NGA ARTUR MEÇOLLARI*
Në datën 15 gusht të këtij viti, mbushen 76-vjet nga krijimi i Marinës Luftarake Kombëtare, apo i Flotës Luftarake Detare, siç u quajt më pas.
Në të gjithë botën, data të tilla kanë peshën e tyre historike e të krenarisë. Shtetet seriozë dhe kombet e kulturuar, i përkujtojnë data të tilla dhe i festojnë me krenari, se janë festat e Armëve të kombit. Në ato vende për të cilat po flasim, nuk është vetëm komuniteti i ushtarakëve në pension që kanë pasë shërbyer në ato armë, ai që përkujton e feston. Përveç forcave të armatosura të atyre vendeve, janë edhe shumë segmente të tjerë të shtetit përkatës, por edhe shoqëria, ato që organizojnë aktivitetet. Ata evokojnë ngjarje historike përmes materialeve të shumta jo vetëm fotografike, nderojnë kujtimin e atyre që nuk janë më, e japin mesazhet e vazhdimësisë me krenari në rrugën që kanë hapur ata, të parët, nga brezat që vijnë. Por këto ditë të veçanta janë momente kujtimi dhe reflektimi për ato personalitete të fushës, kontributi i të cilëve ka lënë gjurmë në histori. I till është dhe Komandant Xhemal Shani.
PARTIZANI JETIM
Do të ishte i pa kuptimtë festimi i këtij përvjetori, e ne nuk do ishim në rregull me historinë e asaj Flote, nëse nuk do përkujtojmë e nuk do vlerësojmë, kontributorin më të parë e më të madh të saj. Komandantin e saj, të pavdekshmin Xhemal Shani, Kapiten i Rangut të Dytë.
Në historinë e Forcës Detare ka patur shumë detarë dhe ushtarakë të cilët me profesionalizmin, përkushtimin, atdhedashurinë dhe urtësinë e tyre, kanë patur ndikim të padiskutueshëm, në rritjen, zhvillimin dhe konsolidimin e saj.
Në gjykimin tim por jo vetëm, mbas Kundëradmiral Abdi Matit, i cili ishte dhe mbeti emblema dhe “Nuni” i FLD-së, ushtaraku me kontributet më të larta në 95 vjet të Forcës Detare, ishte dhe mbeti padyshim, Kapiteni i Rangut të Dytë Xhemal Shani. Kushdo që ka lexuar sadopak mbi historikun e Brigadës së Nëndetëseve, e di se Kapiteni i Rangut të Dytë Xhemal Shani, ka qenë komandanti i parë i saj, në tetë vitet e para të krijimit dhe konsolidimit të saj.
Xhemal Shani u lind më 10 janar 1927 në Sukth, Durrës. Në vitin 1928, vdes babai i tij Mahmuti, dhe mbetën jetimë, katër fëmijët e asaj shtëpie, tre vëllezërit dhe motra e tyre. Në moshën 7-vjeçare për arsye se rrezikohej mbijetesa e fëmijëve të saj, në kushtet e varfërisë ekstreme, nëna e tij Hunia, e dërgon Xhemalin në Strehën Vorfnore në Tiranë, ku qëndroi deri në vitin 1939 dhe përfundoi arsimin 7-vjeçar.
Në atë shkollë, Xhemal Shani spikati mes gjithë bashkëmoshatarëve të tij. Por nuk mund të vazhdonte më arsim në klasat më të larta, pasi ai tanimë konsiderohej “burrë”, apo më së paku, në moshën për të siguruar vetë mbijetesën e tij, e të familjes. Për 12 vjeçarët e sotëm, këto mund të konsiderohen si filma të fantashkencës, por ja që kanë qenë pjesë e realitetit, madje vetë realiteti.
