Kuotat dhe formula për fituesit e 2019-ës, dalin datat e konkurseve

Elena Tase

Në garë për studimet e larta në programet e ciklit të parë “Bachelor”, për vitin e ri akademik 2019-2020 të Universitetit të Arteve kanë të drejtë të marrin pjesë të gjitha maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që plotësojnë në kohë formularin A2, si dhe kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6.5. Maturantët nuk mund të konkurojnë për studimet në degët e arteve nëse nuk kanë përzgjedhur në formularin A2, degët që janë pjesë e fakulteteve të këtij Universiteti. Sikundër ka ndodhur me institucionet e tjera të arsimit të lartë, drejtuesit e Universitetit të Arteve kanë miratuar tashmë datat në të cilat do të zhvillohen konkurset për pranimet e reja të 2019, së bashku me procedurat e regjistrimit të hyrjes në konkurse, skemës së vlerësimit me pikë, si dhe kuotave të mundshme të pranimit në secilin program. Urdhri i firmosur pak ditë më parë nga Rektori i këtij institucioni saktëson se: “Konkurset e pranimit për të gjitha programet do të zhvillohen në datat 20, deri në 23 gusht, sipas kushteve të përcaktuara nga secili fakultet që është pjesë e Universitetit të Arteve”.

Procedurat e regjistrimit

Për të konkuruar për këto degë, fillimisht çdo maturant apo kandidat i viteve të shkuara duhet të kryejë procedurat e regjistrimit në afatet e vendosura. Sipas kushteve të përcaktuara, kanë të drejtë të regjistrohen për të hyrë në konkurse vetëm kandidatët që janë pjesë e listës së dërguar nga MASR, pas mbylljes së aplikimeve të plotësimit të formularit të preferencave për studimet e larta. Konkretisht, urdhri saktëson se regjistrimi i konkurrentëve për në konkurset e pranimit në programet e studimit me kohë të plotë të ciklit të parë në të gjitha fakultetet e Universitetit të Arteve të Tiranës, për të gjitha programet e studimit do të bëhet pranë sekretarive mësimore duke nisur nga data 13 gusht. Konkurrentët mund të regjistrohen deri në orarin e përcaktuar nga secili fakultet për fillimin e testimeve praktike. Regjistrimi do të bëhet me anë të dosjes. Kështu çdo kandidat që është pjesë e listës së zbardhur nga portali, duhet që në datat e përcaktuara të bëjë regjistrimin duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve që janë: “Pagesa e tarifës së konkurimit, si dhe fotokopje e kartës ë identitetit”. Regjistrimi pranë sekretarive mësimore mund të bëhet nga vetë konkurrenti, ose nga një person tjetër i autorizuar prej tij me prokurë të posaçme”. Për pranimet e reja të 2019, saktësohet se tarifa e regjistrimit për hyrjen në konkurset e pranimit varion nga 2500 deri në 5000 lekë në varësi të degës në të cilën kandidati do të konkurojë.

Skema e vlerësimit me pikë

Pikët maksimale për konkurim në një nga programet e studimeve me kohë të plotë të këtij universiteti do të jenë 200 pikë, të cilat sigurohen nga vlerësimi i mesatares së shkollës së mesme, si dhe pikët e fituara nga kandidati gjatë zhvillimit të konkursit. Sipas skemës së përcaktuar, bëhet e ditur se 30 për qind të totalit të këtyre pikëve, kandidati do t’i sigurojë nga mesatarja  shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, përkatësisht 60 pikë. Ndërsa pjesa tjetër e 140 pikëve i takojnë rezultateve të konkurseve të pranimit për secilin program studimi. Kufiri minimal i pranimit të konkurrentëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të jetë 90 pikë. Kandidatët që sigurojnë më pak pikë nuk kanë të drejtë që të vijojnë më tej procedurat për të siguruar studimet e larta në këtë degët e Arteve.

Kuotat e pranimeve të reja

Sipas vendimeve të marra më herët nga strukturat përgjegjëse, për vitin e ri akademik 2019-2020 në programet e ciklit të parë të studimeve në Universitetit të Arteve do të pranohen për herë të parë rreth 500 kandidatë. Fakulteti i Muzikës rezulton të ketë edhe numrin më të lartë të kuotave të pranimeve përkatësisht me 245 kandidatë, ai i Artit Skenik me 100 kandidatë, si dhe në Fakultetin e Arteve të Bukura do të vijojnë studimet rreth 154 studentë të rinj. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë ndarjen e kuotave të pranimit për kandidatët në radhët e maturantëve, ata të trojeve, kandidatët nga shtresat me status të caktuar, kandidatët që aplikojnë për një program të dytë studimi, shtetasit e huaj, si dhe kuotat e lejuara për ciklin e transferimit të studimeve.

Maturantët që mund të garojnë për studimet

Qeveria ka vendosur më herët se në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020 kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim. Ndërsa në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurim do të jetë edhe më e lartë. Kështu në garë për studimet në degët e mësuesisë do të përfshihen kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5 e më lart. Gjithashtu bëhet e ditur se për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8. Kjo mesatare ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Aplikimi në raundin e parë

Maturantët dhe kandidatët e tjerë, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania. Pagesa duhet të kryhet në periudhën 27 qershor deri në 25 korrik. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave të mesme konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 26 korrik 2019, në portalin U-Albania. Ndërsa në periudhën 31 korrik – 5 gusht, maturantët dhe çdo kandidat tjetër që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit, do të aplikojnë në portalin përkatës nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notes mesatare sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, si dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga universitetet, duke zgjedhur deri ne 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofron çdo institucion i arsimit të lartë publik dhe privat në vend. Lista e fituesve të raundit të parë do të zbardhet në fund të muajit gusht. Ndërsa fituesit do të regjistrohen në 7 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 2 deri në 15 shtator, ku secili maturant duhet të paraqitet në sekretarinë përkatëse të fakultetit që preferon për të bërë regjistrimin me dokumentet përkatëse. Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.

Kuotat e pranimeve në degët e Fakultetit të Artit Skenik

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *