1943, ilaçet me mushka në frontin e luftës në Gjirokastër

anazapta

Ekskluzive /81-vjeçari Skënder Dusha, ish-specialist i njohur i Aviacionit Luftarak, rrëfen vitet e luftës Nacional-Çlirimtare, kontributin e babait të tij farmacist në para e ilaçe për formacionet partizane në jug të vendit

 

Arkivat: Dëshmitë e drejtuesve të formacioneve partizane në jug të vendit, kolonel Fejzo Dabulla, gjeneral Hajdar Aranitasi dhe Dhimitër Grillos, ish-sekretarit të Nënprefekturës Mallakastër për kontributin me ilaçe e para që familja Dusha ka dhënë për lëvizjen Nacional-Çlirimtare

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Bashkëpunimi me qarqet intelektuale të Mallakastrës e më pas në Himarë të Vlorës, me forcat e lëvizjes Nacionalçlirimtare, veçanërisht dërgimi i ilaçeve në mal tek partizanët apo spitale ku mjekoheshin të plagosurit në frontin e luftës, bënë që farmacisti Sherif Dusha të binte në sy të pushtuesve e të ndiqej… Në rrëfimin në vazhdim, djali i tij rrëfen për peripecitë e shumta që hiqte i ati për të mos rënë në sy të pushtuesve për aktivitetin në ndihmë të lëvizjes, kontaktet me drejtues të formacioneve partizane si Dabullajt e Gjirokastrës, Hajdar Aranitasin, etj… “Unë isha i ri atëherë, 10-13 vjeç, por shumë gjëra më janë fiksuar dhe i mbaj mend shumë mirë. Ndërsa më pas, për kontributin e babait gjatë luftës kanë folur e shkruar gjatë Kolonel Fejzo Dabulla, gjeneral Hajdar Aranitasi, ish-sekretari i Nënprefekturës së Ballshit, Dhimitër Grillo, etj…

 

Zoti Skënder! Çfarë kujtoni ju nga momenti i kontakteve të babait tuaj dhe ndihma me ilaçe për partizanët?

Më kujtohen disa raste, pasi unë shumë kohë e kaloja tek babai në farmaci, ndonëse ai kishte një të punësuar aty si çirak që e ndihmonte në punët e shumta që kishte. Farmacia jonë, ishte një nga 15 që kishte atë kohë në gjithë Shqipërinë… Po përmend një rast që më ka mbetur në mendje… Ishte paradite, kur para farmacisë paraqitet një person, i cili pasi lidh diku mushkën, futet në farmaci e takoi me babanë. Bisedonin së bashku me zë të ulët, po se çfarë bisedonin, unë nuk u përqendrova të dëgjoja… Nuk kaloi shumë kohë, kur thasët e mbushur u ngarkuan në mushkë, e mysafiri, pasi u përshëndet me babën u largua…

 

Cili ishte ky person?

Atë moment unë nuk e njoha, por më vonë po. Ai ishte Qani Skënderi nga Ninëshi i Mallakastrës. Ilaçet që mori në farmaci do i dërgonte në Cepo të Gjirokastrës. Siç mësova, atje do i dorëzonte tek Dabullat, disa vëllezër e farë e fis që ishin partizanë e drejtues në luftën që zhvillohej në zonë…

 

Kush ishte tjetër në këtë kohë në farmaci?

Përveç babait, ishte edhe çiraku, Çerçiz Dani që punonte për babanë. Ky e ndihmoi në mbushjen e thasëve me ilaçe dhe ngarkimin e tyre në mushkë…

 

Kur ka ndodhur ky rast që përshkruani ju?

Me datë të saktë unë nuk e mbaj mend, por ka qenë prilli apo maji i vitit 1943.

 

Ka pasur raste të tjera kur janë dhënë ilaçe falas për partizanët nga babai juaj?

Po ka pasur. Vini njerëz me çanta e iknin… Por këtë rast, furnizimin me mushkë, unë e mbaj mend shumë mirë. Të paharruara mbeten dhe momente të shumta kur babai ndihmonte njerëzit e zonës me ilaçe falas, pasi ata ishin shumë të varfër e nuk kishin të paguanin… Mbaj mend që me lot në sy thoshin: “Të lutem, po më vdes fëmija, më ndihmo me ilaçe… Nuk kam të holla, por kur të kem do ua jap”. E babai, e bënte vazhdimisht këtë…

 

Të kthehemi tek ndihma gjatë luftës për lëvizjen Nacional-Çlirimtare… A jeni takuar më pas ju e babai juaj me personat që ndihmuat me ilaçe?

Po lufta bëri të vetën. Pas luftës, me shtetëzimin e farmacive, ne u larguam… Nuk di nëse babai është takuar më me bashkëpunëtorët e luftës, por unë, vite më pas jam takuar… Kam takuar për shembull gjeneral Hajdar Aranitasin, kam takuar kolonel Fejzo Dabullën… Kemi kujtuar dhe kemi biseduar për atë kohë… Dua të them se kontributi i babait tim në ndihmë të luftës, është vlerësuar, ndonëse për shkak të të qenit pronar, edhe jemi goditur në periudha të caktuara kohe…

 

Çfarë vlerësimesh janë bërë në këtë drejtim?

-Janë bërë vlerësime nga instancat e shtetit të kohës, por dhe nga ish-drejtues të luftës që më pas u bënë ushtarakë madhorë e drejtues të rëndësishëm të institucioneve në libra apo kujtime… Kështu kanë bërë dhe personat që përmenda më sipër, Fejzo Dabulla e Hajdar Aranitasi…

 

+          +           +

 

KOLONEL FEJZO DABULLA

Vite më vonë, kolonel Fejzo Dabulla do i shkruante  një letër Skënder Dushës lidhur me kontributin me ilaçe falas që ka dhënë babai i tij gjatë luftës Nacional-Çlirimtare…

“I dashur Skënder! Po të shkruaj një të vërtetë të madhe, që ndoshta, në këtë kohë, nuk ka vlerë për familjen tuaj, por për kohën e kaluar mund të kishte shumë vlerë… Kjo që po shkruaj më poshtë, mund të ketë vlerë vetëm për familjen dhe fisin tuaj, që ta mësojnë djemtë dhe vajzat tuaja, nipërit e mbesat tuaja, se kush është fisi juaj nga katundi Fterrë. Më poshtë, po rendis disa gjëra:

… Aty nga maji ose qershori i vitit 1943, vëllai im Jaup Dabulla me djalin e xhaxhait tonë Zilfo Dabulla, ishin partizanë dhe bënin pjesë në çetën “Çerçiz Topulli”. Jaupi dhe Zilfo, me një grup shokësh erdhën në stanin tonë në Malin e Gjerë, në vendin e quajtur Korcale. Jaupi na prezantoi shokët e tij partizanë, midis të cilëve dhe Hiqmet Dushën, një djalë i pashëm, azgan dhe i bukur duke na thënë se Hiqmeti ishte nga një familje e madhe nga Fterra, me tradita patriotike e revolucionare, që tani është zëvendës komisar i çetës sonë. Kushërinjtë që ishin në afërsi të stanit tonë erdhën aty dhe Hiqmeti na bëri një bisedë, të cilën, edhe sot në këtë moshë, e kujtoj me respekt. Hiqmeti na tregoi me hollësi se pse ishin futur në këtë luftë, çfarë kërkonin ata. Dhe mandej, në bisedë, u fut në luftën e madhe që bënin popujt e shtypur dhe në mënyrë të veçantë Rusia, për të cilën ne nuk dinim gjë…. Dhe na la me gojë hapur.

Hiqmeti ishte tepër i zgjuar, i shkathët, trim dhe orator i rrallë, që si luftëtar, si komisar, u vra si hero për çlirimin e Libohovës.  Pastaj mësuam se në luftë morën pjesë edhe djem të tjerë nga familja Dushaj, si Mehmeti dhe Bilali.

Aty nga prilli i vitit 1943 kisha vajtur që të takoja vëllezërit në çetën “Çerçiz Topulli”, e cila bënte pjesë në batalionin “Asim Zeneli”. Aty erdhi një burrë me mushkë të ngarkuar me dy arka dhe një thes i bardhë i vendosur mbi samarin e mushkës. E shkarkuam mushkën dhe u mblodhëm rreth dy arkave, ku Riza Veipi, zëvendëskomandant i batalionit, na tha se ato dy arka ishin të mbushura me ilaçe dhe i kishte dërguar kushëriri i dëshmorit Hiqmet Dusha, që quhej Sherif Dusha. Rizai na tha se Sherifi ka farmacinë e tij dhe këto ilaçe kanë një vlerë të madhe, të cilat një fukara si ne, nuk mund t’i blejë. Ilaçet u dërguan në spitalin e përgjithshëm partizan dhe në atë të Kuçit, për të mjekuar shumë partizanë të plagosur.

Tiranë, 11.03.2013

Kolonel Fejzo Dabulla,

Veteran i LNÇL

 

GJENERAL HAJDAR ARANITASI

Lidhur me kontributin e Sherif Dushës, dhënien e ilaçeve falas për partizanët që luftonin në jug të vendit, ka dëshmuar edhe gjeneral Hajdar Aranitasi, një nga kuadrot partizanë gjatë kësaj lufte… Ja çfarë kujton ai: “…Sherif Dushën e kam njohur në vitin 1935 si farmacist në nënprefekturën e Mallakastrës, që në atë kohë ishte e vetmja qendër shëndetësore e krahinës së Mallakastrës.

Sherif Dusha i ka dhënë një ndihmë të madhe Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në atë kohë me medikamente, me mjekimin e të plagosurve dhe të sëmurëve. Në janar të vitit 1943 dha një ndihmë të konsiderueshme në me të holla për Luftën Nacionalçlirimtare.

Theksoj se nga dhjetori i vitit 1942 ka qenë pjesëmarrës aktiv në komunën e Ballshit. Për këtë aktivitet, qeveria fashiste vendosi që ta arrestojë. Shtabi i krahinës, duke e marrë vesh këtë, e lajmëroi që të kalojë menjëherë në ilegalitet. Kështu që Sherif Dusha, në mars të vitit 1943 u detyrua të lerë farmacinë dhe të largohet përfundimisht nga Ballshi (Mallakastra).

…Unë, si pjesëtar i Luftës Nacionalçlirimtare, kamë qenë dëshmitar i asaj kohe dhe i ndihmës dhe kontributit që ka dhënë Sherifi për këtë luftë…”

Gjeneral Hajdar Aranitasi.(Firma).

(Dëshmia e Hajdar Aranitasit ëshë noterizuar e vulosur nga avokati Nexhdet Kambo dhe mban regjistrimin noterial Nr. 199).

 

NËNPREFEKTURA

Për aktivitetin human në zonë të farmacistit të njohur Sherif Dusha në zonën e Mallakastrës e më gjerë, ka dëshmi shkresore të mbajtura nga ditët e luftës Nacionalçlirimtare, por dhe nga ish-partizanë, drejtues të lëvizjes në Ballsh dhe banorë të shumtë të kësaj treve. Një ndër ta është edhe Dhimitër Grillo. Përveç kësaj, Dhimitër Grillo, në atë kohë sekretar i Nënprefekturës së Mallakastrës që varej nga Prefektura e Vlorës, dëshmon si protagonist edhe për momentin që farmacia e Sherif Dushës, në bazë të shtetëzimeve masive me vendimin e qeverisë së pas luftës, u shtetëzua.

Lidhur me këtë, Grillo dëshmon: “…Farmacisti Sherif Dusha ka një aktivitet të njohur human në zonën e Mallakastrës gjatë Luftës Antifashiste. Ai ka kontribuar vullnetarisht me ilaçe jo vetëm për banorët e varfër të zonës, por veçanërisht për çetar e repartet partizane që ishin në front dhe prapavijë të luftës. Për këtë, unë jam një nga dëshmitarët që e vërtetoj këtë kontribut të tij. Po ashtu, si dëshmitar dhe në cilësitë e sekretarit të nënprefekturës së Mallakastrës, unë kam qenë i pranishëm edhe në shtetëzimin e farmacisë së tij që kishte në Spille…”. (Dhimitër Grillo, firma. Dëshmi e datës 23 maj 1992)

 

(Vijon nesër)

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e major Skënder Dushës: Shkollimi i 7 specialistëve të parë të Aviacionit Luftarak Shqiptar në Rusi për avionët luftarak bombardues MIG, vështirësitë dhe sukseset.

-Si u sollën nga Bashkimi Sovjetik në linjë detare nga Odesa në portin detar të Durrësit avionët luftarak të paketuar në arka dhe si u montuan ata nga specialistët shqiptar dhe kolegët e tyre rusë.

-Provat e fluturimit të avionëve luftarak MIG në qiellin e Tiranës, problemet, vështirësitë dhe suksesi historik i asaj dite.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *