Bashkimi Europian ka nënvizuar edhe njëherë domosdoshmërinë e një dialogu gjithëpërfshirës, ku aktorët politikë në vend do të kontribuojnë për reformën zgjedhore.
Në një prononcim për ATSH-n, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç u shpreh se reforma zgjedhore dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR janë një test i rëndësishëm për vendin.
Koçijançiç tha: “Reforma zgjedhore dhe zbatimi i rekomandimeve të qarta të OSBE-ODIHR-it janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë”.
Në vijim, zëdhënësja e BE theksoi se i takon vendit të përcaktojë strukturën që duhet përdorur. Ajo tha: “I takon Shqipërisë të përcaktojë se cila strukturë duhet të përdoret për të lehtësuar konsultimin dhe për ta çuar më tej këtë reformë”.
Në përfundim Koçijançiç nënvizoi: “BE rithekson nevojën që të gjithë aktorët politikë të demonstrojnë gatishmëri të vërtetë për të kontribuar, përmes dialogut konstruktiv, dhe për të bërë progres me reformën zgjedhore”.
e.ll./dita
