Thonë se është zbuluar nga mjeku Ancel Benjamin Keys. Tashmë është njohur nga UNESCO dhe është përfshirë në listën e trashëgimive të njerëzimit që në vitin 2010.
Drithëra, fruta, perime, fara dhe vaj ulliri. Përdorim i rralluar i mishit të kuq dhe yndyrave shtazore, konsumim i moderuar i peshkut, mishit të bardhë (pulave), bishtajoreve, vezëve, produkteve të qumështit, verës së kuqe dhe ëmbëlsirave.
Mbi 10 000 studime, nga të cilat pothuajse 5 000 në pesë vitet e fundit, tregojnë se ky model ushqimor është i pranuar shkencërisht si aleat në ruajtjen e shëndetit të njeriut dhe si një mënyrë për të mbrojtur organizmin nga sëmundjet kronike dhe inflamatore.
Kjo dietë asociohet me një jetëgjatësi të lartë tek të rriturit dhe rrezik më të ulët të sëmundjeve serioze kronike kardiovaskulare dhe vaskulare, diabetit të tipit 2, kancerit, astmës dhe alergjive.
Disa e njohin edhe si “dieta mesdhetare” për shkak se dikur ka qenë shumë e pranishme, veçanërisht në jugun e Italisë, ku pardoksalisht tani është përherë e më pak e pranishme.
Sondazhe të ndryshme mbi konsumin e ushqimit, të kryera nga Instituti Kombëtar i të Ushqyerit, tregojnë se si qytetarët e Italisë Jugore janë larguar nga zakonet e tyre të mëparshme, duke braktisur këtë dietë dhe duke rritur ndjeshëm konsumin e mishit, peshkut, yndyrave dhe sheqernave.
Braktisja e kësaj diete, dikur mbizotëruese në këtë zonë, ka prekur jo vetëm Italinë, por të gjitha vendet e zonës mesdhetare. Ndërkohë që ato të Europës Veriore dhe disa vende të tjera të botës po e zbulojnë së fundmi dhe po përpiqen ta aplikojnë në mënyrën sesi ushqehen.
Jo më kot, mbipesha tashmë prek katër në dhjetë të rritur (tre mbipeshë dhe një obez) në Itali dhe është karakteristikë më e shpeshtë tek njerëzit me vështirësi ekonomike dhe tek njerëzit me nivel të ulët arsimor.
Braktisja e “dietës së tyre” të dikurshme, nga italianët dhe popullatat e tjera mesdhetare është e lidhur me stilin e tyre të sotëm të jetesës dhe kushtet ekonomike. Thelbësore është rritja e çmimeve të ushqimeve tipike të kësaj diete, veçanërisht frutave dhe perimeve. Kjo ka bërë të përqafohet në masë përpunimi dhe konsumi i produkteve pak a shumë të industrializuara të dietave perëndimore. Shkaqe të tjera të braktisjes së dietës mesdhetare janë pabarazitë socio-ekonomike të shoqërive aktuale industriale përballë shumëllojshmërisë ushqimore, aksesit në ushqime organike, vendeve të blerjes dhe konsumit të vakteve me rritje gjatë krizave ekonomike. Në veçanti, në kohë krize, shoqëritë mesdhetare i orientojnë zgjedhjet e tyre drejt ushqimeve të dietës perëndimore, të pasura me ushqime të shpejta dhe të lehta për t’u konsumuar, si drithërat e rafinuara, yndyrat shtazore, sheqernat dhe mishrat e përpunuar, ndërsa reduktohet përdorimi i bishtajoreve, drithërave, frutave dhe perimeve.
Ndikim të rëndësishëm në braktisjen e dietës mesdhetare kanë ndryshimet që lidhen me kalimin e popullatave nga një kulturë bujqësore në atë urbane, çka përmbys tërësisht zakonet e të ngrënit jo vetëm në shoqëritë mesdhetare evropiane, por edhe në vendet në zhvillim, të cilat gjithnjë e më shumë po adoptojnë dietat perëndimore.
Në këtë tablo të ndryshuar me shpejtësi, duke marrë parasysh një katering masiv gjithnjë e më të përhapur, mund të shihet se në ushqimin e shpejtë dhe forma të tjera të reja të të ngrënit jashtë shtëpisë, mungojnë kryesisht frutat dhe perimet, të cilat në disa raste pothuajse nuk ekzistojnë.
Së fundi, në kuzhinën e shtëpisë, shumë pjata tipike të dietës mesdhetare, të cilat kërkojnë pak a shumë kohë të gjatë gatimi, zëvendësohen me gatimet e shpejta.
Ndaj dieta mesdhetare sot është bërë një privilegj i të pasurve që mund të përballojnë ushqime organike, ato pa aditivë dhe konservues, të paindustrializuara.
Braktisja e kësaj lloj diete ndjek një gradient socio-ekonomik dhe mbi të gjitha prek njerëzit me të ardhura më të ulëta, të cilët – sigurisht kjo nuk është rastësi – kanë përqindjen më të lartë të obezitetit, diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri, çka tregon gjithashtu një marrëdhënie lineare midis kostos së ushqimit, respektimit të modeleve dietike dhe obezitetit.
Sot braktisja e dietës mesdhetare nuk është thjesht një problem shëndetësor, por sot dhe akoma më shumë në të ardhmen, një çështje socio-ekonomike.
Me shkurtime nga: Il Fatto Alimentare