Për të gjithë adhuruesit e “Harley-Davidson” një lajm krejt i veçantë vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Menaxherët e markës së njohur të motoçikletave, kanë bërë publik projektin inovativ, për versionin e ri të saj. Duke u frymëzuar edhe nga bota e 4-rrotave, ata hedhin idenë e “Harley-Davidson” elektrike. “Project LiveWire”, kështu e kanë quajtur ideuesit e këtij projekti, duke kërkuar mbi të gjitha përfshirjen e të gjithë fansave të motoçikletës më të famshme në botë.
Ashtu siç ka ndodhur edhe për modelet e tjera të “Harley”-it, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet ndërthurrjes mes tradicionales dhe inovacionit. Pikërisht për të përmbledhur opinionet e klientëve dhe të fansave, Projekti “Live Wire” po përgatit nisjen e një turi në mbarë Amerikën, i cili do të nisë pikërisht nga “Route 66”, duke kaluar në 30 pika shitjeje të ndryshme “Harley”.
Sipas të gjitha gjasave, projekti në 2015-tën pritet të mbërrijë gjithashtu në Kanada dhe Europë. Menaxherët kanë theksuar gjithashtu se, kontributi i publikut do të jetë vendimtar për të përcaktuar motoçikletën e re, e cila do të shënojë kështu një tjetër hap unik në historinë e “Harley-Davidson”./A.V
