Mendohet se Stalini dikur pat thënë se kush votonte nuk kishte rëndësi, rëndësi kishte se kush i numëronte votat. Sot në Rusi duket se ka rëndësi edhe mënyra e numerimit.
Javën e kaluar, një sondazh i ri nga anketuesit shtetëror VTsIOM zbuloi një gjendje shqetësuese për Kremlinin. Vetëm 31.7% e të anketuarve kishin thënë se i besonin presidentit të tyre. kjo shifër, më e ulta në 13 vite, i bëri shumë analistë rusë të arrijnë në përfundimin se Rusia po e “humbte durimin” ndaj Putinit.
Shpejt një zëdhënës i Kremlinit vuri dyshimin mbi vlefshmërinë e sondazhit duke thënë: “Si mund të bjerë besimi, kur vlerësimi elektoral rritet?”
Si duket, gjatë natës, VTsIOM i mori parasysh thirrjet e zëdhënësit dhe shifrat u përditësuan. Titujt ndryshuan; në fakt, 72.3% e rusëve i besonin Vladimir Putinit.
Ndryshimi ishte në metodologjinë e sondazhit, thanë ekspertët. Ndërsa në sondazhin e një jave më parë ishin përdorur lista të hapura, duke i dhënë votuesve mundësinë të thonin emrin e politikanit që besonin më shumë, sondazhi i dytë përdorte lista të mbyllura dhe u kërkoi të pyeturve mendimin e tyre për politkanë të caktuar.
VTsIOM është instituti më i madh i anketimit në Rusi. Lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin dihen nga të gjithë. Për këtë arsye rezultatet e tij, shpesh, nuk konsiderohen të besueshme.
Ekspertët e fushës nënvizojnë se ndryshimi i metodës të anketimit duke pasur për qëllim rritjen e përqindjes së popullaritetit të Putinit shpreh edhe nivelin e propagandës së Kremlinit në vend.
Presidenti Vladimir Putin vazhdon të jetë politikani më i dashur për rusët, por shifrat janë në zbritje dhe kjo propagandë vështirë të fitojë prap përqindjen e humbur, raporton Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