Migjeni ynë i madh, ndër qindra vargjet e tij te Poema “Mjerimi” ka dy vargje shumë domethënës, ndoshta më domethënësit: -“Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet/sepse don ta msojë, t’i ikij grushtit, q’i kërcnohet”…
Me fillimin e lëvizjes Nacional-Çlirimtare, familja Shani mori pjesë aktive në luftë. Në janar 1944, Xhemali 17-vjeçar u rreshtua partizan në Çetën e Pezës, e më pas në Kompaninë e IV-ërt të Brigadës XXII-të Sulmuese.
Në rrugën e veprimeve luftarake të Brigadës së XXII-të Sulmuese partizani Xhemal Shani luftoi për çlirimin e Mirditës, Pukës, Tropojës dhe Shkodrës. E në vitin 1945, për çlirimin e Tuzit, pjesës jugore të Bosnjës në ish-Jugosllavi, deri në Vishegrad.
KOMANDANTI I PA SHOK DHE…
Me aromën e barutit në trupin e tij të bukur, komandanti Xhemal Shani i burrëruar tanimë, në moshën 18 vjeçare, pas afro dy vite luftimesh të pandërprera, në 15 gusht 1945, kthehet në Shqipëri, në rreshtat e Ushtrisë Kombëtare. Në shtator të atij viti, ai shkoi për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, fillimisht në Shkollën e Marinës në Baku 1945-1949 (sot-Azerbajxhan) e më pas në Akademinë Ushtarako-Detare të Leningradit 1949-1952 (sot-Shën Petërburg). Mbas kthimit nga studimet, bashkë me dy shokët e tij, Azis Hasa dhe Mark Plani, u emërua në Marinën Luftarake Kombëtare.
Në 15 dhjetor 1952, Kapiten i Dytë Xhemal Shani emërohet Zëvendëskomandant i Marinës Luftarake Kombëtare dhe me krijimin e Flotiljes Detare, ai emërohet komandant i saj. Në vitin 1954, ndërsa jetonte në Durrës, Xhemali martohet me Nexhatien, një martesë që solli në jetë katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.
Me krijimin e Brigadës së Nëndetëseve më 30 tetor 1957, Kapiten i Rangut të Dytë Xhemal Shani emërohet komandanti i parë i saj. Nën drejtimin e tij, efektivat e nëndetëseve u nisën për në ish-Bashkimin Sovjetik. Pas dhjetë muaj stërvitjeje atje, ata sollën katër nëndetëset shqiptare në Bazën e Pashalimanit më 1 qershor 1958, të cilat e ngritën flamurin shqiptar në bordin e tyre, më 16 shtator të atij viti.
Kapiteni i Rangut të Dytë Xhemal Shani gjatë periudhës 15-vjeçare në Marinën Luftarake Kombëtare dhe Flotën Luftarake Detare, pati një karrierë nga më të spikaturat në detyra shumë të rëndësishme. Ai shkëlqeu si zëvendëskomandant i Marinës Luftarake Kombëtare, komandant i Flotiljes Detare, zëvendëskomandant i Flotës Luftarake Detare, e dy herë, Komandant i Brigadës së Nëndetëseve.
Gjatë periudhës që Brigada e Nëndetëseve drejtohej nga Kapiteni i Rangut të Dytë Xhemal Shani, u bë një punë e jashtëzakonshme për trajnimin e personelit të nëndetëseve dhe përdorimin autonom të tyre. Komandant Xhemal Shani, në opinionin tim, është detari më Emblematik i Flotës Luftarake Detare, mbas Kundëradmiral Abdi Mati
MOSMIRËNJOHJA E NJOHUR SHQIPTARE…
“Në fund të vitit 1959, me insistimin e Komandës Sovjetike të Brigadës, Xhemal Shani u hoq nga detyra e Komandantit të Brigadës dhe u emërua në Zëvendëskomandant i Flotës Luftarake Detare. “Pala sovjetike te Xhemali shikonte oficerin e zotë komandues të nënujsave shqiptarë, por edhe të pabindurin ndaj kërkesave të shtabit sovjetik”… Kështu shkruan Petrit Myftiu, ish-komandant nëndetëseje, në librin e tij “Në Bazën Detare të Pashalimanit”, bot.vit 2005, Tiranë, faqe 43.
