22 vjet pas rënies së komunizmit, Berisha ka arritur të krijojë një kulturë komuniste të re dhe në raportet njerëzore mes shqiptarëve. Sot një protagonist i Lëvizjes së Dhjetorit, që nuk është pjesë e pushtetit apo që nuk është dakord me Berishën, urrehet nga ajo parti më shumë se një anëtar i Partisë së Punës së asaj kohe që tani mund të jetë me PS, PD apo diku tjetër. Kultura e ndarjes klasore që Berisha ka kultivuar dhe tashmë po funksionon vetë në këtë vend, është bilanci më tragjik i 8 Dhjetorit 1990 në vitin 2012.
22 vjet më pas shqiptarët ndjehen të ndarë në njerëz të lirë dhe njerëz të frustruar. Në ndryshim nga komunizmi, njerëzit e lirë 22 vjet pas 8 Dhjetorit janë njerëzit që nuk janë në pushtet, dhe të frustruar ata që janë në karriget e pushtetit.
Mënyra si u “festua” 8 dhjetori është tregues i qartë i cilësisë së lirisë që kemi prodhuar për këto 22 vite. Duke riprodhuar tiparet e shtetit klasor, në raport me biznesin, në raport me intelektualët, në raport me median dhe sidomos në raport me qëndrimin që shoqëria mban ndaj pushtetit të tij, Sali Berisha i ka bërë një atentat të rëndë 8 Dhjetorit të vitit 1990. Ai e ka varrosur atë në rrënojat e frikës së njerëzve të pushtetit për të komunikuar me miqtë e tyre, me bashkëkohësit e tyre, me njerëzit e lirë me të cilët nuk i ndan asgjë, përveç një emri: Sali Berishës.
*****
Për Sali Berishën viti 2012 ka një domethënie të veçantë. Sivjet ai mbush vitin e 22-të si “antikomunist” duke barazuar kështu 22 vitet e jetës së tij si komunist. Shqipëria ka pasur disa faza entuziaste të anëtarësimit në Partinë e Punës. Natyrisht më idealistët ishin ata që iu bashkuan kësaj partie në vitin 1945, kur shpresonin se sistemi i ri ishte një shpresë për shqiptarët. Pati nga ata që iu bashkuan kësaj partie pas vdekjes së Stalinit me shpresë se po ndryshonte. Pati të tjerë që iu bashkuan pas prishjes me rusët. Vala më dogmatike e shqiptarëve, që iu bashkua Partisë së Punës së Shqipërisë mbeten politikanët që iu bashkuan asaj në frymën e revolucionit kulturor kinez dhe në emër të kundërshtimit dhe të Lindjes, dhe të Perëndimit. Sali Berisha ishte një prej këtyre të rinjve. Iu bashkua komunizmit në periudhën e tij më regresive. Marrja e teserës së Partisë së Punës së Shqipërisë e çliroi atë nga “bisturia” si mjet i vetëm për karrierën që kish zgjedhur deri atëhere. Ata që e mbajnë mend në organizatën e Partisë së Punës, vizatojnë disa tipare agresive të tij, të cilat shpesh kanë vënë në siklet kolegë të tij, të cilët teserën e partisë e kishin një mundësi për të qenë të qetë si mjek. Ky ishte njeriu që bënte raporte për Komitetin Qendror, kur organizata e partisë ulte vigjilencën, ishte njeriu që kishte zellin e tepruar për të rekomanduar internime në emër të organizatës së PPSH, siç ishte rasti i të ndjerës mjeke që ka punuar pranë Mehmet Shehut, e cila ka pak muaj që është ndarë nga jeta. Impulsiv, karrierist dhe i dhënë pas metodologjisë së luftë së klasave, ai avancoi me shpejtësi të habitshme nga një anëtar i thjeshtë partie në krye të organizatës së partisë në një vend ku anëtarë të asaj organizate ishin njerëz të rëndësishëm si mjekë të Enver Hoxhës apo këshilltarë në distancë të tij. Servilizmi ndaj tyre ishte pjesë e karrierës së tij mjekësore, duke u afruar me pjesën e mjekëve që shërbenin në bllok. Për shkak të vjehrrës së tij, e cila vinte nga Serbia, ai ishte i dyshuar si lidhje serbe dhe nuk arriti dot, siç dëshmojnë dhe vetë zyrtarët e asaj kohe, të afrohej si mjek i Enver Hoxhës, por ia doli të ishte mjek roje dhe në shërbim të Hysni Kapos, kur ky i fundit u sëmur mes të tjerash dhe nga shqetësime të zemrës. Ai shkonte mbrëmjeve në shtëpinë e tij, dhe njeriu i hekurt i komunizmit, i cili në të vërtetë drejtoi politikën e kuadrit dhe luftën e klasave në 35 vjet, Hysni Kapo ishte i dobët dhe dorëzuar para mjekut që i shërbente. Të afërmit e tij tregojnë momente dobësie të vetë Kapos për Berishën dhe një bejte të gjatë për të në shenjë respekti për shërbimet sanitare të natës. Berisha shkoi në specializim në Francë, pikërisht kur Hysni Kapo shkonte aty për tu kuruar, dhe forcoi ndjeshëm lidhjet me autoritetet shëndetësore të asaj kohe, veçanërisht me ministrin Ziçishti. Pushkatimi i tij i menjëhershëm dhe kontaktet e tij të fundit me Sali Berishën ngelen për tu hetuar. Udhëtimet e tij në fundjavë në Pogradec me djalin e Enver Hoxhës, tashmë janë të njohura. Pasi nuk kishte mundur dot t’i afrohej familjes Hoxha me përkushtimin e tij politik dhe profesional, për shkak të asaj njollës serbe që i vinte nga e vjehrra, ai gjeti mënyrën për tu afruar me fëmijët. Dhe “kapja e fëmijëve” si standard për karrierë politike dhe përfitime nga pushteti, duket se është një tipar i trashëguar dhe sot në familjen Berisha. Të gjithë ata që duan të bëjnë para apo karrierë në PD kapin sot fëmijët e tij, njësoj si Berisha kapte dikur fëmijët e Hoxhës.