Nga Bashkim Koçi
Më duhet që këtë ngjarje tragjike të padëgjuar ndonjëherë në Prishtë të Skraparit, ta tregoj ashtu siç ka ndodhur, ashtu si ma ka treguar im atë dhe bashkëfshatarë të tjerë, të cilëve ajo ngjarje u është rrënjosur në kujtesë si “Borova” e Prishtës. Ka qenë qershori i ’44-ës, saktësisht data 5 e atij muaji. Italia fashiste kishte kapitulluar qysh në shtataor të vitit 1943. Forcat gjermane, ishin e nga s’ishin, bëheshin gati për t’i “lënë shëndenë” Shqipërisë, për të marrë laçka e plaçka e të shkonin andej nga kishin ardhur. Humbja i kish egërsuar, i kish bërë si ajo bisha e plagosur që kafshon e shqyen ç’gjen përpara. Kështu ndodhi, këtë fat pati edhe Prishta. Ushtarët gjermanë vinin nga Korça. Në Prishtë hynë nga fshati Çepan, gjë për të cilin lajmi u mor vesh shumë shpejt.
Sapo u futën në fshat, të parës që i vunë flakën ishte shkolla. Kishin marrë vesh që ajo ishte e mbushur plot e përplot me municione, armë, bomba, mortaja e fishekë e që ishin gati për t’i dërguar tek formacionet partizanë që luftonin në ato anë. Nga djegia e saj mori “flakë” i gjithë fshati. Si ajo ditë! Ata që e përjetuan ngjarjen, panë me sytë e tyre egërsinë, sjelljen shtazarake të ushtarëve gjermanë, e cila vetëm njerëzore nuk mund të ishte. U dogjën 12 shtëpi, ku u përfshinë lagjia e Bekteshajve, Dervishllarët dhe Durollarë. Ua vunë syrin atyre që kishin mbështetur luftën kundër nazifashizmit. Ata që e morën vesh më herët (burrat), sa pa hyrë forcat gjermane, u larguan, u fshehën në pyll apo korijet me dushk, aty afër fshatit. Në shtëpitë e braktisura mbetën vetëm gratë. Por nazistët mundën të shtinin në dorë disa nga prishtallinjtë. Ata ishin që të gjithë nga lagjia e Hoxhajve: Hajdar Xhezoja (Hoxha), Faik Tahiri (Hoxha), Tahir Hasani (Hoxha), Haki Xhakoja (Koçi), Bakush Fejzua (Muçi), Abaz Guçja (Kotobelli), Zenel Feimi (Muçi).
Këtu fillon tragjedia. Një nga “pengjet’, Faikun, gjermanët e vranë pa u nisur për “rrugë”. I vunë plumbin, e pushkatuan për shkak të një kundërshtimi që, asnjë nga ata që u ndodhën aty, nuk e mori vesh për çfarë. E vranë në sy të djalit, Veliut, i cili ishte fare i vogël, vetëm një vjeç. E mbante në krah e ëma, Merzaia. E lanë të vdekur në vend dhe mandej, duke u rënë me qytat e armëve, atyre që i kishin vënë në rresht, morën rrugën drejt teqesë. Robërit, nëse do t’i quanim kështu, filluan t’i trajtonin si kafshë. I ngarkuan me kuti të mëdha metalike, të cilat ishin mbushur me ushqime, kryesisht me produkte blegtorale, djathë e gjalpë. Kur mbërritën afër një shkëmbi, një “peng” tjetër, Tahiri, bëri përpjekje t’u shpëtonte. U hodh në shkëmb dhe mori rrokullimën drejt përroit. Terreni ishte krejt i zhveshur. Nuk kish asnjë mundësi për t’u ruajtur nga breshëria e plumbave të ushtarëve gjermanë. Dhe kështu ndodhi. Breshëria e armëve bëri që trupi i tij të bëhej “shoshë” nga plumbat dhe dha shpirt pa mbërritur tek përroi në fund të shkëmbit. Gjermanët, pasi vranë Tahirin, po tregoheshin vigjilentë për të mos u ikur të tjerët. Kur sosën në teqe, grabitën ç’të mundnin. Me vete morën edhe një dervish që kish mbetuar aty, mëkëmbësin e Baba Kamberit, dervish Aliun. Vargani, robërit përpara e ushtarët mbrapa, vijonte të ecte drejt rrugës me destinacion Sukën e Përmetit, mandej, nuk dihej se ku. Kur u afruan tek vendi që quhej Dërrasa e Lëqyshit, pikërisht aty ku poshtë rrugës ndodhet një masiv shkëmbor në trajtë stene, njëri nga pengjet, Hakiu, pasi i dha një goditje të fortë ushtarit gjerman me kazanin që mbante në krah, mori të tatëpjetën. U hodh vetëtimthi aty ku ndodhej stena dhe manovroi mençurisht për t’u shpëtuar plumbave. Ushtarët qëlluan me breshëri, por falë pyllit me dru shkoze dhe gjelbërimit të hazdisur të muajit qershor, që nuk të linte të shikoje as një metër për të dalluar trupin e “dezertorit”, ai i shpëtoi vdekjes. E mori vetëm një plumb, i cili vetëm sa e përzhiti pak përmbi rrëzën e veshit, duke ia flakur qylafin pellush që mbane në kokë. Hakiu u kthye në shtëpi dhe u vendos tek shtëpia e xhaxhait të tij, Musait dhe plagën filloi t’ia mjekonte e emta, me gjalpë të tretur dhie.
Udhëtimi vazhdoi më tej. Nuk dimë pse, por dervish Aliun gjermanët e pushkatuan tek një çezëm, Gurra e Tavos i thoanë. E gjetën pa jetë disa ditë më pas disa fshatarë nga Prishta, të cilët i zuri rruga andej. Kur arritën në Sukë të Përmetit, nga që e ndienin veten të lodhur e të rraskapitur, karvani qëndroi për të pushuar. Dy kushërinjtë, Bakushi me Zenelin e shfrytëzuan mjeshtërisht situatën. I kërkuan lejë ushtarit gjerman, me demek do të kryenin nevojat personale. Gjermanët “e hëngrën”, u thanë “gut, gut”, duke mos u shkuar ndërmend se “shqipot” do t’i linin të turpëruar. Ata u futën në përrua dhe, sakaq, u zhdukën si era. Manovruan nëpër rrapishtet që vishnin anët e përroit dhe gur më gur e ledh më ledh, iu qepën të përpjetës që të çonte drejt Qafës së Kajcës, e më tej për në Prishtë. Kaluan disa çaste që ushtarët gjermanë do të mundnin të merrnin vesh e të kuptonin se “robërit” u kishin thënë “lamtumirë!”. Ata që pretendonin të pushtonin botën, të përballeshin e të mundnin brigada e batalione ushtrish të armatosura deri në dhëmbë, nuk mundën të mbanin, të bënin zap pesë fshatarë “me duar në xhepa”. U lanë “pendët” të gjithë. U mbetën vetëm dy robër, Abaz Guçja dhe Hajdar Xhezoja, ku ky i fundit përfundoi në kampin e robërve të luftës në Selanik. Në Selanik Hajdar Xhezua (Hoxha) u vendos, ashtu si të gjithë robërit, në një nga kampet më famekeq të quajtur “Pavllo Melka”. Aty në kamp u bë edhe “seleksionimi”: dikush do të mbahej për ta çuar në frontin e punës, dikë tjetër do ta pushkatonin. Seleksionimi është bërë mbas mesnate, rret orës 3 të mëngjesit. Jeta varej vetëm nga gjendja shëndetësore e personit. Hajdar Hoxha, mesa duket, i shpëtoi kësaj masakre, sepse ishte i ri dhe në gjendje të mirë fizike për të punuar. Ai, sa qe gjallë, tregonte shpesh se si në atë kamp famëkeq ishte ekzekutuar Heroina e Popullit Fato Berberi. Hajdar Hoxha u kthye në Prishtë pranë familjes pas Çlirimit të vendit. Duhet të ketë qënë muaji dhjetor i vitit 1944. Dy emra prishtallinjsh, ai i Faik Tahirit (Hoxha) dhe Tahir Hasanit (Hoxha), të cilët u vranë nga dora e ushtarëve fashistë, për një periudhë 40-vjeçare u konsideruan “viktima lufte”. Mbas proceseve demokratike, ata janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Në foto: Faik Hoxha dhe Tahir Hoxha
More po Skrapari u clirua ne 5 shtator 1942,,Cdonin gjermanet ne Skraparin e cliruar ne 5 qershor 1944?
Nuk e dinin ATA qe Skrapari ishte cliruar?Festa Skraparit
Shoku Sulo,Car thotee Marenglenini pe Gramshi?
Skrapari e shpalli diten e clirimit e eshte sakte, Por ndodhi si Shqiperia qe shpalli demokracine Por eshte kthyer ne dhjerokraci.