Kryeministri Berisha ka inauguruar sot pasdite bustin e ish-studentit të dhjetorit Azem Hajdari, në Qytetin Studenti. Në ceremoninë e zhvilluar aty ku 22 vjet më parë i pati fillesat lëvizja studentore e dhjetorit merrnin pjesë figura të njohura të PD-së, bashkëshortja dhe fëmijët e të ndjerit Hajdari.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Azem Hajdari do të mbahet mend si udhëheqësi i lëvizjes më masive që Shqipëria ka njohur ndonjëherë. “Ai kishte dhuntitë e një lideri të jashtëzakonshëm. Pas themelimit të PD-së, ai do të vërsulej në çdo fshat e qytet për të zhdukur frikën e tmerrshme që diktatura kishte ngulitur kudo. Ai që më mungon më shumë mua dhe të gjithëve ju është Azem Hajdari. Azemi sot ka një shtatore, ai jeton i gjallë dhe do jetojë përjetë. Nder përjetë veprës së pavdekshme të liderit dhe udhëheqësit të lëvizjes më masive që Shqipëria ka njohur ndonjëherë”, tha Berisha.