Dikur thuhej se kush pinte birrë do të jetonte 100 vjet. Por me zhvillimin e mjekësisë u mësua se jetëgjatësia e birrëdashësve nuk është kaq e madhe, por nëse pija konsumohet në dozat e duhura mund t’i bëjë mirë shëndetit.
Birra është ndër të parat pije që njerëzimi shpiku që në kohë të hershme. Me një përqindje alkooli, përbërësit e tjerë të birrës janë: sheqer, malt, elb, grurë, misri etj, këto në varësi të zonës gjeografike ku prodhohet ajo.
Para se në ditët e nxehta të verës, t’i drejtohemi një gote të madhe me birrë të ftohtë për t’u freskuar, duhet të dimë se sa kalori i shton ajo dietës tonë ushqimore. Pavarësisht kësaj, ata që mendojnë se birra është shkaku i “fryrjes” apo shtimit në peshë duhet të dinë se nëse nuk abuzohet me sasinë, ata mund të shijojnë pijen e preferuar pa e vrarë shumë mendjen.
Po të mos ishte për përqindjen e alkoolit, e cila ndryshon në varësi të llojit të saj, numri i kalorive që birra sjell në organizëm nuk është dhe aq alarmante. Madje, vitaminat e grupit B dhe acidit folik që përmban birra duhet të na bindin të mos e shmangim pijen që nuk ka më shumë se 100 kalori për një gotë.
Nuk duhet harruar se birra nuk mund të zëvendësojë ujin, sidomos gjatë verës, për të shuar etjen. Faktikisht, edhe për birrën vlen ajo që dihet për të gjitha pijet alkoolike: në sasi të vogla mund të bëjë mirë. Por në sasi “industriale” mund të bëjë më shumë dëm, e para sepse edhe me birrë mund të dehesh, dhe e dyta sepse për shkak të përqindjes së alkoolit, ajo mund të ndikojë negativisht te mëlçia, kjo kryesisht tek ata që vuajnë nga probleme të këtij organi, të cilët duhet t’i thonë lamtumirë pijes së dashur.