Dërgesat e emigrantëve ranë përsëri në tremujorin e tretë të vitit, duke përkeqësuar më tej bilancin vjetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë remitancat kishin vlerën e 139 milionë eurove, me një rënie prej rreth 10% kundrejt të njëjttit tremujor të vitit të kaluar. Në total, për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 478 milionë eurove, me një vjetore prej 4.2%. Vlera e remitancave që hyjnë në ekonominë shqiptare duket se do të bjerë për të pestin vit radhazi. Kriza ekonomike në vendet ku jetojnë emigrantët shqiptarë duket se e ka shpejtuar fenomenin e natyrshëm të rënies së remitancave në kohë. Por, rënia e remitancave po kompensohet nga një performancë në rritje e investimeve të huaja direkte. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin vlera e investimeve të huaja ishte 171 milionë euro, 6.8% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, për 9-mujorin investimet janë rritur me 20% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2011 dhe kanë arritur vlerën e 551 milionë eurove. Pavarësisht nga kriza, investimet vazhdojnë të rriten, çka është një ndër të paktët tregues pozitivë, në një vit kur ekonomia shqiptare po i vuan shumë seriozisht efektet e krizës.
