Delegacioni i Komisionit të Venecias do të jetë në Tiranë në datat 21 dhe 22 janar për të diskutuar mbi draftin e rishikuar të amendamenteve kushtetuese.
Mësohet se më 22 janar delegacioni do të mbajë një konferencë për shtyp për t’u larguar më pas për të përgatitur dhe opinionin përfundimtar. Ky i fundit pritet të dorëzohet në muajin mars.
Ndërkohë Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ende nuk i është drejtuar Komisonit të Venecias me dokumentin e plotë për reformën në drejtësi, që do të përbajë opinionet e ekspertëve, vërejtjet e PD dhe LSI, raporton Ora News.
Mësohet se dokumenti ndodhet në duart e përkthyesve, të cilët vetëm dy ditë më parë morën në dorëzim vërejtjet e PD.
