Jetmir Isaj, efektivi i RENEA-s që mbeti i plagosur gjatë sulmit në Lazarat, ka rrëfyer atë që ndodhi dy ditë më parë.
Ai thotë se ata kanë rënë në pritë.
“Unë kam qenë në pjesën e pasme të makinës,se po të isha para, nuk do isha këtu tani. Ibrahimi ka qenë i ulur para dhe ne të tjerët ishim pas në momentin që u qëlluam. Mendoj se për shkak të relievit, personat që na qëllonin na kishin në kontroll dhe për këtë i shikonin makinat dhe lëvizjet tona.
Ne nuk kishim zbritur akoma nga makina. Kishim shkuar të merrnim një të ri që ishte kapur me armë. Jemi qëlluar brenda makinës, Ibrahimi u qëllua në ballë, edhe pse kaskën e ka pasur. Ndërsa unë dhe Perlati kemi shpëtuar vetëm nga kaska, pasi nuk lejoi që plumbi të na prekte”, vijon Isaj rrëfimin e tij.
“Nuk di të them me saktësi distancën, por di të them se na qëllonin edhe nga distancë që na dukej se ishte shumë pranë nesh, edhe nga distancë e largët. Nuk arrinim t’i shikonim personat që na qëllonin, ndërsa ata na shikonin neve”, shprehet Isaj.
