Artisti i humorit, Elvis Pupa, në një spektakël prej 90 minutash ku solli gjithë problematikën shqiptare në një këndvështrim edhe satirik. Të qeshësh me problemet, për t’i kuptuar më mirë ato
Bisedoi: Anida Lera
“Një natë mungoi Henri Çili në televizor. Bëra namin. Telefonova atje ku bleva televizorin dhe iu thashë: E keni me garanci? Se ka një problem, nuk më nxori Henrin! Pa le si është bërë Çuli te Çani. S’merret vesh se i kujt është emisioni, i Çanit apo i Çulit”.
Elvis Pupa rikthehet e patjetër që batutat e tij do të sjellin humor. Prezantimi më 27 dhe 28 dhjetor duket se nuk u ka mjaftuar kryeqytetasve, duke e bërë aktorin e njohur që të rikthehet sërish dy javë më pas me spektaklin e tij “One man show” (Spektakël me vetëm një person – shën.red).
Jeton në Amerikë dhe punon atje e duket sikur kjo jetë është pasqyruar edhe në skenografinë me ndërtesat e larta të Amerikës. Një spektakël i titulluar “100 vjet, shteti më i lumtur… në Shqipëri”. Nuk ka aktorë të tjerë, as pushime gjatë shfaqjes. Vetëm humor për 90 minuta. Dhe për t’i bërë të qeshin shqiptarët, mjaft t’u tregosh për të metat e tyre.
Të qeshura të forta dëgjohen në sallë, që kur Visi (kështu pëlqen ta thërresin) tregon:
“Ishim në një dasmë në Amerikë. Na kishte ftuar një shok amerikan. Erdhi momenti i ndarjes së tortës dhe doli i zoti i dasmës dhe tha: – Attention, please, domethënë, mos u hallakat! Kush është shqiptar, të dalë pak jashtë se do ndajmë tortën!”
Visi është i qeshur si në skenë dhe jashtë saj. Në fund të spektaklit, duhet të zësh radhën që ta takosh e megjithatë nuk ngurron të të përgjigjet.
Visi, si shumë e vure në lojë femrën…
Epo, meshkuj jemi. Do mbajmë dhe pak anën e gjinisë sonë. Gjithsesi premtoj se do merrem më shumë me meshkujt radhës tjetër (qesh). Megjithatë, e vërteta është se doni katër orë të lyeni një sy para se të dilni. Thuaj shyqyr që keni vetëm dy sy dhe një pëllëmbë surrat. Kështu u ndodh gjithë burrave, duke filluar nga unë. Duhet ta presësh gruan 2, 3 apo 4 orë.
Por hallet tuaja s’kanë të mbaruar. Tani keni nxjerrë dhe modë të re: nuk e vishni dy herë të njëjtin fustan. Sepse e keni veshur njëherë, i keni bërë foto dhe e keni nxjerrë në “facebook” dhe meqë keni marrë “pëlqime”, nuk e vishni dot herë tjetër. Ne burrat në çdo rast veshim kostumin e dasmës. Kostumi im për shembull: xhaketa mbahet ende, kurse pantallonat po grisen. Më vjen keq që s’e bëra kostumin me dy palë pantallona.
Po ato vajzat që i quan “rrena nga koka te këmba”?
Po dihet ai muhabet tani: 3 000 euro për të bërë vetëm gjoksin me silikon, zgjatje false flokësh, qerpikë të zgjatur. Janë ato femrat që marrin frymë thellë kur dalin nga shtëpia dhe e nxjerrin frymën vetëm kur kthehen. Këto para fare mirë mund t’i shpenzonin duke bërë ndonjë fakultet.
Nuk mendoj se të bën të lumtur pamja e jashtme, apo të rrish gjithë kohës në “facebook” e të publikosh statuse se je e lumtur. Që bën sikur blen fustane të shtrenjta, ndërkohë që nëtë vërtetë janë duke zgjedhur ndonjë rrobë te gabi.
Ju burrat s’keni të meta?
Ne burrat për dy gjëra gënjejmë: e para, kur themi po vijmë në shtëpi, por jemi duke vënë ndonjë skedinë. Ose kur jemi duke pirë ndonjë birrë me shokët. Le që s’na lini të qetë të shohim një ndeshje.
Iu riktheve edhe disa prej roleve të “Portokallisë”…
Përsa i përket roleve që kam luajtur, është çështje zgjedhjeje. Mendoj se i ndodh çdo artisti, por dhe publiku duket se i do këto role dhe i duartroket. Normalisht në një dasmë nuk mund të linim pa ftuar Avdiun, që na këndoi “Ngjyra e kuqe”.
Në fakt, trajtove shumë probleme: nga trafiku i rënduar, boritë që s’pushojnë, organizimi i një dasme…
Po ju tregoj një histori të shkurtër: Martova vëllanë këtë verë. E organizuam gjithë dasmën, gjetëm lokalin, dixhejin, këngëtarin, dhe qëndruam deri në shtatë të mëngjesit të caktonim se ku do ulnim dasmorët. Se gjysma nuk flasin me njëri-tjetrin. Filloi dasma, më thirri daja: “Me kë më ke ulur ti mua?” “Me motrën tënde”, i thashë. “Po a e di ti që nuk flet gruaja ime me të?” “Po deri dje flisnin”, iu përgjigja. “Epo mbrëmë u zunë”, më tha.
Pastaj më thirri halla: “Po ti çke, – i thashë, – se ti flet me të gjithë”. “Pse e ke ul komshiun në tavolinën tonë, se ma kap rrezja e syrit në tavolinë?” Dikush tjetër ankohej se i kishte qëlluar shtylla e lokalit afër. Dhe hallet nuk mbarojnë. Vetëm dasmë që s’mund ta quash. Të mos flasim këtu për njerëzit që pinë e bëhen tapë, dhe nuk bën vaki t’ia lënë makinën njeriu tjetër apo të marrin një taksi.
“100 vjet, shteti më i lumtur… në Shqipëri” Pse ky titull?
Publiku është i lirë ta interpretojë si të dojë shfaqjen dhe gjithë batutat. Por ajo që doja të thoja përmes humorit, është se nuk kemi ç’të festojmë 100-vjetorin e Shqipërisë, kur në këto 100 vite Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë. E meta qëndron tek fakti se ne shqiptarët nuk bëjmë gjë tjetër veçse krahasohemi me veten. Se jemi të lumtur, por jemi vetëm këtu brenda Shqipërisë. Mendoj se ndërgjegjësimi duhet të fillojë nga vetë ne, nga veprimet e vogla që në pamje të parë duken të parëndësishme, por që tregojnë qytetarinë, emancipimin tonë si shoqëri.
Jeton në Amerikë… Ç’të solli sërish në Shqipëri?
Në Shqipëri më sjell kërkesa e publikut dhe lidhja që kam me këtë vend të dashur për mua, emocioni që më dhurojnë duartrokitjet e publikut.
Jeta juaj në Amerikë?
Le ta mbyllim me atë që pamë sot në Shqipëri…
Projektet e mëvonshme?
Mendoj të vij në Shqipëri një herë në vit me produksione të reja, pas “Legjendës së fundit” dhe shfaqjes që vumë sot në skenë nuk kam një plan të afërt për projektet e mia, por s’besoj se do t’i mungoj publikut dhe skenës
i madh je plako, na ke knaq ate nate.