Të ardhurat e humbura në Buxhetin e Shtetit për këtë vit nga ndërhyrjet e paplanifikuara të qeverisë në ikje në sistemin fiskal të vendit, janë më shumë se 11 miliardë leke të reja, ose 80 milionë euro. Kjo masakër ka ndodhur me ndërgjegje e dijeni të plotë të atyre që e përgatitën dhe e kryen, në funksion vetëm të sigurimit të votave shtesë për zgjedhjet e 23 qershorit. Të ardhurat e humbura, të munguara kësisoj të Buxhetit të Shtetit janë në të njëjtën shifër sa garancia për shitjen e Albpetrolit, që humbi shteti shqiptar nga mospërgjegjësia e tejskajshme e qeverisë së tij të derisotme për të arkëtuar këto para, duke mos vënë përpara përgjegjësisë si fituesin e procesit, ashtu edhe kompaninë e huaj vlerësuese, që e kishte cilësuar të rregullt ofertën mashtruese të fituesit dhe garancinë e gënjeshtërt të tij.
Kështu, në ditën e tij më të vështirë financiare për këtë periudhë krize botërore, Buxheti ynë i Shtetit është privuar nga 160 milionë euro (ose mbi 7 përqind të të ardhurave vjetore), të cilat do të kishin ndihmuar gjendjen gati katastrofike të financave publike. Marrëzia dhe po aq masakra fiskale për të fituar vota ka të bëjë me katër momente gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Qeveria në ikje në prill 2013 ndryshoi ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke propozuar që të ardhurat nga paga dhe bonuset nga 0-30,000 lekë të reja të mos jenë të taksueshme dhe pagat mbi këtë nivel të taksohen 10 për qind të pagës bruto.
Ndryshimi hyri në fuqi më 1 maj 2013 dhe ndikimi negativ tek të ardhurat, për periudhën qershor-dhjetor 2013 do të jetë 1.5 miliardë lekë, ose mbi 12 milionë euro. Qeveria në ikje ndërhyri po aq me papërgjegjshmëri në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Përjashtoi pagesën e TVSH-së për importet e makinerive dhe pajisjeve që përdoren për investime të mëdha (për investime që fillojnë nga 50 milionë lekë të reja e më lart); përjashtimin nga TVSH për makineritë dhe pajisjet e importuara në industrinë përpunuese, agrobiznes dhe bizneset që janë subjekt i taksës së biznesit të vogël, gjithashtu dhe përjashtimet për pagesën për TVSH-në e hekurit dhe çimentos së importit ose vendas që përdoret si lëndë e parë në ndërtimin e hidrocentraleve. Ligji ka hyrë në fuqi në janar 2013 dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për zbatimin e tij në mars 2013.
Gropa në të ardhurat buxhetore nga ky ndryshim ligjor për gjithë këtë vit është vlerësuar në 4 miliardë lekë, ose 29 milionë euro. Në një përpjekje realisht të dëshpëruar për të akaparuar vota, qeveria ndryshoi edhe ligjin “Për taksat kombëtare”. Ndryshimet e fundit të bëra në ligjin e taksave kombëtare lidhen me përgjysmimin e taksës vjetore për makinat e përdorura. Ligji ka hyrë në fuqi në maj 2013. Efekti negativ i vlerësuar është 2.7 miliardë lekë për periudhën e mbetur të 2013-s nga 6 miliardë lekë që ishte parashikuar për gjithë 2013-ën. Askush në të ardhmen nuk do të akuzohet për këtë krim të kryer ndaj shëndetit të financave publike të vendit. Por qytetarët është e mira të dinë se ç’qeveri i drejtoi në vitet e mëparshme. Të dinë që të mos harrojnë. Masakra fiskale, ndërhyrja pa kriter dhe me dhjetëra herë në ligjet fiskale të vendit, vetëm e vetëm për arsye politike, duke i mbuluar, gjoja, me arsyetime për ndihmë ndaj biznesit apo qytetarëve , jo vetëm trembi investuesit e huaj nga kjo paqëndrueshmëri e thekshme e Shtetit. Ajo, në radhë të parë, i mohoi arkës së Shtetit, dhe nëpërmjet asaj të gjithë ne shqiptarëve, shërbime jetësore që në mungesë të fondeve të shkurtuara pa mëshirë, do të kryhen më pak ose duke ulur ndjeshëm cilësinë e tyre. Kjo është një gjëmë ekonomike, për të cilën nuk ka shumë mundësi që qytetarët ta denoncojnë apo të protestojnë në rrugë kundër saj, që ajo të mos përsëritet kurrë më në raste zgjedhjesh. E rëndësishme megjithatë është që këtë masakër qytetarët ta dinë të plotë, ashtu sikurse ajo u gatua nga qeveria në ikje, me turpin e shkeljeve shumë të rënda të disiplinës financiare të një shteti.
Pagat dhe pensionet e reja, nga 1 shtatori. Efekti financiar 2.5 miliardë
Gjithë periudha pas zgjedhore u shoqërua me debatin për rritje ose mosrritje rrogash. Pritet që të gjithë buxhetorët dhe pensionistët, pas datës 1 shtator, t’i marrin pagesat (apo të ardhurat) e tyre me rritje. Vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve, i ndërmarrë në mesin e muajit korrik, sipas ligjit duhet të bëhet efektiv që nga dita e hënë, 1 shtator. Për sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, që përfshin dhe numrin më të madh të përfituesve kjo rritje është 3-4 për qind.
Sipas vendimit, pensionet e qytetit rriten mesatarisht me 4 për qind dhe me 5 për qind pensionet e fshatit. Rritja e pagave dhe pensioneve për këtë vit do të ketë një efekt financiar prej 2.5 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit.

Keto jane vetem supozime nga ca levizje ligjore.Po duhet shtuar si pjese kryesore e masakres ajo qe shkaktoi administrata.Dogana e Tiranes dhe tatimet ke vipat, jane masakruesit e vertete shoqja gazetare.