Letër e nënshkruar
Eglantina Bifsha Bajrami
E nderuar DITA. I nderuar z.kryeredaktor. Pse persekutohet Bregu me ligjin 7501?! Kur tre të katërtat e vendit kanë marrë secili pronat e tyre?! Ata t’i gëzojnë e t’i trashëgojnë, po pse ca të trajtohen si të nënës, e ca si të njerkës, e sidomos kur i kanë tokat e tyre të ligjshme e të trashëguara?!
Kujt i shërben kjo ndasi, kjo politikë e keqe, ky Ligj i mbrapshtë?! Për komunitetin e Bregdetit ky Ligj nuk duhet të zbatohet, pasi jo vetëm që po sjell shqetësime ndër banorët e midis fiseve, por është ofendues, diskriminues dhe konfliktual.
Mazhoranca në Parlament duhet të marrë parasysh shqetësimin dhe kërkesën tonë të ligjshme, që të mos zbatohet 7501-shi, por toka t’i jepet pronarit të vërtetë, të cilën e ka të trashëguar nga të parët, që e kanë blerë me flori dhe me djersë e sakrifica. Në emër të gjithë bashkëkrahinasve të mi, i bëj thirrje qeverisë së sotme, të korrigjojë këtë padrejtësi, të ketë prioritet dhënien e të drejtës së pronës çdo personi që e ka të trashëguar atë.
Ideale do të jetë ngritja e një komisioni të posaçëm, duke marrë pjesë kryepleqësia e secilit fshat, si dhe të moshuar që i dinë mirë sinoret dhe kufijtë, se vetëm kështu prona do të shkojë te pronari i ligjshëm dhe jo te i korruptuari, mashtruesi, dallaverexhiu, etj..
