23 Qershori, sopata dhe çorapet e Edi Ramës

editor

Kohët e fundit analistët Andi Bushati dhe Eduard Zalozhnja, nisur nga një kopertinë e gazetës DITA kanë  debatuar në  lidhje me strategjitë  që  opozita socialiste duhet të  ndjekë gjatë  fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Nga njëra anë, Bushati mbështeste një  fushatë  elektorale ku opozita duhet të  bazohet në  sulme kundër modelit Berisha dhe pasojat negative që  ka shkaktuar ky model për ekonominë  dhe politikën shqiptare. Bushati ishte kundër një  fushate e cila e portretizonte Berishën si një  bashkëpuntor i shërbimeve sekrete sllave apo si një  shërbëtor i regjimit komunist dhe familjes Hoxha. Nga ana tjetër, Zaloshnja argumentonte se të  dyja këto modele duheshin kombinuar pasi opozita duhet t’i japë  pushtetit Berisha goditje si “sipër brezit” (argumenti i Bushatit) ashtu edhe “poshtë  brezit” (strategjia që  kundërshtonte Bushati). Në  këtë  debat, personalisht do të  mbështesja argumentin e Zaloshnjës por me një  ndryshim thelbësor: Goditjet e opozitës nuk mund të  klasifikohen si “sipër” apo “poshtë  brezit” pasi nuk mund të  injorohet e shkuara komuniste e Sali Berishës dhe impakti që  ajo ka mbi mënyrën dhe metodat se si drejton Berisha sot.

Gjithashtu nuk mund të  injorohen as lidhjet e mundshme të  Sali Berishës me qarqe të  caktuara sllave me pretendimin se Berisha çdogjë  që  e ka bërë  nuk e ka bërë  për sllavët por për të  mbajtur pushtetin e vet në  Tiranë . Një  argument i tillë  është  absurd dhe i pakuptimtë  pasi kurrkush në  këtë  botë, përfshirë  edhe spiunët më  të  rëndomtë, nuk i shërbejnë  një  padroni pa pasur një  përfitim, qoftë  ky përfitim në  vlera monetare ose pushtet politik. Aq më  keq, nuk mund të  injorohet fakti që  një  person i vlerësuar nga shumë  analistë  (edhe nga Bushati) si “gjeni” apo “i zgjuar” të  mos arrijë  të  kuptojë  pasojat e veprimeve te tij – p.sh. Berisha të  mos ishte në  gjëndje të  kuptonte se duke thyer emgargon e naftës ai kontribounte direkt në  fuqizimin e makinës vrasëse të  Millosevicit. Në  mos qoftë  budalla, atëherë  çfarë  mund të  jetë? Në  qoftë  budalla, si ka mundësi të  mbijetojë  kaq gjatë në politikë? Në  mos qoftë  budalla dhe nëse shkatërron me vetëdije interesat e kombit shqiptar, atëherë  cili është  ndryshimi midis një  shkatërrimtari të  tillë  dhe një  spiuni? Le t’i përgjigjet Bushati këtyre pyetjeve.

Argumenti im në  këtë  shkrim shkon përtej asaj për të  cilën debatojnë  Bushati dhe Zaloshnja. Argumenti im shkon përtej “çfarë ” dhe fokusohet tek “si, qysh, tek”. Midis të  tjerash, dy pyetje do të  ishin me interes për t’iu përgjigjur: (1) Mbi çfarë  vlerash duhet të  mbështetet strategjia elektorale e opozitës” dhe (2) Si duhet implementuar kjo strategji? Gjëja parësore për opozitën është  të orksestrojë  një  fushatë  elektorale të  mbështetur tërësisht mbi moralin dhe etikën politike të  aprovuar nga mbarë  shoqëria shqiptare. Në  këtë  rast, beteja për drejtësi dhe prosperitet duhet të  përbëjë  themelin e strategjisë  opozitare. Kjo betejë  arriti kulmin dhe është e mëshiruar më  së  miri në  masakrën e 21 Janarit, ku ngelën të  vrarë  nga forcat qeveritare Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Më  21 Janar 2011, populli i thjeshtë  protestoi kundër korrupsionit dhe padrejtësisë  së  qeverisë  Berisha-Meta si dy antivlerat më  të  rrezikshme që  po shkatërrojnë  shoqërinë  dhe shtetin shqiptar. Ajo që  kërkon opozita sot nuk ka asnjë  ndryshim nga ajo për të  cilën Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi dhanë  jetën në  21 Janar.

Si i tillë, 23 qershori nuk duhet të  portretizohet si një  përplasje midis Edi Ramës dhe Sali Berishës por si një  betejë  midis heronjve të  21 Janarit dhe pushtetit të  korruptuar/vrasës Berisha-Meta. Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të  jenë  një  betejë  që  i duhet kushtuar kujtimit dhe sakrificës sublime të  Ziverit, Faikut, Hekuranit, dhe Aleksit. Edi Rama nuk mundet (dhe as nuk duhet) ta hedhë mbi supet e veta këtë  betejë  fisnike të  skuqur nga gjaku i protestuesve dhe opozitarëve të  pafajshëm. Nga ana strategjike, ky version do të  largonte nga Rama shumë  përgjegjësi politike, do të  bashkonte,  mobilizonte dhe inkurajonte mbarë  bazën opozitare, dhe do të  rriste admirimin dhe mbështetjen nga ana e votuesve të  pavarur përkundrejt opozitës.

Në  vazhdim, opozita socialiste duhet të  implementojë  një  strategji elektorale tërësisht jokonvencionale. Çfarë  do të  thotë  kjo strategji? Ajo do të  thotë  që  opozita duhet t’i përgjigjet pushtetit Berisha-Meta me një  sërë  veprimesh që  janë  krejtësisht të  ndryshme nga veprimet e pushtetit dhe të  paimagjinueshme ose të  nënvlerësuara nga ana strategjike. Së  pari, ndonëse media mund të  përdoret suksesshëm nga opozita si mjet komunikimi me elektoratin, ajo nuk duhet të  konsiderohet si mjet kryesor i strategjisë  së  opozitës. Në  realitet, media ka shumë  pak ose aspak fuqi për të  ndryshuar bindjet e votuesve. Gjithashtu, fuqia mediatike e pushtetit Berisha-Meta do të  zeronte cdo përpjekje mediatike të  opozitës. I njëjti argument vlen edhe për të  kundërshtuar një  strategji e cila bazohet tek fuqia e parasë  apo tek avantazhet që  gjoja sjellin në  fushatat elektorale përfshirja e njërëzve me lek shumë , apo sic njihen me emrin “biznesmen”. Në se opozita bazohet tek fuqia e “biznesmenëve” ajo nuk ka asnjë  shans të  ballafaqohet suksesshëm me makinën financiare të  pushteti Berisha-Meta. Në  të  vërtetë  egziston një  lidhje midis motivimit për të  ofruar në  parti njerëz publik edhe biznesmenë  dhe besimit se media influencon ose ndryshon mendimin e votuesve. Kjo e fundit nuk qëndron aspak pasi në  shoqërinë  shqiptare egzistojnë  dhjetra kanale shoqërore (si familja, eksperienca, shoqëria, miqësia, etc) që  diktojnë  sjelljen e votuesve, dhe media është  një  faktor shumë  i largët dhe i pabesueshëm për elektoratin. Si rrjedhojë, futja e biznesmenëve në  lojë  nuk rrit shanset për sukses; përkundrazi ajo mund të  ketë  efekte negative.

Në  ndryshim nga dy të  parat, opozita duhet të  ndërtojë  një  fushatë  elektorale që  do të  fokusohej kryesisht në  komunikimin direkt me bazën dhe individin votues. Nëse opozita ka bërë  plane për të  harxhuar resurse financiare në  mediat vizive dhe të  shkruara, unë  do të  këshilloja që  pjesa dërrmuese e këtyre parave të  përdoreshin për të  promovuar sa më  shumë  komunikim dhe ndërveprime me bazën opozitare dhe votuesit e thjeshtë.  Në  zgjedhjet presidenciale të  vitit 2012, Presidenti Obama përdori të  njëjtën strategji në  shtetin e Floridës dhe arriti të  surprizojë  të  gjithë  ekspertët të  cilët kishin neglizhuar fuqinë  që  ka komunikimi i drejtpërdrejtë  me votuesit e thjeshtë .

Gjithashtu, Bepe Grillo surprizoi mbarë  Italinë  me rezultatin e fundit në  zgjedhjet parlamentare Italiane. Grillo i injoroi totalisht faktorët media (tradicionale) dhe “para” dhe e bazoi strategjinë  e tij elektorale në  fuqinë  e internetit si mjet organizimi dhe në  fuqinë  e grupeve të  punës me individët votues në  lagje e qytete si mjete propagandistike/komunikimi me votuesit.

Por një  fushatë  vlerash dhe strategji e bazuar në  metoda jokonvencionale nuk mund të  konkludojnë  suksesshëm pa pasjen e një  lidershipi që  personifikon vetë fushatën dhe strategjinë. Në  rastin e Edi Ramës si lidership i opozitë s socialiste, dicka mungon ose duhet ndryshuar. Duket sikur Ramës i mungon idealizmi i tij i dikurshëm i cili kishte pikturuar në  mendjen e njërëzve profilin e një  udhëheqësi që  ngrinte peshë  zemrat dhe shpresën e miliona njërëzve anembanë  Shqipërisë. Por mbi të  gjitha duket sikur Ramës sot i mungojnë  sopata dhe çorapet e tij të  kuqe. Siç më tha këto ditë në një bisedë miqsh, kryeredaktori i Ditës, Thano, njerëzit kanë nevojë urgjente të ndjejnë që Rama ka veç të tjerave edhe pak çelik brenda. Derisa Rama të  marrë  në  dorë si dikur sopatën dhe të  veshë çorapet e kuqe, pjesa dërrmuese e popullit shqiptar  do ta shikojë  23 qershorin si fatkeqësinë  e radhës.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Paragrafi i fundit shume i drejte. Rama duhet te organizoje protesta masive edhe per te mbrojtur te drejten e votes. Dhe para 23 qershorit. Pushtetit dhe mbeshtetesve te tij u duhet bere e qarte se nuk mund ta mbajne pushtetin me force, apo me vjedhje votash. Se nje dite do te japin llogari para gjyqit. Rama mund te beje takime sa te doje, mund te shpalose edhe programin me te shkelqyeshem ne bote, por keto nuk kane asnje vlere neqoftese nuk ua ben te qarte mbeshtetsve te tij se ai do i shkuli dhembe e dhemballe Berishes nese prek edhe nje vote te vetme. Ndryshe Rama ka bere gabim qe e la Parisin.

  • Jeni gazetar me vlere Z Bledar por ka nje gje qe ne mos gabohem Rama ka nje strategji qe besoj se duhet kuptuar.Ajo ka te beje si fillim me marjen e pushtetit nepermjet zgjedhjeve,pastaj me finalen e madhe ku njethundraku te kete nje ambjent disi komod tek 313.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *