FT: Shqipëria po përpiqet të dalë nga gropa

editor

Shqipëria u la mënjanë, ndërkohë që shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kishin nisur rrugën e gjatë të anëtarësimit për në Bashkimin Evropian. Tashmë, ajo ka mundësinë për t’i arritur ato. Në tetor, Komisioni Evropian i hapi dritën e gjelbërt Tiranës për të filluar bisedimet e anëtarësimit, tre vjet pas refuzimit të aplikimit të parë të saj. Një arritje e vendit u pa në qershor, kur zgjedhjet parlamentare u përcaktuan si të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që u pasuan nga një kalim i butë i pushtetit.
”Statusi i vendit kandidat do të ishte i favorshëm për kryerjen e reformave dhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj që vendi po lëviz në drejtimin e duhur”, thotë Timothy Ash, analist i tregjeve në zhvillim në ”Standard Bank”.
”Ka mundësi që bisedimet të zgjasin, pasi asnjë vend kandidat i Ballkanit Perëndimor, që përfshin Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë nuk pret që t’i bashkohet unionit deri pas 2020-s”, sipas një zyrtari evropian në Tiranë.
Sidoqoftë, bisedimet (për anëtarësimin e vendit – shën. përkth.) tregojnë se Shqipëria, një nga vendet më të varfëra dhe më të izoluara të Evropës, po i afrohet pjesës tjetër të kontinentit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, koalicioni i të cilit, i udhëhequr nga socialistët, fitoi zgjedhjet e qershorit, ”Shqipëria është e përgatitur të ndryshojë”.
”Ne kemi nevojë të korrigjojmë një traditë të paparashikueshmërisë fiskale dhe të fokusohemi te korrupsioni, veçanërisht në dogana dhe administrimin e taksave”, thotë Rama, i cili ka qenë edhe kryetar bashkie i Tiranës.
”Ne duhet t’u bëjmë të qartë investitorëve se këtu nuk ka më shumë rrezik sesa në vendet e tjera”, shton ai.
Shqipëria ka burime të pasura minerare, përfshirë fusha naftëmbajtëse si edhe rezervat më të mëdha të kromit në Evropë. Ajo është shndërruar në një vend të prodhimit me kosto të ulët të tekstileve, të veshjeve dhe këpucëve për tregun italian, ndërkohë që ka investime edhe nga kompani greke dhe turke.
Mihal Masuraqis, kryeekonomist i bankës ”Alpha Bank” në Athinë thotë se në vend ”ka një dinamizëm në ekonomi, pavarësisht krizës. Shqipëria ka ecur më mirë sesa vendet e tjera të Evropës Juglindore… ndoshta pasi ajo është ende në hapat e parë të zhvillimit ekonomik dhe pasi ekonomia informale është ende në shkallë të gjerë”.
Por, 20 vitet e një zhvillimi kaotik, pas daljes nga vetizolimi komunist dhe një valë emigrimi nga të rinjtë shqiptarë, kanë frenuar shumë investitorë. Qeveritë e kaluara janë përpjekur për ndërtimin e institucioneve të një shoqërie civile dhe për forcimin e shtetit ligjor.
Shqipëria u rendit e 90-a, nga 189 vende, në raportin e fundit të Bankës Botërore për lehtësinë e krijuar ndaj bizneseve, por u rendit e fundit në çështjen e marrjes së lejeve të ndërtimit dhe e 158-a për garantimin e sigurimit të energjisë elektrike. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto për frymë ishte 4,149 dollarë vitin 2012, një nga më të ulëtit në Evropë.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ofruar një program për frenimin e korrupsionit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, ndërkohë që Ministria e Ekonomisë ka sjellë në Shqipëri ”Crown Agents”, një kompani britanike, për të ristrukturuar shërbimin doganor.
”Rritja ekonomike është ngadalësuar këtë vit, edhe pse ajo është ende në shifra pozitive. Një rënie e investimeve të huaja direkte dhe një rënie e ndjeshme e remitancave nga shqiptarët që punojnë në Itali dhe Greqi, të goditura nga recesioni, ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike në 1,2 për qind nga 1,6 për qind në 2012”, thotë Arben Ahmetaj, ministri i Ekonomisë.
