Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj reagoi në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara nga prokuroria për 4 zyrtarë të Ministrisë së Punës. Ministri Veliaj bëri të ditur se ka nisur një auditim serioz në institucionin që drejtohej më parë nga Spiro Ksera dhe çdo shkelje që do të konstatohet do t’u referohet organeve të drejtësisë.
Sipas Veliaj, deri tani është konstatuar fakti se janë zhdukur fonde të personave me aftësi të kufizuar, dhe për këtë arsye është dërguar dokumentacioni i nevojshëm në prokurori.
“Kemi denoncuar që ditën e parë problemet që kemi. Janë zhdukur gjithë fondet e aftësisë së kufizuar. Jemi shumë të shqetësuar se si është bërë rrush e kumbulla gjithë buxheti i shtetit, e kemi thënë këtë publikisht dhe ligjërisht. Kemi nisur një auditim shumë serioz të të gjithë abuzuesve me fondet e ndihmës ekonomike, me fondet e aftësisë së kufizuar dhe fondet e invalidëve të punës. Nëse nga këto inspektime që po bëjmë, po gjejmë materiale të cilat tregojnë se si janë bërë këto abuzime, po ja çojmë prokurorisë. Për ata mëkatarë që kanë futur duart në buxhet dhe kanë marrë lekët e paraplegjikëve, tetraplegjikëve, të të verbërve, këta njerëz duhet të përgjigjen para ligjit. Më vjen mirë që ka filluar një proces që mund të bëjë transprencë. Më vjen mirë që prokuroria po e merr seriozisht.”- deklaroi Veliaj.
*****
Dy ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punës janë ndaluar nga Policia e Tiranës pasi akuzohen për shpërdorim të detyrës ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Policisë së Shtetit. Të arrestuar sipas policisë janë, Ilir Ibrahimi, Shefi i Financës në ministri dhe Besnik Dema, ish-sekretari i Përgjithshëm. Sipas Policisë së Tiranës, në kërkim janë, shtetasit Kleves Bitro, ish-Drejtori i kabinetit dhe Murat Mehmeti. Ministri aktual Erjon Veliaj pezulloi nga detyra dy prej 4 personave të implikuar porsa u njoh me raportin e KLSH-së.
“Task Forca” e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet ndaj Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të drejtuar nga Spiro Ksera disa muaj më parë. Shkas u bë një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga auditi i ushtruar janë konstatuar shumë parregullsi, shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve të ministrisë dhe në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore. Auditi është realizuar për periudhën 01 Prill 2011 deri më 30 Shtator 2012.
Ndonëse raporti i KLSH-së, nga ka marrë shkas hetimi prokurorisë bën fjalë për disa shkelje të ndryshme, prokuroria ka dërguar dje një informacion që i lidhte të pandehurit vetëm me një tender për organizimin e festës së 1 Maj-it. Sipas prokurorisë të akuzuarit kanë falsifikuar faturat e këtij aktiviteti. Vlera për organizimin e këtij aktiviteti ishte caktuar 19 milionë e 800 mijë lekë.
Shumat që janë përdorur në të tilla aktivitete kanë qenë të majme, që shkonin deri në 40-50 milionë të vjetra. Sipas dosjes së KLSH-së Shefi i kabinetit, për të cilin KLSH-ja ka rekomanduar nisjen e hetimeve, organizonte festa dhe aktivitete fiktive. Ndërkohë, akuza thotë se do të verifikojë të gjitha pretendimet e KLSH-së edhe për të tjerë zyrtarë të këtij dikasteri.