Qeveria prezantoi sot draftin e parë të strategjisë kombëtare kundër korrupsionit, përmes një konference që zhvillohet në hotel “Sheraton”, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Ettore Sequi, zv/ambasadori i OSBE, Robert Wilton dhe kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë e cilësoi korrupsionin në Shqipëri si një sëmundje që ka prekur çdo qelizë të organizmit të shtetit, një fenomen që është favorizuar edhe nga mungesa e reformave të duhura.
Rama tha se qeveria e shkuar mund të jetë ndoshta qeveria që ka folur më shumë se të gjithë për korrupsionin, por që në realitet e lejoi po aq shumë duke e ngritur në një sistem të vërtetë.
“Qeveria e shkuar mund të kritikohet për shumë gjëra por nuk mund të kritikohet për sa ka folur për korrupsionin. Qeveria e kaluar ka qenë qeveria që ka folur më shumë për korrupsion, por edhe e ka lejuar korrupsionin më shumë se çdo qeveri tjetër. Nëse ka diçka që e dallon qartë korrupsionin në Shqipëri është fakti që në Shqipëri korrupsioni është në çdo qelizë të organizmit të shtetit. Jo pak raste tregojnë se shembujt janë të pamjaftueshëm dhe bëjnë transferimin e pushtetit të korrupsionit. Sot ne vazhdojmë të vuajmë pasoja të rënda nga korrupsioni për shkak se në vite kemi gabuar në reformat strukturore. Strukturalisht Shqipëria është reformuar pak dhe është deformuar shumë. Reformat strukturore ndihmojnë më shumë se sa shembujt e ndryshimit të mendësisë”, u shpreh Rama.