”Ne vlerësojmë se do të duhen dy vjet përpara se ne të rikthehemi te rritja mbi katër për qind”, shton ai.
Qeveria e re nuk duhet të shohë larg për sfida. Kur mori pushtetin, ajo gjeti një borxh që vlerësohet 400 milionë euro ndaj bizneseve dhe pagesave të prapambetura të TVSH-së, që mund ta çojnë borxhin publik në pothuajse 70 për qind të PBB-së për këtë vit, nga 59 për qind që ishte në vitin 2010.
Rama i ka kërkuar ndihmë FMN-së për konsolidim fiskal dhe reformë strukturore si edhe Bankës Botërore një program fleksibël për rritjen ekonomike që mund të krijojë bazat për një zhvillim të qenësishëm.
”Në kemi nevojë të hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit ekonomik rajonal që përfshin sigurimin e energjisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e tregtisë, pa harruar çështjet që lidhen me arsimin dhe mjedisin”, thotë Rama.
Kompanitë shqiptare kanë kërkuar të zgjerohen në Kosovë, që ka një treg me madhësi të ngjashme me Shqipërinë dhe popullsi etnike shqiptare.
Një autostradë me vlerë 600 milionë euro, me reliev malor dhe 170 kilometra e gjatë, nga Tirana deri në kufirin me Kosovën, është projekti më i madh infrastrukturor i Shqipërisë deri tani dhe ka shkurtuar kohën e udhëtimit nga Tirana në Prishtinë deri në tri orë.
Dhe Kosova është burimi më i madh i turistëve të huaj që vizitojnë bregdetin spektakolar, por të pazhvilluar të Shqipërisë.
”Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë po hap më shumë mundësi biznesi”, thotë Gazmend Haxhia, biznesmen shqiptar dhe themelues i ASG-së, agjenci turistike dhe makinash me qera për turistët në Ballkanin Perëndimor.
”Tashmë ne kemi një hapësirë më të madhe për të operuar dhe perspektiva të mira për partneritet”, shton ai.
Shqipëria planifikon që të shfrytëzojë afërsinë e saj me Italinë dhe Greqinë për të ofruar koncesione për investitorët e huaj për ndërtimin dhe shfrytëzimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës dhe logjistikës, pjesërisht të financuara nga institucionet multilaterale. Ajo shpreson se kjo do të ndihmojë në integrimin e vendit me partnerët potencialë të Bashkimit Evropian.
Një projekt që po diskutohet është koncesioni për ndërtimin e një porti komercial pranë Lezhës që do të shërbente si Kosovës, që nuk ka dalje në det, dhe Serbisë Jugore. Kjo do të lehtësonte presionin ndaj portit të Durrësit, porti kryesor i vendit, i ndërtuar në breg ranor që ka gjithmonë nevojë për t’u thelluar.
Banka Islamike e Zhvillimit dhe Abu Dhabi po financojnë 125 milionë euro për një seksion prej 55 kilometrash autostradë në jug të Shqipërisë që do të shkurtojë me dy orë rrugën nga Tirana në kufi me Greqinë.
”Me burime të mëdha hidroelektrike në veriun malor të vendit, ka shumë shpresa që Shqipëria një eksportues i rëndësishëm i energjisë elektrike drejt Ballkanit dhe Evropës Qendrore”, sipas ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri.
”Statkraft of Norway”, prodhuesi më i madh i energjisë në Evropë, po punon për një projekt me vlerë 540 milionë euro për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Devollit, pasi bleu 50 për qind të aksioneve nga projekti i grupit austriak ”EVN Group”. Me një kapacitet të kombinuar prej 240 megavatësh, dy hidrocentralet do të rrisin prodhimin energjetik të Shqipërisë me të paktën 20 për qind.
Mosmarrëveshja aktuale e qeverisë me një partner shpërndarjeje tregon problemet me të bërit biznes në Shqipëri.
ERE, rregullatori shtetëror i energjisë, në fillim të këtij viti i hoqi licencën e shpërndarjes kompanisë ”CEZ Shpërndarje”, një filial i një grupi çek energjie, me justifikimin se dështoi në plotësimin e kushteve të kontratës për të eliminuar humbjet në rrjetin e shpërndarjes.
