Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, vlerëson zgjedhjet në Shqipëri, duke i quajtur ato të suksesshme. Gjatë një video konference nga Nju Jorku, Reeker ka përshëndetur zgjedhjet dhe reagimin e udhëheqësve politikë, shembull ky i një procesi demokratik në rajon.
“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipëria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të suksesshme në përputhje me standardet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqendrohet në procesin e kandidatit në BE”- tha ai.
Reeker tha se qeveria e re duhet të përqendrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë. Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqendrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Reeker përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të aspiratave të vendeve ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
