Gjenden me qindra materiale profesionale shpjeguese në lidhje me atë se çfarë ishte dhe çfarë përfaqëson kriza financiare greke. Shkaqet e origjinës që e shkaktuan dhe pasojat që solli. “DITA” ka zgjedhur të sjellë tiparet e kësaj krize duke referuar një material që shpjegon në mënyrë të përmbledhur dhe racionale atë ç’ka ndodhi me financat greke. Greqia deri disa vite më parë kishte një ekonomi në rritje, rritja ekonomike në vitin 2003 kapi dhe vlerën 6%, madje konsiderohej si një ndër ekonomitë më të shëndetshme të eurozonës.
Kriza financiare e vitit 2008, nxori në pah probleme të rënda të cilat deri në atë moment ishin mbajtur të fshehura. Ndërsa për shtetet e tjera kriza ekonomike ishte e vështirë por jo dramatike, Greqia u desh të vuante në mënyrë të posaçme ani pse ekonomia e saj mbështetet sidomos tek turizmi dhe shërbimet. Të dy këta sektorë janë të ekspozuar në mënyrë të veçantë ndaj ndryshimeve ekonomike afatshkurtra. Vetëm në vitin 2009 këta dy sektorë pësuan një tkurrje prej 15%. Ndërsa treguesit për këto dy sektorë rrudheshin, në Greqi u shtuan shpenzimet publike dhe borxhi publik shkoi në 262 miliardë euro në vitin 2008 përkundër 168 miliardë eurove që ai ishte në vitin 2004: bëhej fjalë për një shtim të jashtëzakonshëm të borxhit me 54% në vetëm 4 vite.
Llogaritë e trukuara
Me siguri që tkurrja e dy sektorëve kryesorë dhe të dhënat që flasin për këtë tkurrjenuk munden kurrsesi të justifikojnë dhe të shpjegojnë një krizë të këtyre përmasave. Në vitet e kaluara Greqia ka falsifikuar, rëndshëm madje, llogaritë dhe pasqyrat financiare të shtetit me qëllim që të kapte parametrat e Traktatit të Mastrihtit, e për rrjedhojë të siguronte dhe hyrjen në zonën e euro-s në vitin 2001. Qeveria greke e pranoi që në vitin 2004 se raporti mes deficitit dhe GDP-së nuk kishte qenë më i vogël se 3% që prej vitit 1999; 3% është dhe niveli tavan i këtij raporti i imponuar nga Bashkimi Evropian. Pas fundit të legjislaturës së të djathtëve të “Nea Demokracia” në vitin 2009, kryeministri i ri i sapozgjedhur, Jorgo Papandreu i socialistëve të PASOK-ut, iu desh të shpallte me një siklet të madh se qeveria paraardhëse kishte mashtruar me bilancin dhe shifrat financiare.
Në fakt, për atë vit kur Papandreu bëri shpalljen, raporti mes deficitit dhe GDP-së kishte kapur shifrën e pabesueshme të 12 %, e më pas e tejkaloi edhe këtë shifër dhe shkoi 15.4%. Një raport i posaçëm hetimor mbi krizën i bashkimit Evropian përcaktoi se një nga shkaqet themelore të falsifikimit të raporteve dhe pasqyrave financiare të Greqisë ishte varësia direkte që Instituti Shtetëror i Statistikave në Greqi kishte ndaj klasës politike greke. Ky Institut(si INSTAT-i në Shqipëri) përgjatë gjithë kohës kishte qenë në varësinë e politikës dhe qeverisë greke dhe fitoi pavarësi të plotë vetëm në vitin 2008. Ndër të tjera është e rëndësishme të theksohet se në fillim të vitit 2010 u zbulua dhe u vërtetuar se që prej vitit 2001, Greqia kishte korruptuar agjensinë e kuotimit dhe vlerësimit financiar “Goldman Sachs” dhe banka të tjera investimi, me qëllim që këto institucione të mos bënin publike sasinë e vërtetë të parave që Athina kërkonte si borxh në tregjet financiare. Për më tepër fitimet e vogla nga interesat të përfituara në këtë skemë prej Greqisë, nuk përdoreshin për të shlyer borxhin ekzistues, por për të siguruar të tjera borxhe në bankat e huaja e për të shtuar shpenzimet publike. Në këtë mënyrë paratë shërbenin për të shtuar pagat e nëpunësve shtetërorë dhe për të mbajtur në këmbë një “shtet të majmur” që ishte një ndër shtetet më “zemërgjerë” të Evropës.
Problemet strukturore
Në bazë të të dhënave të para-krizës vlerësohet se në Greqi, evazioni fiskal kap shifrën e 30 miliardë eurove në vit. Kjo shifër, që edhe në vetvete është e konsiderueshme, shndërrohet në një shifër astronomike kur vendoset në raport me popullsinë e Greqisë(11 milionë banorë) dhe e vënë në raport me prodhimin e brendshëm bruto që vlerësohet në 300 miliardë euro. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar75% e punonjësve autonomë grekë(privatët) deklaronin më pak se 12 mijë euro të ardhura vjetore, duke qëndruar nën limitin e taksimit. Gjithnjë sipas të dhënave përpara krizës institucionet e vlerësimit kanë çmuar se ekonomia “e zezë” ose e pa taksuar në Greqi ishte sa 27.5% e GDP-së, përqindja më e lartë, krahasuar me të gjitha shtetet e tjera të eurozonës.
Shpenzimet publike
Një tjetër problem strukturor për ekonominë greke, siç u theksua më lartë ishin shpenzimet publike. Deri para disa vitesh, 80% e shpenzimeve shtetërore ishin të dedikuara në dhënien e pagave dhe pensioneve të sektorit publik: më tepër se 700 mijë persona punonin në administratën publike dhe 25 mijë prej tyre ishin punësuar në vitet 2010-2011, kur situata ekonomike e vendit ishte mëse e shkatërruar dhe kur sapo ishte akorduar kësti i parë i ndihmës ndërkombëtare. Këto shifra shërbejnë edhe njëherë për të kuptuar se pesha e shpenzimeve publike ishte një barrë e rëndë posaçërisht vendimtare për shkatërrimin e ekonomisë greke. Në fakt 2/3 e GDP-së greke derivojnë nga sektori publik aq sa shteti përfaqëson ende në Greqi punëdhënësin më të madh, sikurse e dëshmon dhe numri tejet i lartë i nëpunësve shtetërorë në këtë vend.
Në fund të muajit prill, të dhënat zyrtare faktonin se treguesit e buxhetit kishin dalë nga kontrolli. Defiçiti buxhetor ishte rritur dy herë krahasuar me një vit më parë dhe për ta financuar qeveria po merrte borxh masivisht në tregun e brendshëm. Me Fondin Monetar të larguar, institucioni i vetëm që mund të mbronte financat publike nga rreziku i zgjedhjeve kishte mbetur banka qendrore. Dhe ja çfarë deklaronte Guvernatori Ardian Fullani vetëm një muaj përpara zgjedhjeve: “Banka e Shqipërisë vëren se politika afatmesme dhe afatgjatë fiskale duhet të orientohet më shumë drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik”. Treguesit u përkeqësuan edhe më shumë në maj. Por, sërish për guvernatorin, të cilit maxhoranca e djathtë sapo i kishte dhënë mandatin e dytë shtatë vjeçar shqetësimi për borxhin nuk ishte emergjent, por mbetej afatgjatë.
Por, vetëm një ditë më parë, Banka ndryshoi krejtësisht qëndrim, duke harruar terminologjinë me politika afatmesme dhe afatgjata te 29 majit dhe duke kërkuar tashmë masa emergjente për borxhin. “Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron se marrja e masave të menjëhershme për kontrollin e këtij borxhi do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për reduktimin e pasigurive dhe të primeve të rrezikut në ekonomi”, deklaroi Fullani. Ndërmjet këtyre deklaratave ka kaluar pak me shume se një muaj.
Të dhënat zyrtare dëshmojnë se financat publike nuk u shthurën vetëm në qershor, por kishin dalë nga kontrolli që më parë. I vetmi ndryshim gjatë kësaj kohe ishte rrotacioni i pushtetit, qeveria në detyrë kishte humbur zgjedhjet. Banka e Shqipërisë është institucioni më i pavarur financiarisht në Shqipëri, i pavarur madje deri në ekstrem. Punonjësit e saj kanë një strukturë të mbyllur pagash, të pavarur nga buxheti. Por, jo vetëm kaq. Vetë Banka lejohet të prokurojë para publike, pa garë, me procedura të veçanta, pa iu bindur ligjit për prokurimet.
Privilegje të cilat i janë dhënë edhe më këmbënguljen e fortë të Fondit Monetar apo institucioneve të tjera ndërkombëtare, vetëm për një arsye. Të mbrojë stabilitetin financiar të vendit nga çdo kërcënim, përfshirë ato që vijnë nga politika dhe orekset elektorale të qeverive. Pyetja që shtrohet pas deklaratave të fundit është ajo se kush i kërcënoi kaq keq financat publike në vetëm një muaj? Dhe cila qeveri e ka detyruar guvernatorin të ndryshojë kaq shpejt qëndrim?
Pse auditi po nervozon Mr.Suksesin?
“Shqipëria ka një rritje ekonomike të qëndrueshme, pavarësisht presionit të krizës ndërkombëtare, si shifër në rritje ne renditemi pas Gjermanisë”, – është shprehur disa muaj më parë kryeministri Sali Berisha. Një pretendim, që nëse rezulton i vërtetë do ta shndërrojë me të drejtë Berishën në Mr. Suksesi. Do të skalisë emrin e tij në historinë e vendit, si një njeri që siguroi mbarëvajtjen dhe rritjen ekonomike të vendit në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm krize globale. Berisha e ka një shans që ta vërtetojë pretendimin e tij, duke përdorur madje kundërshtarët e tij politikë si lakmus. Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria e re do të pajtojë një kompani ndërkombëtare auditi për të bërë “bilancin e Shqipërisë”, pra për të zbardhur situatën e për të certifikuar se ku është Shqipëria me financat, me borxhet, me rritjen dhe me kapacitetet shlyerëse të saj. Por ndërsa pretendon dhe trumbeton si sukses rritjen ekonomike gjatë qeverisjes së tij, Berisha ka atakuar publikisht në vetë të parë( por edhe me gojën e kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Bashës) një shans të artë që Rama ua solli në derë , një audit që mund të konfirmojë lehtësisht suksesin e tyre. Po përse e godasin këtë shans të artë? Nëse suksesin e kanë real, ku ka më mirë se një audit i pajtuar nga Rama që i vë vulën arritjeve të Berishës? Me siguri një hall e kanë.
Zbardhja e situatës
Pasi Edi Rama qartësoi se do të nisë punën si kryeministër duke kryer si hap të parë sigurimin e një bilanci real të financave nëpërmjet auditit ndërkombëtar, i pari reagoi Berisha. Në një mbledhje qeverie ai e quajti këtë nismë si një tregues të paditurisë së Ramës në lëmin e financave. Sipas Berishës, Shqipëria auditohet në mënyrë periodike nga institucione si FMN-ja, Banka Botërore e komisioni Evropian. Përpos këtij argumenti Berisha shtoi se çdo operacion financiar qeveria shqiptare e kryen nëpërmjet bankave dhe thesarit të shtetit, duke nënkuptuar se veprimet qeveritare ishin dyfish ose trefish të kontrollueshme. Pas Berishës doli Lulzim Basha, në cilësinë e kreut të Partisë Demokratike. Ai goditi në mënyrë të posaçme një tjetër nismë të Ramës, atë për reformimin dhe pavarësimin e Institutit të Statistikave, INSTAT-it. Të dyja drejtimet ku Berisha-Basha kanë goditur nismën e Ramës nuk janë dhe aq të rastësishme.
Treguesi grek
Shqipëria e ka Greqinë te dera dhe pati mundësinë të shohë e të ndjejë nga afër rrënimin dhe rënien pikiatë të sistemit financiar grek sa hap e mbyll sytë. Qeveria greke nga ana e saj nuk i kryente operacionet financiare me torbë në krahë, nëpërmjet bankave dhe thesarit të shtetit operonte dhe ajo. Operacionet e saj bankare madje, ishin edhe më të monitoruara se Shqipëria, pasi ishte Banka Qendrore Evropiane që e monitoronte, ishte Instituti i Statistikave të BE-së gjithashtu që e mbante në vëzhgim por….prapë nuk ia dolën. Një ndër arsyet themelore që nuk ia dolën ishte tutela dhe dominimi i qeverisë greke mbi Institutin e Statistikave të Greqisë(Institutin analog këtu në Tiranë e ka me merak Lulzim Basha). Qeveria greke, kishte deformuar të dhënat dhe raportimet e saj tek partnerët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Një pjesë të të dhënave , sidomos të dhënat në lidhje me borxhet që Greqia kërkonte në tregjet ndërkombëtare, kishte mundur ti trukonte edhe falë ryshfeteve që i kishte dhënë disa institucioneve ndërkombëtare. Por problemi real ishte Instituti i Statistikave në Greqi. Ky institut ishte përgjegjës që shteti dhe qeveria greke të mbulonte për vite të tëra borxhin stratosferik të brendshëm dhe të nxiste marrjen e të tjera borxheve për rritjen e pagave dhe pensioneve. Në këtë mënyrë Greqia hyri në një skemë shtetërore piramidale dhe siç është karakteristikë e të gjitha skemave “Ponzi”, pikërisht në momentin kur dukesh sikur je më i begatë se kurrë, zbulon se ke prekur fundin e greminës. Instituti i statistikave në Greqi e fitoi pavarësinë e tij të plotë nga politika dhe qeveria në vitin 2008, por Instituti i Statistikave në Shqipëri është kryekëput nën varësinë qeveritare, madje shumë herë më i varur nga ç’ishte instituti grek para vitit 2008. Precedenti grek duket më se i mjaftueshëm për të bërë “nul” të gjitha kundër- argumentet Berisha-Basha ndaj auditit ndërkombëtar. Kemi shembullin e shtetit fqinj, ku rezultoi se qeveria greke “ia luajti fenë” me bilancet dhe pasqyrat financiare shtetërore, madje mundi ta bënte këtë duke qenë edhe më e monitoruar se Shqipëria. Rezultatet e Auditit të njoftuar nga Rama, nuk është se do jenë ndonjë risi për vetë Berishën, ai e di mirë situatën reale, por do jetë zbardhje dhe shpallje e një të vërtete publikisht. E vetmja gjë që mund të bëjmë deri atëherë është të shpresojmë për më mirë, ndoshta jo aq mirë sa Gjermania, por dhe jo aq nxirë sa Greqia.
Berisha për Auditin
“Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me ‘gropën’ e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë dhe të dhënat e tij janë të dhënat ndërkombëtarisht më të besueshme. Po kështu edhe të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian. Shteti shqiptar i kryen të gjitha operacionet financiare nëpërmjet bankave dhe Thesarit dhe asgjë nuk është e pakontrollueshme”.
Basha për INSTAT-in
“Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet dhe është një propozim për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është INSTAT që opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka shkuar për shtat. Projekt i rrezikshëm antishtet me qëllim manipulimin e të vërtetës, duke vërtetuar se premtimet piramidale të 23 qershorit që ishin skema e mashtrimit po sjellin kosto pas kostos, dhe pjesë e kësaj është tentativa për të manipuluar të vërtetave për fshehjen e dështimeve dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale. PD do mbrojë INSTAT si zë i besueshëm dhe në mbrojtjen e të vërtetës si është, demaskimin e përpjekjes pa u instaluar në pushtet”