Ekskluzive /81-vjeçari Skënder Dusha, ish-specialist i njohur i Aviacionit Luftarak, rrëfen vitet e luftës Nacional-Çlirimtare, djegien e qytetit të tij të lindjes nga pushtuesi dhe ëndrrën e fëmijërisë për avionët, që do të bëhej realitet në vitet e lirisë.
Skënder Dusha: Isha 10-11 vjeç atëherë. Forcat italiane i vunë flakën Ballshit. Qaja nga inati kur farmacia e babait u dogj, por ç’të bëja. Avionët bombardonin nga ajri. Thashë me vete “të isha unë pilot e të ikja në lartësi e të mos hidhja bomba të vriteshin njerëz, të shkrumboheshin shtëpitë!”
Quhet Skënder Dusha dhe është 81 vjeç. Është një nga katër specialistët e parë shqiptarë të teknikës së Aviacionit luftarak të Shqipërisë që u kualifikuan në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në shkurt të vitit 1955 sollën avionët e parë MIG(të paketuar) në portin detar të Durrësit. Një histori 36 vjeçare e jetës së tij në aviacion, vjen për lexuesin e ‘Dita’ nëpërmjet intervistës e dokumenteve që ai ofron. Ai e nis rrëfimin që nga fëmijëria në vitet e luftës kur lind dëshira për avionët, peripecitë e familjes së tij, deri tek historitë dhe tragjeditë ajrore…
Zoti Skënder! Ju jeni një ndër teknikët e parë të aviacionit shqiptar që u kualifikuat në Rusi për aeroplanët MIG dhe keni punuar afro katër dekada në këtë armë të ushtrisë, duke njohur mirë historinë e Aviacionit Luftarak…
-Po. I thonë jo pak por 36 vite punë në aviacion, një jetë e tërë. Sot i kam kaluar 80 vitet e jetës e jam në pension, por aviacioni është jeta ime dhe më duket se ende jam në marrëdhënie pune, me kolegët, me aeroplanët, me lartësitë… Është një jetë e vështirë në aviacion, por shumë e bukur, e këtë e dimë dhe e përjetojnë ashtu si unë tani, ata që kanë shërbyer në këtë armë… Por aviacioni, i kthyer nga ëndërr në realitet, e ka zanafillën që në fëmijërinë time të hershme, kur isha në moshën 10-11 vjeç në qytetin tim të lindjes, në Ballsh…
Diçka më konkrete për këtë?
-Ishte koha kur qyteti u dogj krejtësisht nga forcat pushtuese italiane, e qielli lart nxinte nga avionët që fluturonin mbi të. Ishte hera e parë që unë shikoja avionë që fluturonin në qiell e që bombardonin e mbillnin zjarr poshtë. Në ato momente, më hipi një dëshirë të isha unë pilot, por jo të bombardoja e të digja banesa e të vrisja njerëz, por të ecja lartësive të pamata… Ëndërr fëmijërie, por ajo kohë shënoi dhe ndarjen tonë të dhimbshme si familje nga qyteti dhe largimin në jug të vendit, pasi im atë, si intelektual e farmacist që ndihmonte partizanët, lëvizte, u jepte ilaçe, përndiqej e do të vritej nga pushtuesit… E mbaj mend si sot atë dramë, djegien e qytetit, boshatisjen nga njerëzit dhe largimin me kokë prapa… Fëmija mban mend shumë, e ato momente i kam të gjalla në memorien time dhe sot…
Mund të na thoni detaje nga jeta e familjes suaj në atë qytet, shkrumbimi nga flakët dhe largimin e dhimbshëm?
-Po. Ne me origjinë jemi nga Fterra e Delvinës, një familje e njohur intelektuale e patriotike në zonë e më gjerë. Babai im, pasi studioi për farmacist, disa kohë punoi si asistent tek një pronar farmacist. Kjo, deri në vitin 1932. Në këtë vit, babai mori liçencën e farmacistit dhe hapi farmacinë e tij në Ballsh. Ishte e vetmja farmaci në qytet e në gjithë krahinën. Babai ishte njeri i ditur, zemërmirë, i ndihmonte njerëzit e kishte shumë miq e shokë. E donin dhe i donte.
Një vit më pas, pikërisht në vitin 1933, në qytetin e Ballshit linda unë…
Pse dhe në çfarë rrethanash ndodhi djegia e qytetit?
-Siç e thashë më lart, këtë e mbaj mend shumë mirë, kam qenë 10-11 vjeç atëherë. Kjo ka ndodhur në muajin mars të vitit 1943. Djegia e plotë e Ballshit lidhet me një nga betejat e njohura të Greshicës, ku forcat e ushtrisë italiane, pas një beteje të ashpër me partizanët, regjistruan humbje dhe pas riorganizimit, nisën marshimin drejt zonave të tjera në thellësi të vendit… Por në hyrje të qytetit, autokolona italiane ra në pritë të partizanëve. Kujtoj si tani që në kanalet anash rrugëve, në rrugë e sheshe kishte motorë të djegur, kafshë të ngordhura. Por më pas, vazhdoi hakmarrja, qytetit iu vu flaka…
Çfarë dëmesh u shënuan nga kjo hakmarrje e ushtrisë italiane?
-Thashë, qyteti u dogj pothuaj krejtësisht. U dogjën shtëpi, ato kafene që ishin, pasuria e njerëzve, gjithçka… Por njerëzit, duke parë sulmin hakmarrës të pushtuesve, e braktisën qytetin dhe ikën në fshatrat e largëta në periferi që të shpëtonin kokën… Ne si familje, na u dogj jo vetëm shtëpia, por dhe farmacia me çfarë kishte brenda… Pra, humbëm gjithçka e mbetëm në rrugë. Dhe ikëm familjarisht…
Ku u vendosët pas largimit nga Ballshi?
-Vajtëm familjarisht në Vlorë e babai u përpoq që të rinisë jetën nga e para. U vendosëm në lagjen ‘Karabash’ të këtij qyteti. Babai kishte një shok në këtë qytet, farmacistin e njohur Dhimitër Pinguli. Dhimitri kishte mbaruar për farmacist në Firence të Italisë dhe ishte një nga intelektualët e njohur dhe me reputacion në qytetin bregdetar dhe më gjerë. Ai e ndihmoi fillimisht babanë në rifillimin e jetës pas shkatërrimit që pësuam. Babai filloi punë në farmacinë e Dhimitrit, duke qenë si menaxher i biznesit të tij… Ai, si intelektual, ishte i lidhur me luftën dhe kishte shumë shoqëri në rrethet intelektuale… I ndihmonte partizanët me ilaçe, gjë të cilën e bënte dhe im atë. Lidhja e Dhimitrit me luftën, bëri që dhe im atë ta zgjeronte më shumë njohjen dhe kontaktet me drejtuesit e partizanëve, gjë të cilën e kishte bërë dhe në Ballsh…
Çfarë kujtoni nga lidhjet dhe ndihma që u është dhënë partizanëve në atë kohë nga Dhimitri dhe babai juaj, Sherif Dusha?
-Ajo zonë, Vlora, dihet që kanë qenë shumë të lidhur dhe e ndihmonin luftën me çfarë mundnin, me njerëz e me ushqime… Ndërsa ndihma e babait dhe e Dhimitër Pingulit ishte në fushën e ilaçeve që përdoreshin në spitalet partizane apo dhe për ndihmën e shpejtë në front. Për këtë, si Dhimitri, ashtu dhe im atë, do të viheshin në shënjestër të pushtuesve dhe shërbëtorëve të tyre… Por këtu, dua të përmend dhe një farmacist-grosist të njohur në Vlorë Rexhep Hitajn… Ndonëse historia e tij si intelektual dhe atdhetar është ndryshe…
Kush ishte ky intelektual dhe cili ishte aktiviteti i tij?
-Rexhep Hito, intelektual i shkolluar në perëndim, farmacist e grosist i njohur, është shquar për ndjenja patriotike. Për këtë ai ishte në shënjestër të Ahmet Zogut dhe u burgos në vitin 1928, e u internua më pas. Pasi iku nga internimi, u vendos në Vlorë ku vazhdoi aktivitetin privat si farmacist. Rexhepi është një nga themeluesit e drejtuesit e Ballit Kombëtar. Për këtë, gjatë e pas luftës, ai nuk u pa me sy të mirë. Por falë ndihmave që iu ishte dhënë vazhdimisht partizanëve, njohjeve me Hysni Kapon e drejtues të luftës në jug, ai jo vetëm nuk u dënua, por u ndihmua… Bile, më vonë, po me ndihmën e Hysni Kapos ai e transferoi aktivitetin e tij në Tiranë, ku vdiq në vitin 1955… Ndihma dhe kontributi në luftë i farmacistëve që përmenda më lart, pra dhe i babait tim, është vlerësuar atëherë dhe më vonë…
Mund të na thoni diçka më konkrete në këtë drejtim?
-Po. Im atë e shokët e tij njihej me shumë drejtues të luftës në Vlorë e në zona të tjera të jugut, falë kontributit me ilaçe që jepnin për partizanët… Unë do të përmend këtu gjeneral Hajdar Aranitasin dhe kolonel Fejzo Dabullën… Bile, dëshmitë e tyre të shkruara, më kanë ndihmuar dhe mua në peripecitë që kisha në jetë…
Të kthehemi tek aktiviteti në Vlorë gjatë luftës?
-Po. Im atë kishte rënë në sy të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas për aktivitetin që bënte me shokët në ndihmë të lëvizjes. Dhe u vunë në ndjekje për t’i arrestuar. Një ditë, forca të shumta rrethuan shtëpinë e donin të kapnin babanë. Nuk di se si ishte lajmëruar dhe babai ishte larguar. Dështuan për kapjen e tij. Por ne nuk mund të rrinim më në Vlorë, duhej të largoheshim…
Ku u vendosët më pas?
-Nëpërmjet njerëzve të njohur të babait, ne u larguam nga Vlora dhe shkuam në Piqeras… Por aty qëndruam punë ditësh, pasi nuk kishim bazë… U nisëm e shkuam në Fterrë të Sarandës, tek shtëpia e gjyshit. Por shtëpia e gjyshit ishte djegur nga pushtuesit. U rikthyem në Piqeras… Deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit.
Ku u vendosët pas çlirimit?
-Pas çlirimit u vendosëm u vendosëm përfundimisht në Himarë. Aty, me shumë vështirësi, babai hapi atje aktivitetin e tij si farmacist. Por kjo nuk vazhdoi gjatë, pasi aktiviteti farmaceutik, ashtu si të gjitha aktivitetet e tjera private, u shtetëzua. Kështu, në 24 prill të vitit 1946, dhe farmacia jonë u shtetëzua. Në këto kushte, babanë tim e çuan me punë në spitalin e Kuçit në Vlorë. Aty, në Kuç të Vlorës, në vitin 1962, im atë doli në pension. Ndërkohë, ne fëmijët u shkolluam e kishim dalë në jetë. Kur unë erdha në punë në Aviacionin Luftarak në Tiranë, mora dhe prindërit për të banuar në kryeqytet. Në Tiranë, në vitin 1975, në moshën 73 vjeçare, im atë ndërroi jetë…
Por lufta, peripecitë e tim eti e familjes sonë, kanë lënë gjurmë e mbresa të pashlyera tek unë…
(Vijon nesër)
SKËNDER DUSHA
Specialisti(teknik) i aviacionit Skënder Dusha ka lindur në vitin 1933 në Ballsh. Në vitin 1954 mbaroi në Shqipëri shkollën e mesme për teknik avionësh. Në vazhdim, së bashku me 6 të tjerë, u dërguan për shkollim të mëtejshëm në Volsk, rrethi Saratov në Vollgë të ish-Bashkimit Sovjetik. Pas një viti, përkatësisht në vitin 1955 erdhën në Shqipëri ku filluan punën si oficerë në Aviacionin Luftarak të vendit tonë. Dusha ka kryer detyrën e Shefit të Mirëmbajtjes së Teknikës Fluturuese, AN-2 në Tiranë. Në kohën kur u hoqën gradat, mbante gradën Major. Aktualisht është në pension.
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Skënder Dushës: Si kontribuoi im atë me ilaçe falas dhe me para gjatë luftës Nacional-Çlirimtare në ndihmë të njësive partizane që vepronin në jug të vendit.
-Dëshminë e ish-pjesëtarëve të luftë, kolonel Fejzo Dabulla, gjeneralit Hajdar Aranirasi dhe Dhimitër Grillos, ish-sekretarit të Nënprefekturës Mallakastër për kontributin e dhënë nga Sherif Dusha gjatë luftës.
-Kalimi në ilegalitet dhe largimi i familjarëve Dusha nga Mallakastra.

se ku ishin “arkivat” ketu nuk e mora vesh. ky eshte nje muhabet qe ben gazetari me kete burrin. vetem arkiva nuk shihen.
Rexhep Hito kish mbaruar farmaci ne Stamboll jo ne perendim por ne lindje. Atje ai kish vajtur per te vazhduar studimet ne mjekesi te cilat iu desh ti nderpriste per shkak te perndjekjes nga Ottomanet per aktivizimin e tij politik patriotik me komunitetin Shqiptar ne Stamboll. Pas trazirave ai transferoi studimet e tij ne degen farmaceutike ku u diplomua dhe u kthye ne Shqiperi per te vazhduar aktivitetin e tij politik patriotik. Mori pjese me grupin e Delvines ne ngritjen e flamurit ne Vlore dhe mbeshteti qeverine e Ismail Qemalit dhe pe vone Fan Nolin, prandaj edhe u persekutua nga mbreti i vetshpallur qe erdhi ne pushtet me ndihmen e serbeve. Ai nuk ka marre pjese ne themelimin e Ballit Kombetar. Rexhepi ishte grosist farmaceutic dhe kishte farmacine e tij ne Vlore dhe shtepine pas saj, ku priste dhe percillte te gjithe kokat e Vlores pa dallim. Madje ne te njejten kohe edhe komunistet edhe ballistet. Ne nje dhome Hysni Kapon dhe Kahreman Yllin dhe ne tjetren Njazi Carcanin. Per te mos harruar qe shume prej tyre vinin nga e njejta zone dhe ne mos kishin te benin si fisni kishinte benin si krushqi. Aq ishte Shqiperia atehere vetem 750000. Rexhep Hito donte nje Shqiperi te pavarur dhe me mireqenie. Duke qene atdhetar dhe arsimdashes si gjithe Tatzatasit ai ua transmetoi keto ideale edhe 6 femijeve te tij.