Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës tregon kalvarin dhe jetën e burgut
“Një letër anonime që i kishin dërguar Mehmet Shehut, angazhoi hetues e prokurorë që të më cilësonin armik e të më vinin në pranga!
(Vijon nga numri i kaluar)
Një letër anonime që i kishte vajtur Mehmet Shehut pas 4 viteve që ishte transferuar nga Lushnja në detyrën e Drejtorit të Kooperativave Bujqësore të Shqipërisë me akuza sabotimi ekonomik, flirte me femra(përfliteshin dhe ministre e deputete), përshpejton punën e hetuesve dhe prokurorëve për të siguruar provat e fajësisë për Llaqi Jankon… Këtë situatë, Janko e rrëfen në vazhdim për ‘Dita’…
Vajtët në Fier për këtë problem?
-Unë vajta në Seman para Vitit të Ri e mora vesh për arrestimet dhe akuzat që bëheshin. Akuza kryesore ishte se ishte krijuar në kooperativë një i ashtuquajtur “Fond ndihme”, që sipas statutit nuk duhet të shkonte më tepër se 2% të të ardhurave dhe se ky ishte përdorur sipas vendimeve të kryesisë për të ndihmuar njerëz në nevojë. Mirëpo gjatë viteve kishin dalë udhëzime, që u rekomandonin kooperativave që të mos kishte më fond ndihme. Në Seman, në atë kohë ky udhëzim ende nuk kishte mbërritur dhe unë s’kisha dijeni për të. Nuk e vija fare në dyshim krijimin e fondit të ndihmës sipas statutit të kooperativës dhe aty përcaktohej edhe mënyra e përdorimit të tij.
Nga ana tjetër bëhej fjalë se janë dhënë pensione padrejtësisht. Unë në të dy këto pika nuk lidhesha fare. Fondi i ndihmës ishte krijuar, sipas statutit dhe me vendim të mbledhjes së përgjithshme të kooperativës. Pensionet nuk i llogariste kryesia, por siç kam shpjeguar, një komision i varur nga pushteti (këshilli popullor i kooperativës). Në fund duhej edhe firma e kryetarit, por e gjithë
procedura ishte jashtë kompetencave të kryetarit. Nisur nga këto, unë s’ndjeja asnjë si të thuash frikë. Madje asnjë sinjal s’kisha se mund të më ndodhte diçka.
Çfarë telashesh u solli letra me ankesa që i ishte drejtuar Mehmet Shehut?
-Mbaj mend se në një letër dërguar Mehmet Shehut, ishte shkruar edhe për pensionin e babait tim. Kjo letër ishte kaluar për kompetencë Aparatit të KQ, sepse unë isha nomenklaturë e sekretariatit të KQ të Partisë. Më thirri në atë kohë Miti Bozo, i cili më vuri në dijeni për këtë letër, por më tha se “ti mos u bëj merak se kjo është një gjë e që mund të verifikohet dhe do dalë përgjegjësia ekzakt.” Unë me të vërtetë e quajta shpifje këtë, sepse siç kam shpjeguar më lart, pensioni i babait tim ishte llogaritur me rastin e ardhjes për kontroll të drejtorit të sigurimeve shoqërore të Fierit dhe një ekonomiste. Ata, madje më kishin përcaktuar edhe datën ekzakt se kur duhej të fillonte pensioni i babait. Unë edhe po të doja as që mund të pakësoja, as mund të shtoja vite pune, sepse çdo gjë mbështetej mbi dokumente të llogarisë dhe të pushtetit. U zgjat pak në këto dy pika sepse rreth këtyre u zhvilluan ngjarjet më vonë. Thirrem në Degën e Brendshme…
Kur dhe pse u thirrët në Degën e Punëve të Brendshme?
-Në shkurt të vitit 1980, më vjen një thirrje që të paraqitem në DPB të Fierit. Pa asnjë sqarim tjetër. Veçse të isha aty nga ora 10 paradite. Ishte planifikuar një ekip i Drejtorisë sonë për në Vlorë. Nisem me ata dhe unë qëndroj në Fier. Makina me ekipin shkojnë në Vlorë. Paraqitem në DPB, më presin në takim hetuesit Kujtim Ymeri dhe Vaskë Simeone (ky nga prokuroria e rrethit) në prezencë të shefit të hetuesisë Shkëlzen Bajraktari. Pa më dhënë fare dorën ulem dhe më komunikojnë një akuzë, duke më cilësuar se kur unë kisha qenë kryetar kooperative (para afro 4 vjetësh), kisha vjedhur pasurinë e kooperativës. Kjo akuzë më erdhi si rrufe në qiell të hapur dhe menjëherë u revoltova, sepse mënyra si më pritën ata qe si të ishte dhënë verdikti, dhe s’kishin pse më pyesnin mua. Më thanë: “Të kemi thirrur që të firmosësh se more dijeni për akuzën që të bëjmë dhe se je në hetim.” “Në asnjë mënyrë”, -u thashë, “nuk firmos për diçka që s’e kam bërë.” Në këto debate më thanë se “ndaj teje ka edhe akuza të tjera, por do të vijë koha të t’i themi.” Ndër të tjerave, më thanë se në Seman, kur ke qenë kryetar ke bërë vetë administrim dhe këtë e ke bërë me qëllim që të transferoheshe në Tiranë.
Si reaguat në këtë moment?
-Në këtë moment s’u përmbajta fare dhe veç që më vinte inat për akuza të padrejta, më vinte edhe ndot që më merrnin në pyetje njerëz të atij niveli, që qysh në takimin e parë më quanin hajdut. Si përfundim nuk e firmosa atë dokument dhe ata thirrën një hetues tjetër, Dule Sakon, i cili, si dëshmitar, firmosi në emër tim. Dhe ai dokument ashtu u paraqit edhe në gjykatë. “Nuk kemi më punë tani për tani, por do paraqitesh edhe një herë në orën 2 pasdite”, -më thanë.
Duheshin edhe 3 orë deri atëherë. Megjithëse kisha njerëz se ku mund të shkoja, nuk desha të vija askund. U ktheva në teatër “Apolonia”, që ishte afër me DPB, sepse njihja edhe drejtorin Thoma Meço. I shkoj në zyrë. Ai më priti si zakonisht, por pa kaluar asnjë çerek ore, doli nga zyra. Unë ndenja atje. Afërsisht pas një ore më vjen atje ish-shefja e kuadrit të Semanit, që ende punonte në administratë, por jo shefe e kuadrit. Këtë vend e kish zënë Laver Hasani, një ish-punonjës i DPB, por që gjatë kësaj kohe ishte rifutur në parti dhe kishte ecur goxha në pozitë. E kam përmendur diku më lart këtë personazh. Ajo më provokon…
Në ç’mënyrë u provokoi?
-Ish shefja e financës, e ngritur tashmë në detyrë, me instruktim të Sigurimit më provokoi duke u treguar e gatshme që të krijonte një marrëdhënie me mua. Në çast u ndodha i shtangur dhe kuptova që këtu po kurdisej një plan makabër. Kisha dijeni se ajo ishte thirrur në DPB, me rastin e hetimeve qe po bëheshin në Seman. Ndoshta edhe drejtori i teatrit, edhe ky një ish-punonjës i DPB, ka komunikuar dhe i ka vënë në dijeni se ku ndodhesha. Prandaj mendoja se ma dërguan këtë femër. Qëndrova shumë larg saj dhe nuk i dhashë fare muhabet. Më kujtoheshin në atë moment, që shumë kuadro i provokonin e pastaj i zinin në flagrancë duke i quajtur prishës të “moralit komunist” e fusnin në sa e sa kallëpe, duke mbajtur qëndrim deri në arrestim. Më vonë m’u krijua plotësisht bindja për këtë, sepse kur vajta në orën 2, nuk denjoi asnjë të më priste dhe as të thoshte pse më mbajtën deri atëherë. Dezhurni më tha se s’të pret njeri. Pra, ata donin të “mbaronin punë” atë ditë me mua dhe të më arrestonin në flagrancë. Me drejtorin e teatrit nuk u takova më.
Ku shkuat pas këtij provokimi?
-Dal para turizmit të Fierit, me mendimin se mos kalonte ndonjë makinë për në Tiranë dhe të kthehesha sa më shpejt. Rastësisht aty doli me makinën e tij drejtori i parkut të mallrave Vlash Gërveni. Unë kisha shoqëri me të. Por edhe e ëma e tij, Lika, punonte ngjitur me mapon ushqimore të Fierit, në një bar bufe. Bënte kafe të mrekullueshme. Sa herë vinim në Fier, me grup shokësh pinim me kënaqësi një kafe aty dhe e falënderonim për shërbimin dhe cilësinë e kafes, që na përgatiste ajo. Vlashi më thotë pse je kështu i mërzitur, hajde të pimë një kafe.
“-Lëre kafen”, i thashë, “por a ke mundësi të më çosh në Tiranë me makinën tënde, sepse duhet të vete në shtëpi sa më shpejt?” Ai pranoi me kënaqësi. Ishte shkurt dhe po errej. Makinën e drejtonte vetë. Gjatë rrugës bëmë muhabete nga më të zakonshmet. Pa hyrë në Kavajë, te ura duke ardhur nga Rrogozhina, më thotë se janë nja dy makina të Fierit që po na vijnë pas. Pa u futur në urë i bëjnë shenjë Vlashit dhe ai del nga makina e tij. Bisedon me ta…
Kush ishin personat që po u ndiqnin me dy automjete?
-Unë e kuptova dhe prita çfarë do më thoshte Vlashi… Kur ai futet në makinë më thotë se ishte një shoku i tij, Pjetër Ndreca, punonjës i DPB të Fierit. Asgjë tjetër! Që nga ai moment, deri sa më pruri në Tiranë, Vlashi nuk bëri më asnjë muhabet. Kuptohej që ata i kanë thënë, nuk e di se çfarë, por me siguri se brenda në makinë ke marrë një njeri të padëshiruar, etj. Dhe ndoshta është një koincidencë, por Vlashin, që atë ditë, nuk e kam takuar asnjëherë deri sot. Në njëfarë mënyre, ata hetuesit, mostra të Fierit, po krijonin rreth meje një opinion që të më dënonin, para se të dilja në gjykatë. Në atë kohë, opinioni kishte shumë besim te DPB. Konsiderohej se ajo kishte gjithnjë të drejtë. Nuk kishte asnjë zë publik që të më merrte në mbrojtje, sidomos me heqjen e rolit të avokatëve, i akuzuari ishte krejtësisht i izoluar dhe që nga të afërmit, fillonin edhe të tjerët të të shikonin shtrembër… Në thirrjen e parë në polici më thanë se nuk do të largoheshe nga Tiranë për asnjë lloj pune. Je nën akuzë dhe sa herë të të kërkojmë ne duhet të paraqitesh. Të nesërmen shkoj te ministria Themie Thomai.
Çfarë biseduat me ministren, eproren tuaj?
-I shpjegoj Themies se çfarë më kishte ndodhur. Ajo pasi më dëgjoi, më tha se “ka pak dijeni për këtë problem, por më kanë thënë se ti në hetuesi nuk u solle mirë.” Më tej shtoi: “Vazhdo punë se do e bisedoj me Shokun Adil Çarçani!”, i cili ishte në atë kohë zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave. Në atë muaj u bë një seminar në Novoselë të Vlorës. Stavri Orgocka, zëvendësministri i bujqësisë me kërkon të shkoj me të. I them se kam një urdhër të mos lëviz nga Tirana. “E di”, -më tha, “-por kam biseduar me ministren dhe nuk do të kesh pasoja.” Vajta në atë seminar.
Cili qe pozicioni juaj pas thirrjes së dytë në polici?
Në mars më bëjnë thirrjen e dytë në DPB të Fierit. Sa hyra më thanë se pse ke lëvizur, pasi ke vajtur në Vlorë. Ata më survejonin dhe hetonin çdo takim apo lëvizjen time. Kjo më revoltonte edhe më shumë se akuza. Ku do të shkoja unë? Do të arratisesha?! Deri sa isha në detyrë do të kryeja atë ashtu si e kërkonte rregullorja! Më vonë mora vesh se nga shtëpia në punë dhe anasjelltas më ndiqte një njeri i vënë nga dega e punëve të brendshme të Fierit. Në këtë hetim të dytë u kalua në çështje konkrete. Më akuzuan: Pse ke krijuar fond ndihme në kooperativë?
Si u mbrojtët nga kjo akuzë?
-Isha i tronditur. Kjo pyetje m’i ngriti nervat menjëherë. U them se po më habisnin. Ju e dini se unë jam në krye të Drejtorisë së Kooperativave në Ministri dhe ju do më hetoni për fondin e ndihmës! Ua shpjegova se si krijohet ky fond. “Ju po të doni ta verifikoni më sillni këtu proces verbalet e mbledhjeve të përgjithshme, të përfaqësisë dhe të kryesisë dhe t’ua shpjegoj unë se s’ka asnjë shkelje të statutit të kooperativës dhe s’ka dhe s’mund të ketë asnjë vjedhje”, u thashë. Bëhej fjalë për një fond ndihme prej 200 mijë lekësh të reja dhe nga këto ishin shpenzuar, kur isha unë 70 mijë, ndërsa 130 mijë kur unë isha larguar nga Semani për në Ministrinë e Bujqësisë… “Pa më prurë dokumente se ku kam përfituar unë nga ky fond ndihme dhe se kush ka marrë ndihmë dhe a është dhënë kjo nga unë apo nga një gjykim kolektiv, nuk pranoj asnjë fjalë tuajën”, -u deklarova.
E pashë që mbetën ngushtë, por vazhdonin me një retorikë se “ke shkelur ligjet e shtetit”. Citonin ca udhëzime, që kishte nxjerrë qeveria në formë rekomandimesh, ku kërkohej që kooperativat të hiqnin këtë fond ndihme. Kë të sqaroja, se mos ata ishin ekspertë për këtë që më kërkonin llogari?! Prandaj u thashë se asgjë nuk pranoj në këtë akuzë. Në çdo faqe shënoja kundërshtimin tim dhe firmosja.
Çfarë akuza të tjera ju komunikuan në këtë thirrje?
-Disa. Akuza më absurde ishte se pse Semani, kur unë isha kryetar, merrte më shumë misër dhe grurë dhe ku e kisha gjetur unë plehun kimik! A kishte gjë më të papranueshme se kjo, kur unë duhej t’u shpjegoja atyre për plehun kimik, që kishte marrë kooperativa para 4 e më shumë vjetësh!? Atëherë unë lavdërohesha, që kisha ngritur hangarë plehu dhe e tërhiqja atë nga Azotiku në një kohë, që ky nuk kishte mundësi depozitimi. Duhej të kthehesha pas në kohë dhe të sillja atë situatë që krijohej në periudha të veçanta, që të mbushja mendjen e këtyre hetuesve, se unë me atë veprim s’kisha futur gjë në xhep, por kisha ngritur nivelin e mirëqenies së kooperativistëve. Absurde por unë rashë pre e këtij absurdi. Tashmë, unë po bëhesha si i ‘shtëpisë’ në hetuesi. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimi i 73-vjeçarit Llaqi Janko për thirrjen e fundit në hetuesi më 24 qershor të vitit 1980 dhe komunikimi i akuzës për veprimtari armiqësore.
-Arrestimi i Jankos në zyrën e tij në Ministrinë e Bujqësisë më 7 qershor pas telefonatës-urdhër: Mos lëviz nga zyra, na prit aty se kemi një problem për sqarim!
-Shoqërimi i Jankos me pranga në Ministrinë e Brendshme ku i marrin teserën e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe dërgimi i tij në qelitë e burgut.
ka shum mundesi te ket qen jozefina cobo (topalli) agjentia e sigurimit qe te ngriti kurthin…
Refimi juaj eshte shume i sakte per arsye se ju te gjithe bashkepuntoret e sigurimit i jepni me emra real.Jam i bindur se te gjithe keta sote jane drejtues ne Fier dhe antar te PD.Me vjen shume keq per cfar ju ka ndollur.
Qen komunist ke qene edhe ti, te hengri lufta mbrenda llojt, fare e keqe.
Dhe gazeta Dita ska pune tjeter por boton keto persekutime midis komunistesh.
Je ca kontraditor ne deklarimet e tua.Thoni qe sdine asgje,ju ra si nrrufe ne qiell te hapur,e ndersa kur ju erdhi kurvicka per tu palluar thoni qe e kape qe ishte provokim poasi e dije qe ajo ishte me marre me hjetimin tend ne seman a ku di une.
Kush asht kjo grueja ne foto me autorin??
Eshte shoqja Lenka, qenkeni i ri ne moshe 🙂