Besimi i rusëve tek Putini “dyfishohet brenda natës”

Edona Llukacaj

Mendohet se Stalini dikur pat thënë se kush votonte nuk kishte rëndësi, rëndësi kishte se kush i numëronte votat.  Sot në Rusi duket se ka rëndësi edhe mënyra e numerimit.

Javën e kaluar, një sondazh i ri nga anketuesit shtetëror VTsIOM zbuloi një gjendje shqetësuese për Kremlinin. Vetëm 31.7% e të anketuarve kishin thënë se i besonin presidentit të tyre. kjo shifër, më e ulta në 13 vite, i bëri shumë analistë rusë të arrijnë në përfundimin se Rusia po e “humbte durimin” ndaj Putinit.

Shpejt një zëdhënës i Kremlinit vuri dyshimin mbi vlefshmërinë e sondazhit duke thënë: “Si mund të bjerë besimi, kur vlerësimi elektoral rritet?”

Si duket, gjatë natës, VTsIOM i mori parasysh thirrjet e zëdhënësit dhe shifrat u përditësuan. Titujt ndryshuan; në fakt, 72.3% e rusëve i besonin Vladimir Putinit.

Ndryshimi ishte në metodologjinë e sondazhit, thanë ekspertët. Ndërsa në sondazhin e një jave më parë ishin përdorur lista të hapura, duke i dhënë votuesve mundësinë të thonin emrin e politikanit që besonin më shumë,  sondazhi i dytë përdorte lista të mbyllura dhe u kërkoi të pyeturve mendimin e tyre për politkanë të caktuar.

VTsIOM është instituti më i madh i anketimit në Rusi. Lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin dihen nga të gjithë. Për këtë arsye rezultatet e tij, shpesh, nuk konsiderohen të besueshme.

Ekspertët e fushës nënvizojnë se ndryshimi i metodës të anketimit duke pasur për qëllim rritjen e përqindjes së popullaritetit të Putinit shpreh edhe nivelin e propagandës së Kremlinit në vend.

Presidenti Vladimir Putin vazhdon të jetë politikani më i dashur për rusët, por shifrat janë në zbritje dhe kjo propagandë vështirë të fitojë prap përqindjen e humbur, raporton Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *