Buxheti drejt greminës.. Ministria e Financave shpërndau dje informacionin se ishte firmosur lëvrimi i fondeve për pagat dhe ndihmën sociale, por dokumenti i ministrisë tregon se ky urdhër është dhënë që më datën 3 Janar. Dje qeveria mori 195 milionë euro të tjera borxhe duke dhënë një sinjal tejet negativ për gjendjen e financave shqiptare. Fillimisht ishin bankat private ato që blinin “thelën e luanit” të bonove të thesarit por që prej një viti bankat janë tërhequr në pjesën më të madhe nga kjo skemë pasi e kanë vlerësuar me risk të lartë bazuar në performancën dhe në aftësinë shlyerëse të qeverisë shqiptare.
Edlira Shehu
Ministria e Financave është shfaqur dje “kundërpedal” përpara syve të shqiptarëve, duke dhënë një sinjal shumë negativ në lidhje me aftësinë e saj për të lëvruar pagesat për pagat, borxhin dhe fondet e ndihmës ekonomike. Fillimisht paraditen e djeshme nga kjo ministri u shpërnda informacioni në rrugë informale se ministri Bode, dje më datën 8 Janar kishte firmosur një urdhër për shpërndarjen e menjëhershme të fondeve për pagat, ndihmën sociale etj, ndërsa punonjësit e administratës ende nuk kanë marrë pagën e muajit Dhjetor. Sipas informacionit të ofruar nga vetë ministria, arsyeja e vonesës lidhej me “hyrjen në fuqi” të buxhetit për vitin e ri. Por një dokument i vetë Ministrisë së Financave sugjeron se në fakt urdhri për lëvrimin e fondeve është dhënë që më datën 3 Janar, pra gjashtë ditë më parë, por deri më sot asnjë prej afro 88 mijë punonjësve të administratës nuk është paguar. Si shpjegohet një vonesë e tillë? Në fakt rezulton se që prej datës 3 janar kur është firmosur ky urdhër, Drejtoria e Thesarit në këtë ministri ka lëvruar disa mandat-pagese në një vlerë të konsiderueshme për disa kompani private dhe ente shtetërore. Janë kryesisht pagesa që sipas tabelës së paraqitur nga Drejtoria e Thesarit i dedikohen detyrimeve të vitit të kaluar. Nga ana tjetër sërish Ministria e Financave ka bërë dje një lëvizje të rëndësishme dhe domethënëse duke realizuar tenderin e shitjes së Bonove të Thesarit dhe duke rritur borxhin e brendshëm në shumën e 195 milionë eurove.
Borxhi
Në dy ankande, të zhvilluara dje në Bankën e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një mesatare interesi prej 6.6%, nga 6.35% që ishte në ankandin e fundit të vitit 2012. Ndërsa, bonot me maturim 6-mujor u emetuan me një mesatare interesi prej 6.08%, nga 5.85% që ishte në ankandin e mëparshëm. Në total, qeveria arriti të siguronte të gjithë borxhin e shpallur prej 27.4 miliardë lekësh. Shifra është e barabartë me 195 milionë euro. Ky borxh është marrë në një kohë kur ministria jo vetëm ka vonuar pagesat e buxhetorëve por siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë urdhri i ministrit i datës 3 janar për lëvrimin e fondeve ka 5 ditë që nuk zbatohet. Megjithatë duket se tashmë qeveria është futur në një skemë delikate dhe me shumë pikëpyetje ttë huamarrjes së brendshme. Që nga 24 Dhjetori e deri më sot, qeveria ka marrë afro 47 miliardë lekë hua në tregun e brendshëm.
Skema
Qeveria shqiptare në dy vitet e fundit ka rritur ndjeshëm kërkesën e saj për të marrë borxh në tregun e brendshëm. Ky borxh merret kryesisht nëpërmjet tregut të bonove të thesarit me interes vjetor. Fillimisht ishin bankat private ato që blinin “thelën e luanit” të bonove të thesarit por që prej një viti bankat janë tërhequr në pjesën më të madhe nga kjo skemë pasi e kanë vlerësuar me risk të lartë bazuar në performancën dhe në aftësinë shlyerëse të qeverisë shqiptare. E ndodhur në këto kushte qeveria i është drejtuar drejtëpërdrejt xhepave dhe kursimeve të qytetarëve duke ftuar këta të fundit të blejnë bono thesari. Madje kjo nismë e qeverisë në gjashtë muajt e fundit është shoqëruar edhe me disa spote publicitare në prag të hapjes së ankandit të bonove ku qytetarët ftohen që të blejnë bonot. Është ironik fakti se ndërsa siç janë bankat që janë institucione të specializuara dhe njohëse profesionale të kapaciteteve të qeverisë po tërhiqen nga skema e blerjes së bonove, qeveria nga ana e saj fton qytetarët që të bëhen masivisht pjesë e kësaj skeme.
Thesari “uli qepenin” gjatë muajit Dhjetor
Jo vetëm biznesi po vuan pasojat e vitit që sapo lamë pas. Nëse në biznese të ndryshme dëgjohet se ka një muaj, dy muaj apo tre muaj pa u bërë pagesat, të njëjtin “fat” i ka ndjekur në këtë fillim viti dhe punonjësit e administratës. Në fund të vitit ata morën shpërblimin prej 9 mijë lekësh, por paga deri ditën e djeshme nuk u ka kaluar ende. Janë rreth 90 mijë punonjës të ndërmarrjeve shtetërore, listë e cila përfshin punonjës të administratës, mësues, mjekë, infermierë, profesorë, punonjës të institucioneve të arsimit të lartë, që akoma nuk e kanë marrë pagën e muajit dhjetor. Arsyeja zyrtare sipas Ministrisë së Financave është mos hyrja ende në fuqi e buxhetit të këtij viti. Në të vërtetë buxheti u dekretua nga Presidenti i Republikës, më 27 dhjetor të miratua, duke qenë se dhe ardhja e projektit për diskutim në Kuvend ishte me vonesë dhe kjo duket se ka sjellë vonesa për lëvrimin e fondit të pagave. Por nga ana tjetër thesari i shtetit si asnjë vit më parë u mbyll që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, kur në kushte normale mbyllet në fund të vitit. Duket se andikape të tilla kanë ardhur për shkak të mos realizimit të të ardhurave dhe buxhetit të dështuar të vitit 2012 dhe qeveria për të justifikuar atë që ka premtuar që në fillim të vitit të kaluar mbylli cdo lloj pagese, për të mos thelluar me gropën e mos realizimeve dhe të borxhit. Por tej “argumenteve” qeveritare buxhetorët kërkojnë të marrin pagën e tyre dhe urdhri i dalë nga Ministri i Financave, Ridvan Bode vetëm para dy ditësh duket se nuk ka kuptim, duke ju afruar një lugë bosh për ti mbajtur me shpresën e pagesës. Në urdhrin e tij thuhet se “Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit nëpërmjet sistemit të thesarit të kryejë pagesat e shërbimit të borxhit, pagesat për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje, oksigjen, gjak, ushqim, etj), pagat e punonjësve të qeverisjes së përgjithshme dhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, transfertat në institucionet e sigurimeve shoqërore për pagesat e pensioneve, pagesat e paaftësisë, ndihmës ekonomike, papunësisë si pagesat për ushqim dhe medikamente për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme që ofrojnë një shërbim të këtij lloji”. Por dhe nëse ky udhëzim ka dalë derisa thesari i shtetit të jetë bosh nuk ka se cfarë fondesh të lëvrojë për institucionet.
1. Me kete urdher eshte shkelur ligji i buxhetit pasi fillon levrimi i fondeve pa hyre ne fuqi ligji.
2. I kujt eshte faji per kete vonese te hyrjes ne fuqi te ligjit
3. Nese ka dale ky urdher pse deri ne dt. 9 nuk jane marre rrogat akoma, po te interesoheni as ministria e financave nuk i ka marre rrogat akoma.
4. Ketu kemi nje rast neglizhence dhe papergjigjshmerie.
A duhet ndershkuar dikush qofte dhe per shperdorim detyre, gazeta te investigoj