Hicfeld thërret lojtarin që bezdisej nga interesimi i vazhdueshëm i tifozëve shqiptarë.
Pajtim Kasamit do t’i realizohet ëndrra e tij, të debutojë me kombëtaren e Zvicrës në “Qemal Stafa”, kundër Shqipërisë. Mesfushori i Fulhamit e ka bërë të ditur këtë dëshirë një muaj më parë, kur, i bezdisur nga pyetjet e vazhdueshme se pse nuk luante me Shqipërinë, u përgjigj se do ta bënte një gjë të tillë vetëm nëse nuk e merrte Zvicra. “Duhet të luaj sa më parë me Zvicrën e t’i japim fund këtij diskutimi”, u shpreh ai atëherë për gazetën zvicerane “Blick”, duke shtuar se kishte si objektiv madhor që të ishte në “Qemal Stafa” më 11 tetor, kundër Shqipërisë. Trajneri Otmar Hicfeld ia ka plotësuar dëshirën, teksa e ka ftuar atë për këtë takim, pasi kishte thirrur më parë pesë shqiptarët e tjerë që luajnë prej kohësh me skuadrën helvete.