Me rastin e ditës ndërkombëtare të Gruas, Avokati i Popullit ka lëshuar një deklaratë për mediat ku ka theksuar se mbetet shumë për të bërë për të drejtat e grave në vendin tonë. Sipas Igri Totozanit, ka shumë fenomene negative që nuk kanë marrë zgjidhje nga autoritetet shqiptare.
“8 marsi është një dite që mbart së pari respektin dhe dashurinë tonë të pafund, për ato që na dhane jetë nga jeta e tyre, për ato me të dhembshurat, më të mirat dhe më të shtrenjtat: Nënat tona.
Por kjo Ditë Ndërkombëtare e Gruas, risjell njëherazi në vëmendjen tonë problemet sociale dhe ekonomike, me të cilat përballet sot gruaja shqiptare. Duke i’u bashkuar shqetësimit të bashkëqytetarëve tanë për shtimin e rasteve të dhunës, Avokati i Popullit ka hartuar një raport të veçantë me temë “Dhuna ndaj grave”, dorëzuar në parlament në 24.07.2012, por ende i pa shqyrtuar.
Bashkë me urimin për 8 marsin gjykojmë se është dita për të ndarë vëmendje mbi disa nga problemet e rënda me të cilat përballen sot gratë në Shqipëri:
– Dhuna në familje po bëhet, fatkeqësisht, një fenomen i përhapur në shoqërinë shqiptare. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë inisiativat e duhura kundër këtij fenomeni, në mënyrë që të respektojë dhe plotësojë të drejtat themelore të grave dhe fëmijëve si pjesë e të drejtave të njeriut. Pavarësisht nga inisiativat dhe aktivitetet e organizatave të ndryshme, veprimet e ndërmarra nga shteti kanë mundësinë të unifikojnë dhe të konsolidojnë këto përpjekje, t’i nxisin dhe promovojnë ato. Integrimi gjinor duhet të jetë pjesë e gjithë politikave sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm nëpërmjet shfrytëzimit të potencialit të plotë njerëzor të vendit
– Procesi i dëmshpërblimit të gruas që ka pësuar torturë dhe dhunë seksuale, ose forma të tjera të keqtrajtimit, në praktikë është i vakët. Konstatojmë se padia civile në procesin penal përdoret shumë rrallë.
– Organet që merren me dhënien e drejtësisë duhet të shohin me prioritet rastet kur pjesë e keqtrajtimit dhe e dhunës së ushtruar janë gratë dhe vajzat. Ato shpesh detyrohen të heqin dorë nga akuza për një arsye apo tjetër dhe shumë krime të ndodhura ndaj grave janë akoma pa autor.
– Ka ende shumë punë për të bërë lidhur me ngritjen dhe forcimin e mekanizmave për barazinë gjinore në nivel qendror dhe vendor, – veçanërisht sa i përket shpejtimit të procesit për emërimin e nëpunësve gjinorë në strukturat e Ministrive dhe të nëpunësve vendorë për çështjet gjinore në bashkitë e vendit.
– Apelojmë zbatimin e masave të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe asaj në Familje 2011-2015, të cilat kërkojnë krijimin e procedurave dhe mundësive për nënkontraktimin e OJF-ve, për të ofruar shërbimet përkatëse për viktimat e kësaj dhune.
– Avokati i Popullit kërkon respektimin e përfaqësimit të gjinisë femërore në listat e çdo partie politike.
Avokati i Popullit i kërkon Parlamentit dhe Komisioneve Parlamentare të diskutojnë raportin e Avokatit të Popullit mbi dhunën ndaj grave të dorëzuar në parlament më datë 24.07.2012”, thuhet në deklaratën e AP.