Vjen në kinematë shqiptare “90 minuta”, filmi aktorit shqiptar Blerim Destani. Trilleri ku Destani është përveçse protagonist, edhe bashkëproducent, do të shfaqet në kinematë e kryeqytetit për dhjetë ditë me radhë. Ai ka marrë kritika të mira në Gjermani, ku është shfaqur gjatë muajve të verës. “90 minuta” ka si protagonist Sebastianin, i cili luhet nga Blerim Destani. Sebastiani është një aktor ambicioz me një të ardhme të suksesshme, por që nuk mund t’i gëzohet suksesit të tij, për shkak të dëshpërimit ku është zhytur pas humbjes së të dashurës, Hannah (Nicolette Krebitz). Ai ka llogaritur hakmarrjen ndaj gurusë Udo Kier, udhëheqës manipulues i një sekti fetar, i cili kishte promovuar karrierën e Sebastianit në të shkuarën, me anë të mashtrimit, deri sa në fund arriti të manipulojë edhe të dashurën e tij, duke e çuar në vetëvrasje.
Ajo që e bën të veçantë produksionin e përbashkët të Blerim Destanit me Ivo Trajkov është fakti se 90 minutat e filmit nuk kanë shumë ndërprerje nga skena në skenë. Filmi është realizuar në Berlin dhe të kanë marrë pjesë edhe këmbësorë të rastit, pasi rrugët dhe trotuaret janë kthyer në shesh xhirimesh. “90 minuta” ka vetëm 5 prerje të skenave, të cilat, sipas mediave gjermane, janë të paperceptueshme nga publiku, madje edhe nga një pjesë e madhe e profesionistëve.