Qeveria kolumbiane ka arritur një marrëveshje me rebelët e FARC. Marrëveshja për t’i dhënë fund luftës vjen pas 52 vitesh konflikt. Lajmi për arritjen e marrëveshjes u dha drejtpërdrejt nga Havana në Kubë, ku gjatë katër viteve të fundit janë zhvilluar bisedime për paqen.
Konflikti deri tani u ka marrë jetën 260 mijë njerëzve dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. Presidenti Juan Manuel Santos e cilësoi marrëveshjen si “fillimi i fundit të vuajtjeve, dhimbjes dhe tragjedisë së luftës”.
“Lufta përfundoi. Qeveria kolumbiane dhe FARC bëjnë të ditur se kanë arritur një marrëveshje finale, ë plotë dhe përfundimtare”, bënë të ditur negociatorët e të dy palëve në një deklaratë të përbashkët.
Kreu i delegacionit kolumbian, Humberto de la Calle, dhe ai i negociatorëve të FARC-ut, Ivan Marquez, e firmosën marrëveshjen në Kubë, pas dy vitesh bisedime sekrete dhe katër vitesh negociata formale. Të dy palët kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për stabilitet dhe paqe.
