Heqja e TVSH-së, efekti në bujqësi 30 milionë euro

editor

Nga  heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet në sektorin e bujqësisë do të përfitojnë rreth 350 mijë ferma në vend. Zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj deklaroi se, nisma e ndërmarrë nga qeveria do të ndikojë në zhvillimin e këtij sektori. Ndërsa,  lidhur me efektin financiar që do të ketë në buxhetin e shtetit heqja e TVSH-së, Rushaj theksoi, se ai do të arrijë rreth 30 milionë euro. Sipas Rushaj, Ministria e Financave po harton aktet nënligjore në mënyrë që ligji të bëhet sa më shpejt funksional. Qeveria miratoi një javë më parë vendimin për heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara që përdoren në bujqësi. Kjo masë synon të ndihmojë fermerët, të cilët tashmë do të blejnë këto pajisje me një çmim 20 përqind më të ulët.

*******

Bonot  minimum historik, interesi bie në 6.21%

Interesi i bonove të thesarit theu një tjetër rekord në rënie. Bonot me maturim 12 mujor u emetuan me mesatare të ponderuar interesi prej 6.21%, një minimum i ri historik. Qeveria mori borxh 12 mujor në vlerën e 10 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte sërish mjaft e lartë dhe arriti në mbi 15 miliardë lekë. E njëjta tendencë rënëse preku edhe bonot me maturim 6-mujor, që u emetuan me një normë mesatare interesi prej 5.98%, nga 6% që kishte qënë interesi në ankandin e mëparshëm. Rënia e vazhdueshme e interesave është rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, por edhe e kushteve të tregut   financiar. Kërkesa për kredi në tregun e brendshëm paraqitet e dobët, ndërkohë që edhe rreziqet e kreditimit janë në rritje. Për këtë arsye, investimet e bankave në monedhën vendase janë gjithnjë e më të orientuara te letrat e borxhit të qeverisë shqiptare. Situata duket e favorshme për qeverinë, që po siguron pa probleme financimin e deficitit buxhetor, për më tepër me interesa në rënie. Ulja e interesit të bonove ndikon sidoqoftë edhe tek interesat e kredive afatgjata në lekë, që kuotohen me interesin e bonove plus një marzh fiks.Huamarrësit që kanë një kredi ekzistuese sipas kësaj formule do të përfitojnë sot një interes ndjeshëm më të ulët se një vit më parë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *