Sabit Brokaj akuzon kryeministrin Berisha si urdhërues të vrasjeve të 21 janarit dhe përfshirje në manipulimin e provave për të fshehur krimin shtetëror. Ish-ministri i Mbrojtjes dhe i Shëndetësisë, një ndër mjekët më të njohur në vend, thotë në një intervistë për Shqiptarja.com se mjekët, garda, prokuroria e gjykata janë nën presionin e kryeministrit, presion që çoi edhe në rrëzimin e ekspertizës së FBI-së, çka u pasua edhe nga reagimi i ashpër i ambasadës amerikane. Në lidhje me këtë të fundit, Brokaj thotë se nuk është hera e parë që Berisha sillet kështu. “Berisha kështu ka bërë me shumicën e ambasadorëve amerikanë, u blen mendjen në fillim dhe ata e mbështesin. Mbështetja vjen nga synimi për të ruajtur stabilitetin dhe pastaj kur ata konstatojnë shkelje të rënda të karakterit demokratik të qeverisjes apo të politikës së Berishës, natyrisht që reagojnë. Por tashmë Berisha u ka blerë mendjen dhe u ka shkelur majën e këpucës”, thotë Brokaj.
Më tej, Brokaj komenton qëndrimin amerikan për vendimin e gjykatës së Tiranës për të akuzuarit e “21 janarit”.
“Për tat, drejtësia dhe e vërteta është e shenjtë. Aq më shumë që ata hynë në valle seriozisht, nuk u futën në valle si për Trebickën, që ishte vetëm një lojë ekspertiza, madje e padenjë për një vrasje. Ata hynë me FBI-në, të kërkuar nga Shqipëria zyrtarisht dhe ndërkohë që gjithçka duhej të mbështetej në ekspertizën e tyre, ajo u hodh në kosh. Vetiu do të reagonin amerikanët, aq më shumë që kursi i Berishës në këta muaj është tejet skandaloz, shumë i debatueshëm dhe shumë i rrezikshëm. Prandaj mendoj se pika derdhi kupën”, thotë Brokaj.