Kundërshtitë e komandantit Xhemal Shani me komandantin sovjetik të Bazës së Pashalimanit, Kapitenin e Rangut të Parë Jegorov, krijuan situata të vështira për të. Këshilltari sovjetik i Komandantit të FLD, Kapitenit të Rangut të Parë Kulik dhe këshilltari i Ministrit të Mbrojtjes Kundëradmirali Zagrebin, Xhemal Shanin e shpallën “anti-sovjetik” dhe “shqiptarët” e shkarkuan nga detyra.
Prishja e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik në mes të vitit 1961, solli rishikimin e vlerësimit si “anti-sovjetik” të Kapitenit të Rangut të Dytë Xhenal Shani. Ky rishikim bëri që më 28 gusht 1961, të rikthehet zëvendëskomandant i Brigadës së Nëndetëseve dhe më 5 dhjetor 1961 të emërohet përsëri komandant i saj, tashmë me Zëvendëskomandant Kapiten i Rangut të Tretë Dashamir Ohri.
Ai, si edhe më parë, e drejtoi këtë strukturë drejt konsolidimit të saj të plotë, përgatitjes së personelit dhe rritjes së kapaciteteve operacionale. Por, në shtator 1965 ai do të shkarkohej përsëri nga detyra, tashmë jo si “anti-sovjetik”, por përmes një kurthi. Në këtë periudhë Shefi i Sigurimit të Brigadës së Nëndetëseve ishte Hiena, një familjar i byrosë politike. Ai me lidhjet e tij në Shtabin e Përgjithshëm, organizuan një trillim të denjë për sërën e tyre, duke realizuar shkarkimin e Komandantit Xhemal Shani. Hiena, në mediokritetin e vet, nuk mund ta përballonte indiferencën dhe mospërfilljen e komandantit dinjitoz të Brigadës së Nëndetëseve. Ai kërkonte as më pak e as më shumë, që komandanti dinjitoz, t`i lëpihej atij siç shumë të tjerë vepronin, pa i brerë ndërgjegjja fare! E Xhemal Shani, nuk mundej t`ia bënte këtë “nder”, pasi ishte jashtë karakterit dhe personalitetit të tij.
Mbas shkarkimit, “partia lart” e emëroi në Forcat Ushtarako-Detare të Vlorës. Dhe dinjitozi dorëzoi kërkesën, për lirim nga ushtria. Më 15 shkurt 1966, në moshën 39-vjeçare, në kulmin e pjekurisë së tij, me aftësitë që do ia kishte zili çdo ushtarak në Shqipëri, Kapiten i Rangut të Dytë Xhemal Shani lirohet nga ushtria. Jashtë dëshirës së tij, por i bindur plotësisht, për mos u kthyer më.
Për rreth 15 vjet në Flotën Luftarake Detare ai spikati si pak të tjerë, por shkëlqeu si askush tjetër, në shumë detyra, por sidomos në detyrën e Komandantt të Brigadës së Nëndetëseve.
Xhemal Shani njihej si komandant i rreptë, por i drejtë. Ish-Komandanti i Nëndetëses së Tretë Petrit Myftiu, në kujtimet e tij, kërkon ndjesë për paragjykimet ndaj Komandant Xhemal Shani. …”Kur u bëra drejtues i niveleve të tilla, i dhashë të drejtë komandant Xhemalit. Kohët e vështira kërkojnë njerëz të fortë. Ndoshta për këtë arsye e gjithë Baza Detare e Pashalimanit në ato vite, e mbiquante atë, “gjermani”.
Mbas largimit të Komandant Shanit nga Brigada e Nëndetëseve, siç edhe pritej, atje ndodhën një seri incidentesh. Më i rëndi incident, ishte zjarri që ra në Nëndetësen e Dytë më 31 mars 1967, ku humbën jetën tre detarë dhe u plagosën katër të tjerë. Mbas mbas këtij incidenti, Kundëradmiral Abdi Mati, Komandant i FLD, i shkoi në shtëpinë e tij në Durrës, komandant Xhemalit Shanit dhe i kërkoi rikthimin e tij në FLD. Por tashmë ishte tepër vonë.
Mungesa e mirënjohjes dhe trajtimi jo dinjitoz për këtë komandant të përgjegjshëm dhe patriot, si dhe forma me të cilën e shkarkuan nga detyra, nuk i jepte atij asnjë motiv dhe arsye, të rikthehej në karrierë. Koha i kishte dhënë të drejtë tashmë Komandant Xhemal Shanit.
Përveç gjithë këtyre, komandant Xhemal Shani donte qetësinë e munguar. E ato mund t`i gjente vetëm pranë familjes dhe fëmijëve të tij, të cilëve, në emër të kryerjes së detyrës ndaj atdheut, iu kishte munguar tmerrësisht shumë, por iu kishte shkaktuar dhe shumë dhimbje. Por ja, që gjërat nuk ndodhin siç i planifikojmë në jetë.
Rreth vitit 1972 Xhemal Shani nisi punën si preventivis në Kantierin Detarë, por shumë shpejt u emërua Drejtor i Peshkimit në Durrës. Edhe në sektorin e peshkimit, ai e la gjurmën e vet, ashtu siç dine ai. Me ekperiencën brilante që kishte në drejtim, ai ndryshoi mënyrën e menaxhimit dhe e nxori nga balta ku e gjeti atë sektor. Plani, i cili deri në atë kohë zbatohej deri në 60%, mbas një viti nën drejtimin e Xhemal Shanit, u realizua mbi 100%. Suksesi i Xhemal Shanit të atë periudhë, u bë shembull i shkëmbimit të eksperiencës në nivel kombëtar.
Hiena që kishte hartuar dhe zbatuar kurthin ndaj komandantit të parë të Brigadës së Nëndetëseve, hiena që dikur merrte rrogën e “shefit të sigurimit” të Bazës në Pashaliman, falë mbiemrit që kishte në kupolën e sistemit, vazhdonte të ngjiste “me sukses”, shkallët e karrierës. Tashmë atë e kishin rregulluar me punë në Degën e Punëve të Brendshme, në Durrës. Që të…hapte varre të tjerë aty, përveç atyre që hapi në Vlorë…
Hiena nuk mundej ta duronte dot, personalitetin e shkëlqyer të komandantit, respektin që ai gëzonte, e as faktin që në Durrës erdhi e gjithë Shqipëria, po merrnin shembull dhe eksperiencë nga Xhemal Shani.
Dhe u realizua turpi i radhës, i shtetit shqiptar! Me argumente të pa qenë, e me shpifje të ndyra, në vjesht të vitit 1974, hiena e çoi në gjykatë, ku me orientim “nga lart”, edhe e dënuan një vit Komandantin proverbial. Ai u tërhoq më në fund, në emër të jetës së fëmijëve të tij. Sepse kishte edhe më keq, kur… vendoste “partia lart”. A nuk u ndëshkua kështu, me dënimin kapital, ikona e ushtarakut shqiptar, Gjenerallejtënant Petrit Dume?!?
Hiena u “lirua” nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1974, në moshën 48-vjeçare dhe do të pastronte vendin, falë ligjeve të Natyrës, si një “hero” në vitin 1976. Ishte një vdekje e denjë për të provuar intrigat që kishte ngritur, jo vetëm komandant Xhemal Shani, por edhe shumë të tjerëve.
Kurse komandant Xhemal Shani u largua nga jeta në Durrës më 29 janar 1993, në moshën 66-vjeçare. Duke i dhënë këtij vendi, aq sa nuk mundeshin t`i jepnin divizione të tërë. E duke marrë prej tij vetëm rrogën, e pak vite pension.
Por ndërsa Hienës iu harrua emri, dhe nuk do ti përmendet më kurrë, qysh nga e nesërmja e përcjelljes së tij, emri i Komandant Xhemal Shanit, është i gdhendur përjetësisht me germa ari atje lart, menjëherë pas emrit të Kundëradmiral Abdi Matit….
Për fat të keq, Komandant Xhemal Shani, një antifashist i orëve të para me armë në dorë, antisovjetik i thekur në emër të interesave të kombit, drejtues i aftë dhe patrot si pak kush, nuk u vlerësua e nuk u trajtua me dinjitet. Krenaria dhe profesionalizmi e këtij komandanti, ngjallte zilinë e njerëzve të përkëdhelur të sistemit.
PËR KOMANDANT XHEMAL SHANI
Komandant Xhemal Shani i takon atij brezi detarësh, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre, bënë epokë. Shteti Shqiptar ka detyrimin e nderit, të rivlerësojë figurën dhe kontributin e tij, si nga Ministria e Mbrojtjes edhe nga Komanda e Forcës Detare. Do të inkurajoja Shoqatën e Detarisë të marrin iniciativën për shpalljen e Komandant, Kapiten i Rangut të Dytë Xhemal Shani “Qytetar Nderi” të Durrësit.
Vërtet, me gjithë respektin për ata personalitete që ka pasur Durrësi, sa qytetarë të nivelit të Xhemal Shanit ka patur, të paktën në 100 vitet e fundit?!? Ai duhet nderuar. Ne duhet ta nderojmë atë. Ai nuk ka nevoj për ne. Por duhet nderojmë, se ne kemi nevojë për atë.
* Kapiten i Rangut të Parë (L). Ish-Zëvendëskomandant i Forcës Detare / Rojes Bregdetare (Komandant në detyrë)

Faleminderit nga familja Shani Komandant Macellari per mundimin, kontributin dhe vleresimin dhe venien ne evidence me vertetesi te figures se Komandantit , babait dhe xhaxhait tone te dashur dhe te paharruar Xhemal Shani
Nuk e kam degjuar kete emer, por e besoj qe duhet te kete qene i afte ,
Nderime per jeten e tij shembullore ne sherbim te Shqiperise !
by the way , “Ikona e ushtarakut shqiptar” eshte kusheri i afert i plakut tim.
Ai ishte me te vertete Ikone e Uhstrise Shqiptare, sic thone ish ushtaraket per te
Kush është Hiena, se na çatë trapin duke folur me kode edhe pas 45 vjetëve??
76 vite nga krijimi i Marinës Kombëtare Luftarake ME rraçet SOVJETIKE
Me da di une kunderadmiral i pare i flotes detare ka qene Teme Sejko,ish kuader partizan qe 18 vjec,ndoshta jam dhe gabim,te aftet e te zgjuarit i vrau kopili anese nga Gjirokastra.
Mendoj se autori dhe “ushtaraku” Artur Mecollari duhet te largohet nga terminollogji e sotme mediatike, si “anti-sovjetik”, ne lidhje me Xhemal Shanin, pasi kjo terminollogji do ta conte ushtarakun e atehershem (Xh.Sh) 10 deri 25 vjet ne burg! Fakti qe ai vetem eshte larguar nga Pashalimani, tregon qe eshte akuzuar si jo i shkueshem me komandantin sovjetik! Kaq, por jo si “anti-sovjetik”!
Nejse, gje e mire qe kujtohen njerezit e dikurshem, qe punuan per vendin!
Respekt dhe mirenjohje te pakufijshme per detarin legjendar,njeriun e shkelqyer Xhemal Shani!
Ku e ka gjetur ky Mucollari kete “Marinen kombetare”,kur ajo quhej “Flota Luftarake Detare”?
Autori i shkrimit qenka nje njeri i mbushur me mllefe antikombetare se hedh poshte nje FLD te tere per t’u marre me nje mjeri!
Le ta bente shkrimin vetem per Shanin e jo te fuste aty edhe FLD!
Po hienen e sigurimit pse nuk e permend me emer ky palaco,apo kerkon ta mbroje?
Pse nuk e ka bere kete shkrim per Shanin para 30 vjetesh,por u kujtua tani?
Hyyyy plehre antishqiptare,qe mbjell percarje!