Nga heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet në sektorin e bujqësisë do të përfitojnë rreth 350 mijë ferma në vend. Zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj deklaroi se, nisma e ndërmarrë nga qeveria do të ndikojë në zhvillimin e këtij sektori. Ndërsa, lidhur me efektin financiar që do të ketë në buxhetin e shtetit heqja e TVSH-së, Rushaj theksoi, se ai do të arrijë rreth 30 milionë euro. Sipas Rushaj, Ministria e Financave po harton aktet nënligjore në mënyrë që ligji të bëhet sa më shpejt funksional. Qeveria miratoi një javë më parë vendimin për heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara që përdoren në bujqësi. Kjo masë synon të ndihmojë fermerët, të cilët tashmë do të blejnë këto pajisje me një çmim 20 përqind më të ulët.
*******
Bonot minimum historik, interesi bie në 6.21%
Interesi i bonove të thesarit theu një tjetër rekord në rënie. Bonot me maturim 12 mujor u emetuan me mesatare të ponderuar interesi prej 6.21%, një minimum i ri historik. Qeveria mori borxh 12 mujor në vlerën e 10 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte sërish mjaft e lartë dhe arriti në mbi 15 miliardë lekë. E njëjta tendencë rënëse preku edhe bonot me maturim 6-mujor, që u emetuan me një normë mesatare interesi prej 5.98%, nga 6% që kishte qënë interesi në ankandin e mëparshëm. Rënia e vazhdueshme e interesave është rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, por edhe e kushteve të tregut financiar. Kërkesa për kredi në tregun e brendshëm paraqitet e dobët, ndërkohë që edhe rreziqet e kreditimit janë në rritje. Për këtë arsye, investimet e bankave në monedhën vendase janë gjithnjë e më të orientuara te letrat e borxhit të qeverisë shqiptare. Situata duket e favorshme për qeverinë, që po siguron pa probleme financimin e deficitit buxhetor, për më tepër me interesa në rënie. Ulja e interesit të bonove ndikon sidoqoftë edhe tek interesat e kredive afatgjata në lekë, që kuotohen me interesin e bonove plus një marzh fiks.Huamarrësit që kanë një kredi ekzistuese sipas kësaj formule do të përfitojnë sot një interes ndjeshëm më të ulët se një vit më parë.
