75 mijë shqiptarë janë persona të padëshiruar në vendet e Bashkimit Europian. Numrin e konfirmon vetë drejtori i Kufirit dhe Emigracionit, Pëllumb Nako, në një tryezë për lëvizjen e lirë, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Nako sqaron se fakti që numri i shqiptarëve “non grata” është kaq i lartë, ka lidhje me veprimtarinë e tyre të paligjshme, duke përfshirë edhe shkeljet e rregullave të lëvizjes. “Në momentin që ka filluar liberalizimi i vizave në mënyrë informale, ka qenë rreth 75 mijë numri i personave të cilët kanë qenë të padëshirueshëm në hapësirën Shengen, pra, 75 mijë persona të cilët ishin kandidatë për emigracion ilegal, 75 mijë persona që nuk plotësonin më kushtet për të hyrë në zonën Shengen”, citon GSH drejtorin Nako.
Nako pranon se pavarësisht se janë zgjidhur një pjesë e problemeve që lidhen me liberalizimin e vizave, sërish ngelet problem emigracioni ilegal. Për të shpjeguar këtë, Nako mbështetet tek shtimi i rasteve të emigrimit ilegal drejt vendeve të rajonit, kryesisht drejt shtetit grek. Një tjetër problem mbetet ai i kalimit të kufirit me dokumentacion të falsifikuar. “Shtetasit shqiptarë përdorin dokumente false në hapësirën Shengen. Kriza ekonomike që ka kapur vendet tona fqinje, ka bërë që shumë nga këta shtetas t’i drejtohen tregut të zi, për të gjetur dokumente false dhe për të kaluar në drejtim të vendeve të tjera të hapësirës Shengen, qoftë dokumente, karta identiteti, apo edhe vula të vendeve fqinje, për të përfituar, për të jetuar apo për të punuar kryesisht në vendet e Europës veriore, duke tentuar ndoshta edhe më shumë Anglinë”, thekson Nako.