CEZ-i ofroi 76 për qind të aksioneve, pasi nuk ishte në gjendje të grumbullonte rreth 40 milionë euro borxhe që i kishin kompanitë vendase.
Kompania çeke ka deklaruar se do t’i drejtohet arbitrazhit.
”Por, qeveria kërkon që më mirë të bëjë bisedime të drejtpërdrejta me CEZ-in sesa t’i nënshtrohet një procesi të gjatë arbitrazhi që mund të dëmtojë reputacionin e vendit te investitorët e huaj”, thotë Gjiknuri.
”Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë për këtë problem”, thekson ai.
Shqipëria ka mundësi të reduktojë varësinë e saj nga energjia e prodhuar nga hidrocentralet falë pjesëmarrjes në projektin ”Trans Adriatic Pipeline”, TAP, që sjell gazin natyror nga Azerbajxhani në Itali nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë Jugore. Një gazsjellës me gjatësi 200 kilometra dhe me vlerë 450 milionë euro, do të ndërtohet në kufi me Greqinë përgjatë bregdetit deri pranë portit të Vlorës.
Nënkontraktorët lokalë pritet të përfitojnë nga ndërtimi i këtij gazsjellësi duke krijuar rreth 5 000 vende pune.
Një konsorcium nën drejtimin e ”British Petroleum” planifikon të transportojë me anije 10 miliardë metra kub gaz në vit nëpërmjet gazsjellësit duke filluar nga 2019-a dhe duke e rritur në 30 miliardë metra kub për të diversifikuar burimet e Bashkimit Evropian me gaz nga Rusia.
”Ne presim të marrim një miliard metra kub gaz në vit për konsumin vendas. Së bashku me burimet hidrike… ky projekt do të largojë paqartësitë për furnizimin me energji, kështu që do të ndihmojë të tërheqë më shumë investitorë”, thotë Gjiknuri.

Investitorët grekë në kërkim të një rikthimi të suksesshëm në Shqipëri

Për një kompani greke një investim i rrezikshëm përtej kufirit, në Shqipëri, ka dalë një sukses i vërtetë. Spitali ”Hygeia”, një grup privat i specializuar në shëndetësi, ndërtoi një klinikë prej 60 milionë eurosh në Tiranë që i shërben klasës së mesme të popullsisë, që është në rritje.

Tre vjet më vonë investimi filloi të jetë shumë fitimprurës, madje duke u shndërruar në një model për një pjesë të mirë të spitaleve të reja private në shumë vende të zhvilluara.  “Duke qenë se në Shqipëri kishte mangësi të theksuara të një infrastrukture të cilësisë së lartë në fushën e shëndetësisë, njerëzit detyroheshin të udhëtonin jashtë vendit si për shembull në Itali, Austri ose Turqi për t’u kuruar”, thotë Stavros Krasadhaqis, drejtori ekzekutiv i ”Hygeia”-s për Tiranën.
“Ne menduam që të mbulonim këtë treg me një spital të cilësisë së lartë, por për habinë tonë, përveç klientëve shqiptarë filluan të vijnë edhe shumë kliente nga vendet përreth si Kosova dhe Mali i Zi”, shton ai. Spitali ”Hygeia” në Tiranë ka shtuar gjithashtu një klinikë pediatrie, një maternitet, një klinikë për fertilizimin ”in vitro” dhe një pajisje gjermane për sytë, të teknologjisë së lartë, të specializuar në trajtimet me lazer.
Me 90 shtretër dhe një staf mjekësor prej 110 mjekësh, duke përfshirë disa specialistë grekë, spitali ka një certifikatë ndërkombëtare për turizmin mjekësor.
“Madje, ne kemi mjekë italianë që vijnë për të operuar disa pacientë bashkatdhetarë, të cilët nuk mund të përballojnë koston shumë të lartë të operacionit në vendin e tyre”, thotë Krasadhaqis. ”Hygeia” gjithashtu kërkon të luajë një rol të rëndësishëm në modernizimin e sektorit publik të mjekësisë në Shqipëri, madje ajo është duke u përkujdesur për një projekt të USAID-it, një shoqatë që ndihmon në zhvillimin e vendit, i cili synon të rrisë nivelin e shëndetësisë në spitalet publike duke përmirësuar kontrollin e infeksioneve.
