Sot, në tetëdhjetë e pesë vjetorin e lindjes së mjekut të shquar kardiolog, Hajro Shytit, duke i uruar atij shëndet e jetë, e ndjej të domosdoshme t’u bëj të njohur njerëzve se kush është ai. Për personalitetin e doktor Hajros nuk është e lehtë të shkruash e të flasësh. Kjo, jo vetëm sepse ai ka qenë gjithmonë njeri modest, i përqendruar në profesionin e tij, që kurrë nuk ka folur për vehte dhe për meritat e tij, por edhe sepse personaliteti i tij është poliedrik.
Hajroja, që në shkollën fillore, në fshatin e lindjes, Tragjas, dhe në shkollën tregtare të Vlorës, ku kreu dy klasë, me sjelljen e tij të qetë e të pjekur, ishte shoku më i dashur e më i respektuar. Po këtë përshtypje la edhe te shokët e tij të luftës kur, në moshë fare të re, hodhi në sup një pushkë që prekte tokën dhe hyri në radhët partizane, për t’u përfshirë pastaj në Brigadën e Pestë që me formimin e saj, me të cilën luftoi deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Për pjekurinë, mençurinë dhe aftësitë e tij, Hajroja, ndonëse gjashtëmbëdhjetëvjeçar, doli nga lufta me gradë oficeri dhe me përgjegjësinë e sekretarit të rinisë së batalionit. Hajron e deshën dhe e respektuan shokët e gjimnazit të Shkodrës, ku ai mbaroi shkollën e mesme. Për të flasin fjalët më të mira bashkëstudentët e Universitetit të Pragës, ku ai mbaroi studimet për mjekësi. Sa herë, kur në biseda të ndryshme përmendet emri i Hajros, të njëjtin respekt e dashuri shprehin të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij në jetën e gjatë, gati gjashtëdhjetëvjeçare, të mjekut profesionist.
Që në vitin 1955, kur përfundoi studimet, Hajroja provoi të punonte në të gjitha specialitetet e mjekësisë, nëpër klinikat, nga më të thjeshtat e lagjeve deri në ato më të specializuarat, gjë kjo që i dha atij mundësinë të thellonte në praktikë njohuritë e gjera që kishte përftuar në bankat e shkollës dhe të njihte nga afër problemet shëndetësore të të gjitha moshave e shtresave, duke filluar nga fëmijët e deri tek më të moshuarit.
E gjithë përvoja e grumbulluar në fillimet e vështira të jetës së tij profesionale qe për doktor Hajron një shkollë më vete, e cila i vlejti jashtëzakonisht shumë pasi u kualifikua si kardiolog, në fillim nga mjekë kardiologë Çekosllovakë që erdhën e ndenjën këtu një kohë relativisht të gjatë, dhe më vonë pas specializmit që mori në degën e kardiologjisë, në Francë.
Pavarësisht nga këto specializime shumë të rëndësishme, Hajroja ishte i vetëdijshëm se shkenca mjekësore është shkencë e gjallë, me zhvillime marramendëse, në të cilën, zbulimet e reja shpesh i nxjerrin në plan të dytë, ose edhe i hedhin poshtë përfundime e mjekime që deri në një kohë quhen si të pazëvendësueshme. Nisur që këtej ai, duke njohur gati të gjitha gjuhët kryesore europiane (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, rusisht dhe, natyrshëm, çekisht), me kursimet nga rroga dhe pastaj edhe nga pensioni i tij modest, porosiste jashtë shtetit, në vendet përkatëse, libra nga më të rejat dhe më të shtrenjtat e fushës së mjekësisë. Kjo bëri që ai të njihte dhe të vinte në jetë arritjet më të fundit të mjekësisë botërore. Shtëpia e Hajros është një bibliotekë e vërtetë qindravëllimëshe, me libra të mjekësisë, por edhe të letërsisë artistike, pasi ai është një lexues i rregullt i saj dhe mund të diskutojë me profesionalizëm edhe për të. Pra është një intelektual plotësisht i formuar, në kuptimin e plotë të kësaj fjale.
Gjatë përcaktimit të diagnozës dhe mjekimit të pacientit, Hajroja, si rrallë kush, futej vetë “në lëkurën” e të sëmurit që kishte përpara, bashkëbisedonte qetë e shtruar me të dhe vepronte në mënyrë të tillë sikur i sëmurë ishte ai vetë, ose njeri i familjes së tij, e jo një i panjohur. Nisur që këtej, ai vinte të gjitha aftësitë e tij profesionale të kardiologut, të cilat i kishte në shkallën më të lartë, por në mënyrë të veçantë tregonte një humanizëm, që jo dhe aq shpesh vihet re në jetën tonë. Është pothuajse unikale gatishmëria e tij për t’u shkuar në ndihmë nëpër familje kujtdo që e kërkonte, pa pranuar asnjë lloj shpërblimi për këtë. Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë si kardiolog, doktor Hajroja asnjëherë nuk ka menduar që, me profesionin e tij humanitar, të pasurohej. Është kjo arsyeja se pse, të gjithë ata njerëz që kanë pasur rastin dhe fatin të mjekohen prej tij, ruajnë në zemrat e tyre respekt dhe mirënjohje të veçantë për doktor Hajron.
Ai mbante të dhëna të hollësishme për çdo të sëmur që kalonte në duart e tij të kujdesshme dhe, arkivi i tij, më parë në regjistra, më vonë në kompjuter, është një pasuri më vehte për t’u marrë shembull. Ai kalonte orë të tëra, edhe nga gjumi i tij i pakët, duke analizuar të dhënat e të sëmurëve, me qëllim që t’u përcaktonte atyre mjekimin më të përshtatshëm.
Me gjithë këto aftësi, ai, paradoksalisht, nuk pati ndonjë nderim të veçantë institucional dhe asnjë titull shkencor. Aftësitë dhe puna skrupuloze e përkushtuar e tij ishin të tilla që ai mund të merrte të gjithë titujt e mundshëm në fushën e mjekësisë, por ai kurrë nuk rendi pas titujve, në radhë të parë, për shkak të thjeshtësisë së tij proverbiale, por edhe mendonte se nuk janë titujt e zhurmshëm që e bëjnë mjekun, apo ndonjë specialist tjetër, por është pasioni dhe profesionalizmi për t’u shërbyer me ndershmëri e humanizëm njerëzve që kanë nevojë për ty. Shpërblimi më i madh për doktor Hajron ishte rezultati i punës së tij drejtpërdrejt tek i sëmuri dhe mirënjohja e thellë e atyre qindra e mijëra njerëzve, të cilët i ka mjekuar me përkushtim e dashuri.
Sot nga lartësia e tetëdhjetë e pesë viteve që mban mbi shpinë, ai, ndonëse, për arsye shëndetësore, i tërhequr nga veprimtaria e drejtpërdrejtë, kujton me kënaqësi e ndërgjegje të pastër se u ka shërbyer ndershmërisht njerëzve në nevojë.
Jetë të shëndetshme dhe të gjatë i dashur Doktor.
Dr.Hajron nuk e njoh, por kam degjuar mjeke dhe njerez te tjere te arsimuar e serioz te flasin shume mire per te si mjek dhe si njeri. Emrin e tij e kam ndeshur edhe ne nje nga librat e zonjes Nexhmia Hoxha dhe aty mesova se ka qen mjek i Enver Hoxhes. Sot po me thoshte nje lexues i numrit te sotem te kesaj gazete se para se te punononte tek Enveri ka punuar tek Mehmet Shehu.
Duke lexur kete shkrim shume te ndjere per dr. Hajro Shytin po mendoj se, ndoshta, nuk marrjen e tijtujve te merituar shkencor kane penguar sherbimet e tij prane udheheqjsve te asaj kohe. Sidoqofte, respekti i njerezve per mjekun e nderuar eshte shume me shume se cdo titull shkencor.
I uroj shendet te mire mjekut te shquar.
njeri me nje perkushtim te jashtezakonshem per njerezit, modest dhe altruist tej natyres egosite te mjekeve, zbatues ne realitet i betimit te hipokratit. pjese e nje familje me tradita te thella pateriotike, e njohur ne vlore e me tej.gjyshi i tij pjesmarres i beslidhjes se jugut dhe mesues i familjes vlora me 1845. ndaj dhe profili i tij, nuk eshte rastesor. e vertete qe ka qene mjek i enver hoxhes, por nga qe ishte nder me te miret, nderkohe qe njihet ne historikun e tij, qe guxoi dhe i tha nexhmies; firmos ketu qe enveri te dale…..i uroj jete te mbare.