Emigranti shqiptar shpërblehet për heroizëm

redaktor

Emigranti shqiptar, Bekim Çallaku, është shpërblyer në Danimarkë nga Fondi “Carneges” për heroizëm.

Ai është futur në mesin e dhjetë personave në Danimarkë, që gjatë vitit 2014 kanë bërë vepra heroike dhe është shpërblyer nga ky fond me 20 mijë kruna daneze (2600 euro).

Faqja zyrtare e Fondit shpërblyes e përshkruan kështu heroizmin e Çollakut.

“Më 11 gusht 2014, Bekimi ishte me automjetin e tij në rrugën Mågevej dhe Tornsagervej, në Kopenhagen. Ai pa një njeri që ishte mbërthyer mbi një grua me një thikë në dorë në qafën e saj. Pranë gruas ishte i shtrirë edhe një fëmijë i qëlluar me thikë. Bekim Çallaku ndalon makinën e tij del dhe vrapon në drejtim të agresorit. Fillon kacafytja dhe njeriu e sulmon edhe Bekimin me thikë. Bekimi e mposht njeriun me thikë duke e goditur atë. E gjitha përfundoi me sukses pas arritjes së ndihmës nga dëshmitarë dhe policë”, – thuhet në këtë përshkrim.

Humanizmi i Çallakut nuk përfundon me kaq. Ai ka vendosur që paratë e fituara nga shpërblimi t’ua shpërndajë mbi 50 familjeve në gjendje të rëndë ekonomike-sociale në vendlindjen e tij, në Kaçanik, me nga një shportë ushqimore me vlerë prej 50 euro – raporton portali kosovar Koha.

Bekimi jeton në Herlev të Danimarkës, është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Share This Article
11 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *