim në një kooperativë tjetër. Shkaku merrej me mend: kryetari Semanit qe treguar tepër i butë me ne.”
Se pari, Kadare duket se mendon se njerezit ende vazhdojne ta kene fjalen e tij dhe te Partise si etalon te se vertetes. Shikoni si e mashtron fjalen dhe te verteten: Meqe Llaqi e paska pritur mire (e si te mos e priste mire kur vete sekretari i pare Pipi Mitrojorgji, jo Pipi Çorapegjata, shkon ne kooperative më parë se Ise Kadareja dhe Luan Qafezezi, per te pergatitur pritjen e akomodimin e ketij shkrimtari tere jeten ne profesion te lire nga Partia e shoku Enver (por Kadare thote se kys hkrimtari qe pret kryetari i kooperatrives kishte nje lufte te pashpallur me qeverrine dè!!!) Dhe vetem pse u solle ngrohte me shkrimtaret, kryetari e hengri politikisht!
Kurse vete “armiku gjysem…”, pra shkrimtari jo vetem qe nuk e hengri, por edhe pse ishte “i interrnuar” ne kete kopperative, nisej per delegacione jashte shtetit, dhe fliste vec me sigurimsat qe gelonin qark tij!
Edhe ate gjoja shakane qe ka bere me Neshat Tozajn, e ka bere pas renies se shtetit te shokut enver, se ndryshe s’kishte si te kerkonte para 1990-es ndryshim biografie ish-kryetari!
Se dyti, i nderuar gazetar Borici, kete shkrim e ke botuar me pare edhe tek Shekulli, por atje kadarene e ke cituar sikur ka thene se “ky ish kryetar, ishte denuar me pas pritjes se tij me…pesedhjete vjet burg”. Pra jo 15 por 50, sic eshte pasqyruar ketu. Kjo nuk eshte korrekte ndaj shkrimtarit. Ashtu sic e keni per detyre te ofroni te verteten reale te hyrjes ne vurg te ish-Drejtorit te Koopperativave te turpshme shqiptare…
Se treti, gazetari pasqyron, nuk mban qendrim, por e verteta duhet te jete kumti per lexuesin: nese ju besoni se Kadare ka shkuar si i pa=deshiruar ne Seman, atehere ju jeni per te ardhur keq…
Thuhet se Bilal Xhaferi eshte vrare ne Çikago ne nje spital me urdher te Ismail Kaderes.
who the f… is b.xhaferri????
Ismaili mund te beje edhe vepra letrare edhe me intriguese ne se do te zhvishet nga kostumi i karnavaleve qe ka te veshur gjer tani…
Ma merr mendja se Ismaili e ka kuptuar qe nuk e beson asnjeri..edhe krijuesi edhe lexuesit bejne “me gjasme”….
Prandaj Malua kur te filloje lustracionin e te kerkoje ndjese per te keqijat e shkaktuara mund te marre edhe çmimin Nobel !!!
Pasi lexova këtë shkrim, thash me vete: Shyqyr që as nuk e kam njohur e as nuk jam takuar me Ismailin, se do të kisha përfunduar edhe unë në burg si malukati Llaqi!
Sa shume serbe ka.., qe dine te flasin dhe shkruajne mire shqip..! – cudi e madhe, sepse jemi kaq pak shqiptare…!!