“Ajo do të hapë edhe tre klinika të tjera vitin e ardhshëm në disa qytete të vendit, me një infrastrukturë të specializuar në mjekësinë parandaluese, një fushë që do të marrë edhe më shumë vëmendje me rritjen e të ardhurave”, shpjegon drejtori i ”Hygeia”-s. 
Ndërsa lëvizja e kryer nga ”Hygeia” ishte një sukses, një investitor tjetër grek në Shqipëri ka pasur më shumë vështirësi. Për “Titan Cement”, një lider rajonal i kësaj fushe që është i shtrirë në Greqi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, lëvizja drejt tregut shqiptar duket si një hap mëse i natyrshëm. Për të ulur rreziqet, ”Titan”-i ka bashkëpunuar me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim si dhe me Korporatën Financiare Ndërkombëtare, filiali i investimeve i Bankës Botërore dhe këto institucione do të kenë 20 për qind secila të kapitalit të “Antea”-s, filiali shqiptar i grupit “Titan Cement”. Por, puna e impiantit të çimentos prej 200 milionë eurosh i Antea-s përkoi me fillimin e krizës në Evropë duke u kënaqur me një treg që mbulohej kryesisht nga të ardhurat e emigrantëve duke bërë që konsumi shqiptar i çimentos të binte në 1,5 milion tonë në vit, shifër kjo e barabartë me kapacitetin prodhues vjetor të Antea-s.
”Konkurenca e çimentos italiane me çmim të ulët shtoi vështirësitë e ndërmarrjes”, thotë Mike Sigalas, drejtori rajonal për Evropën Juglindore i Titan-it. Çmimet u rritën ndjeshëm kur qeveria shqiptare vendosi një taksë prej 35 eurosh për ton për importin e qymyrit dhe naftës që përdoren si karburant për furrat e Antea-s, kompania përfiton gjithashtu 30 milionë euro në TVSH që i shpërndahet investitorëve të huaj.
Të dhënat tregojnë se Antea do të përqëndrohet më shumë në eksport, ndërsa pret që tregu vendas të marrë veten. “Shqipëria ka shumë nevojë për ndërtimin e infrastrukturës dhe ne kemi shpresa të mëdha në këtë treg”, thotë Sigalas.
Marrë nga Financial Times:http://www.ft.com/cms/s/0/71e6c8dc-5dc9-11e3-95bd-00144feabdc0.html#axzz2ncgNlFmN
Share This Article
3 Comments
  • SHQYPNIA KA SHPRESA TE DALE NGA “GROPA E ZEZE” KU E FUTI ENVERI ME SALIUN.

    Keshtu do te ishte me e drejte te titullohej shkrimi pozitiv per vendin tone nga presitgjozja Financial Times. Sepse Shqypnia jone dikur si nje LULE MALI ishte duke u zhvilluar njesoj si te gjitha vendet e tjera te rajonit dhe Shkodra jone mund te quhej me krenari si nje Venecie – Venice ne Ballkan. LEKU shqyptar kembehej ne te gjitha bankat e Evropes me nje kenaqesi te jashtezakonshme dhe shqyptaret bridhnin tere Boten me pasaportat e tyre te respektuara nga te gjitha agjenturat dhe policite e Botes. C’nodhi me pas? Ne daten e ZEZE 29 nentor te vitit 1944 Enver Hoxha qe kishte hedhur poshte oferten angleze ne Mukje per bashkimin e trojeve shqyptare ne nje shtet te vetem me kushtin qe Shqypnia te pranonte sistemin Perendimor te Drejtimit te Shtetit, ky ANTIKRISHT i pabese implementoi sistemin bolshevik te imponuar nga Moska dhe Beogradi duke spiunuar tek fashistet shoket dhe kundershtaret e vet nga shtepia e kunatit te vet kuisling Bahri Omari per te betonuar pushtetin e tij te pakufizuar. Kur mbeti ne Dimrin e Vetmise se tij te Madhe falimentoi ekonomine dhe renoi shtetin perfundimisht. Sali Berisha vazhdoi kauzen e Partise se Punes per te siguruar familjen Hoxha dhe mbajti me nje besnikeri te habitshme 23 vjet pas renies se Murit te Berlinit titullin e REZILIT per Enver Hoxhesn si HERO i popullit dhe HERO i punes socialiste, si edhe Piramiden Famekeqe te tij, te projektuar nga Kolaneci ne qender te Tiranes. Nga ana tjeter cdo 5 maj dhe cdo 29 nentor Saliu dhe e gjithe PD-ja komuniste e tij shkojne dhe bejne homazhe tek varrezat e deshmoreve te Enverit,shumica kriminele te Sigurimit te Shtetit dhe nuk e kane vrare asnjehere mendjen per kete LAPSUS ideollogjike te Partise se tyre e deklaruar si e krahut te Djathte dhe kur Shqypnia ka deklaruar boterisht qe kerkon t’i bashkohet BE-se pa kushte paraprake.

  • Ku shkojmë?! Flitet shumë për edukimin atdhetar. Thuren e lakohen pa mbarim teori nga më ekstremet. Po në praktikën e përditshme si veprohet? Ja një shembull konkret:
    Dëgjojmë shpesh sondazhe që bëjnë gazetarë të ndryshëm me të rinjtë për data të rëndësishme historike si 28 dhe 29 Nëntori, apo për figura madhore të historisë sonë si Skënderbeu, Ismail Qemali, Fan Noli, A.Zogu, E.Hoxha etj., në të cilat gjejnë përgjigje aq naive dhe qesharake, sa që e vënë në dyshim gjithë kalanë e reklamës patriotike.
    Këto ditë u mbushën 71 vjet nga vrasja e Heroit të Popullit Emin Duraku. Shkolla 9-vjeçare që mban emrin e tij në qendër të Tiranës nuk e pa të udhës që të zhvillonte asnjë veprimtari, as si shkollë e as ndonjë klasë e veçuar. Nxënësit e pyetur se ç’dinin për të, përgjigjen me fjalën “nuk e di”, veç ndonjë i rrallë na tha se ishte luftëtar i Luftës së Dytë Botërore, po asgjë më tepër.
    Ku shkojmë kështu? Ky është vetëm një element i vogël, po që flet shumë për nivelin e shkollës sonë. Në këto shënime është e nevojshme që të theksojmë që edhe Ministria e Arsimit të merret më seriozisht me përmbajtjen e shkollës, larg elementeve dytësore dhe reformave fasadë.

  • Berisha duhet izoluar. Çfarë pret drejtësia? Ky njeri, që njeri nuk është, si arrin si një halabak dhe i bën popullit thirrje të çohet në këmbë dhe të rrëzojë qeverinw qw populli vetw sapo e ka zgjedhur?! Ç’është ky i papërgjegjshëm, përse mban sehir Prokuroria? Çfarë mendon ky ditëzi, se Shqipëria është pronë e tij?! As në Viçidol nuk i takon tokë. Ky person qënka një ekzemplar për prapësira. Boll më, se qenke i pafytyrë! Populli do qetësi, nuk do nxitës të së keqes si ky, që mos ja dëgjofshim më emrin. Kjo palo drejtësi duhet të veprojë, jo kur t’i ngelet hala në fyt.
    I them kryetarit të Parlamentit se nuk është vënë në krye të dikasterit më të rëndësishëm që ky palo burrë të na flasë sa herë t’i teket. Ore, ky person, si në maxhorancë, si në opozitë, kërkon të bëhet e tija. Ta harrojë. Na del zëdhënësi i partisë, Basha, dhe na thotë nëpër konferenca, që u hoqën kaq dhe aq nga puna. Kur morët ju pushtetin, ju të djathtët hoqët dhe pastrueset. Për mendimin tim, dhe të majtët t’i heqin me rrënjë, se të majtët nuk do të punojnë me punonjësit e Berishës. Këta pa pushtet dhe prapë drejtojnë militantët e tyre nëpër dikastere. Kështu që ju nuk keni gojë dhe të flisni për maxhorancën aktuale. Berisha, je bërë një person shumë i neveritshëm për gjithë popullin mbarë. Respekte gazetës së nderuar Dita, që ju stafi i saj, gazetarët dhe opinionistët tuaj po lartësojnë vlerën e saj. Respekte, P.M., Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *