8 arsye pse duhet të ushtroni “Joga”

Ornela
47630128 - sporty beautiful young blond woman sitting in baddha konasana (purna titli, bound angle, cobbler, butterfly pose), studio full length isolated shot on white background, three-quarters view

 

Pranvera Kola – DITA

Dihen tashmë efektet që sjell në shëndet të ushtruarit fizik. Përkundrejt ndërlikimeve të shumta shëndetësore që shfaqen pothuajse tek të gjitha grupmoshat, kjo për shkak edhe të stilit “modern” të jetesës, me mbingarkesë në ushqyerje dhe jetë sedentare, bluzat e bardha apelojnë për rikthimin e vëmendjes drejt aktivitetit fizik.

E në rastet kur aktiviteti fizik kombinohet edhe me një ushqyerje të shëndetshme, atëherë kemi siguruar edhe gurët e themelit për të mbajtur larg vetes një sërë sëmundjesh, veçanërisht ato të natyrës kronike, siç janë: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, problemet me veshkat, mbipesha dhe obeziteti, si dhe çrregullimet e shëndetit mendor.

Janë të shumta format në të cilat mund të ushtrohemi fizikisht. Një ndër to është edhe teknika e njohur si: “Joga”. Sikundër ndodh në shumë vende të botës, gjatë viteve të fundit edhe tek ne ka nisur të zhvillohet teknika e jogës, si formë meditimi dhe aktiviteti fizik që ndihmon në rritjen e elasticitetit të trupit, përmirësimin e frymëmarrjes, reduktimin e stresit, luftimin e problemeve kardiovaskulare dhe atyre të peshës.

Kjo teknikë e të ushtruarit është finalizuar edhe me shpalljen nga Kombet e Bashkuara rreth tre vite më parë, të datës 21 qershor, si: “Dita Ndërkombëtare e Jogas”. Kundrejt përfitimeve që sjell në shëndet, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik, kanë apeluar gjatë ditës së djeshme për më shumë praktikim të të ushtruarit të jogas.

Sipas tyre janë të shumta përfitimet fizike dhe mendore që mund të sjellë ushtrimi i jogas. “Joga është një praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që e ka origjinën nga India. Kjo fjalë rrjedh nga një gjuhë e lashtë, sanskrishtja, dhe kuptimi i saj është të lidhësh dhe të bashkosh, që simbolizon bashkimin e trupit dhe ndërgjegjes.

Sot kemi forma të ndryshme të praktikimit të Jogas në gjithë botën, dhe popullariteti i kësaj praktike është në rritje. Dita Ndërkombëtare e Jogas ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e popullsisë në lidhje me përfitimet e praktikimit të Jogas”, vënë në dukje ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik në vendin tonë.

Po sipas këtyre burimeve, qëllimi i jogas është të krijojë forcë, vetëdije dhe harmoni, si në mendje, ashtu dhe në trup, teksa shtojnë se ka më shumë se 100 lloje, ose “shkolla” të ndryshme të jogas, ku shumica e sesioneve tipike përfshijnë ushtrimet për frymëmarrjen, meditimin, ushtrime të caktuara fizike (pozicione të trupit që ndryshe quhen sana) të cilat tërheqin dhe tkurrin grupe të caktuara të muskujve të trupit.

Përfitimet fizike në shëndet

Duke u ndalur tek përfitimet konkrete në shëndetin fizik, autoritetet e ISHP-së, theksojnë se teknikat e relaksimit, të cilat janë pjesë e praktikimit të Jogas, mund të lehtësojnë dhimbjet kronike, si dhimbjen e shpinës, artritin, dhimbjet e kokës, si dhe sindromën “Tuneli Carpal”.

Gjithashtu, joga mund të ulë presionin e lartë të gjakut dhe të përmirësojë problemet e gjumit. Janë edhe një sërë përfitimesh të tjera fizike dhe mendore që i atribuohen kësaj teknike, e cila së fundmi ka hyrë edhe në vendin tonë. Specialistët e ISHP-së theksojnë se ndër përfitimet fizike që mund të sjellë praktikimi i jogës bëjnë pjesë, sigurimi i një elasticiteti më të mirë, tonifikimi i muskujve dhe rritja e masës muskulore, përmirësimi i frymëmarrjes, energjive dhe vitalitetit.

Gjithashtu të praktikuarit e jogas ndihmon edhe në ruajtjen e   balancës metabolike, mbajtjen e peshës së duhur trupore, si dhe rënien në rastet e mbipeshës. Mjaft të njohura janë edhe efektet që sjell në përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular, përmirësim të performancës fizike/atletike, si dhe mbrojtjen nga dëmtimet fizike.

Ndihma në mbrojtjen e shëndetit mendor

Krahas përfitimeve fizike të përmendura më lart, të ushtruarit e jogas ndihmon në mbrojtjen e shëndetit mendor. Kështu, një nga përfitimet më të mira të jogas është se ndihmon personin që të menaxhojë stresin, i cili ka pasoja të dëmshme për trupin dhe mendjen.

Stresi mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë dhimbje të shpinës ose të qafës, probleme të gjumit, dhimbje koke, abuzime me drogën dhe një paaftësi për t’u përqendruar. Joga mund të jetë shumë efektive në zhvillimin e aftësive përballuese dhe në arritjen e realizimit të një këndvështrimi më pozitiv të jetës. Përfshirja në Joga e meditimit dhe ushtrimeve të frymëmarrjeve mund të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies mendore të individit.

Praktikimi në mënyrë të rregullt i Joga-s krijon qartësi mendore dhe qetësi; rrit vetëdijen ndaj trupit; lehtëson dhimbjet kronike; qetëson mendjen, rrit përqendrimin; ndihmon në identifikimin e hershëm të problemeve fizike dhe mundëson parandalimin nëpërmjet veprimeve paraprake. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara 8 arsyet më të shpeshta pse duhet të praktikoni jogan.

  • Redukton stresin dhe përmirëson humorin

Disa metoda të jogas përdorin teknika medituese specifike, të cilat fokusojnë mendjen në frymëmarrjen tuaj për të qetësuar “bisedën mendore” që është konstante, lehtësojnë stresin dhe ju relaksojnë. Praktikimi i këtyre teknikave të frymëmarrjes në seanca të zgjatura mund të rrisin nivelin e oksigjenit në tru, duke ju dhënë ndjesinë e të qenit të lumtur dhe më të kënaqur me jetën tuaj.

  • Përmirëson vetëbesimin

Përveç rritjes dhe konsolidimit të vlerave shpirtërore, meditimi përmirëson vetëbesimin. Ky proces ç’tensionon mendjen tuaj duke ju dhënë më shumë vetëbesim për trupin tuaj. Në mungesë të ankthit, ju mund të vendosni një marrëdhënie të brendshme me veten. Kjo, më pas reflektohet në perceptimin që keni për të tjerët, dhe përmirëson marrëdhëniet me ta duke rritur dhembshurinë dhe vetëdijen.

  • Minimizon mundësitë për dëmtime

Ushtrime si vrapi janë një seri lëvizjesh të forcuara dhe të shpejta, që do të thotë se organizmi sforcohet në maksimum, dhe ekziston një rrezik i lartë për dëmtim dhe tension të lartë muskulor. Shpesh, aktivitetet e sforcuara shpien në disbalanca të grupeve të muskujve të kundërta me njëra tjetrën, ndërsa joga përqendrohet në balancimin e tyre.

  • Ndihmon rënien në peshë

Të qenit mbipeshë është një shenjë që tregon se ka mungesë balance në përditshmërinë tuaj, dhe një nga ndikuesit kryesor të saj është stresi i tepërt. Praktikimi i jogas ju mundëson që të fitoni një ndjeshmëri më të thellë, të relaksoni trupin dhe mendjen tuaj, ndihmon në largimin e stresit dhe mundëson rënien në peshë në mënyrë natyrale.

  • Rrit elasticitetin

Shpesh njerëzit thonë se nuk janë mjaftueshëm elastikë për të bërë joga. Në fakt, nuk është e rëndësishme se sa të tonifikuar janë muskujt tuaj, pasi kryerja e pozave (asana) të jogas mundëson tërheqjen e muskujve në mënyrë të sigurt dhe ndihmon praktikimin e tyre në vazhdimësi.

Gjithashtu, joga bën të mundur tërheqjen e muskujve të imët të trupit, si ligamentet, duke rritur gamën e gjerë të lëvizjeve të ligamenteve dhe lëvizje më të lirshme të muskujve të trupit.

  • Përmirëson tonifikimin dhe fuqizimin e muskujve

Një pjesë e mirë e pozave të jogas, siç mund të jenë pozicionet “ Downward dog” dhe “upperward dog”, kanë efekt në forcimin e pjesës së sipërme të trupit, ndërsa pozicioni “plank” përqendron muskujt kryesorë të trupit.

Pozat e qëndrimit në këmbë forcojnë muskujt e sipërm të këmbëve dhe të fundshpinës. Në përgjithësi, çdo pozë forcon një zonë të trupit nëse praktikimi i saj bëhet ashtu siç duhet, pa sforcuar grupe muskujsh specifikë.

  • Përmirëson frymëmarrjen dhe presionin e gjakut

Nëse praktikoni joga në mënyrë të vazhdueshme, kapacitetet e mushkërive tuaja do të rriten si rezultat i procesit të frymëmarrjes së thellë. Kjo do të ketë një efekt pozitiv në praktikimin e sporteve të tjera, duke rritur staminën dhe rezistencën e trupit tuaj.

Po ashtu, meditimi dhe praktikimi i një forme më të qetë të jogas ngadalëson rrahjet e zemrës, e cila ul presionin e gjakut duke përmirësuar sistemin imunitar dhe uljen e kolesterolit në gjak.

  • Përmirëson qëndrimin drejt të trupit

Duke praktikuar joga, ju mbani një peshë trupore optimale, bëheni më elastikë dhe përmirësoni muskujt duke i tonifikuar dhe fuqizuar. Me kalimin e kohës, do të vini re që pozicioni i trupit tuaj drejt do të përmirësohet.

Muskujt e barkut dhe të shpinës mund ta mbajnë plotësisht peshën tuaj trupore, dhe ju do të jeni në gjendje të qëndroni drejt, ulur, ose në këmbë, duke parandaluar kërrusjen, dhimbjet në shpinë, ose pjesë të tjera të trupit.

Përfitimet që mund të arrini nëpërmjet të bërit joga 

  • Lufton stresin, rrit përqendrimin, si dhe siguron një humor më të mirë.
  • Lehtëson dhimbjet kronike, si: dhimbja e shpinës, artriti, dhimbjet e kokës, si dhe sindromën “Tuneli Carpal”.
  • Joga mund të ulë presionin e lartë të gjakut dhe të përmirësojë problemet e gjumit.
  • Ndihmon në sigurimin e një elasticiteti më të mirë.
  • Bën të mundur tonifikimin e muskujve dhe rritje të masës muskulore
  • Përmirëson frymëmarrjen, energjinë dhe vitalitetin.
  • Siguron ruajtjen e balancës metabolike.
  • Ndihmon për rënien në peshë.
  • Përmirëson qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular.
  • Përmirëson performancën fizike/atletike.
  • Mbron nga dëmtimet fizike.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *