4 gjeneralë të Asadit vdesin nga një sulm me bombë

anazapta

 Një sulm me bombë vrau 31 ushtarakë sirianë, në një bazë në afërsi të Damaskut. Midis tyre humbën jetën 4 gjeneralë. Kjo ishte një ndër ofensivat më të mëdha kundër regjimit nga ana e rebelëve, të cilët kanë rrethuar Damaskun dhe Alepon raporton agjencia e lajmeve “AFP”

Kështu siç po shkon rrjedha e konfliktit civil në Siri, duket se fati i presidentit Bashar al Asad i ka ditët e numëruara. Një atentat i mori jetën 31 ushtarakëve të tij në një bazë afër Damaskut, mbrëmjen e së shtunës. “Katër gjeneralë ishin midis të vrarëve nga shpërthimi i një bombe e cila shkatërroi ndërtesën e bazës në Harsta”, deklaroi  Rami Abdul Rahman, drejtuesi i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Grupi rebel Direh al-Aasmeh (Mburoja e Damaskut), i cili është pjesë e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe i mbështetur nga Perëndimi ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, duke postuar një video të shpërthimit në “YouTube”. Në të shfaqet ndërtesa ushtarake duke u rrëzuar.

“Koha e sulmit është domethënëse edhe sepse ai u zhvillua menjëherë pasi trupat qeveritare mësynë në fortesat e zotëruara nga rebelët”, shtoi Rahman.

Forcat qeveritare ishin në mes të një ofensive në qytetin e Qaras, të lokalizuar në veri të kryeqytetit afër kufirit me Libanin. “Aeroplanet e regjimit bombarduan rëndë qytetin të dielën, ndërkohë që trupat e regjimit vazhdojnë përpjekjet për të dëbuar rebelët”, tha Rahman.

Ka spekulime se rebelët mund të kenë infiltruar në bazën ushtarake eksploziv, i cili mund të jetë vendosur në tunelet e ndërtesës.

Gazetarja ukrainase, Ankhar Kochneva, e konfirmoi sulmin në blogun e saj në internet. Ajo ishte në Harasta kur dëgjoi shpërthimin dhe ndjeu tronditjen e tokës nga rënia e ndërtesës. Ajo e përshkroi si një shpërthim shumë të madh, me shumë të vdekur e të lënduar.

Konflikti dyvjeçar ka vrarë tashmë mbi 100.000 njerëz dhe ka dëbuar nga vendi më shumë se një milionë sirianë të kthyer në refugjatë në shtetet kufitare, ku jetojnë në kushte ektreme.

Ekonomia e Sirisë ka pësuar një humbje prej 100 milionë dollarësh gjatë luftës, e barazvlefshme me 2 vjet prodhimtari në kushte normale, sipas zvkryeministrit sirian, Qadri Jamil.

Moska dhe Uashingtoni thonë se janë të gatshëm të sjellin të dyja palët e konfliktit për të negociuar në tavolinën e konferencës së paqes Gjeneva 2. Një sërë bisedimesh të mëhershme në Gjenevë vitin e kaluar, u ndërprenë vetëm pas ditës së parë./D.Gjuzi

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *