AIRBUS-i, sipërmarrja bijë e EADS, ka deri tani 582 porosi për avionët A 350. Kjo do të thotë se për 10 vitet e ardhshme janë siguruar mijëra vende pune në Gjermani, Francë, Spanjë dhe Britani të Madhe.
AIRBUS-i, sipërmarrja bijë e EADS, ka marrë deri tani 582 porosi për prodhimin e avionëve A 350, që do të thotë se për të paktën 10 vitet e ardhshme janë siguruar mijëra vende të punës në Gjermani, Francë, Spanjë dhe Britani të Madhe. Në vitin 2006 nisi projekti ambicioz, si pasardhës i avionëve për fluturime në destinacione të largëta A 330 dhe si konkurrencë e modeleve Boeing, B-777 dhe B-787. Nga mesi i majit të këtij viti pritet që të fillojë fluturimet e rregullta avioni i prodhuar në Tuluzë A 350.
Modesti për një projekt ambicioz
Eckart Frankenberger është drejtor i qendrës për prodhimin e avoinëve A 350 në Hamburg- Finkenwerder, sipas tij: “Avioni A 350 do të jetë avioni më modern në botë, që fluturon në distanca të gjata.” Modestia nuk është qëllimi i sipërmarrjes Airbus, i cili krahas Boeing-ut është prodhuesi më i madh i avionëve në botë. Atje prodhohen dhe përpunohen pjesët e para dhe të prapme të avionit. Këto pjesë do të transferohen nga mesi i vitit 2014 me avionin transportues „Beluga“ në Tuluzë, ku do të bëhet montimi përfundimtar. Në një fabrikë të re në Hamburg, punëtorët tani janë të veshur me rroba mbrojtëse. Udhëheqësit nga Lean Management janë të mendimit se prodhimi duhet të organizohet në mënyrë sa më të mirë dhe efikase. Me avionët A 350 fillon një epokë e re e koncernit Airbus, në aspektin logjistik, teknologjik dhe në sektorin e teknikës së fluturimeve. “53 % e këtij avioni përbëhet nga komponentë me fibra karboni, që është përbërësi edhe i pjesës më të madhe të avionëve për qarkullimin civil. Ai shpenzon 25 % më pak sesa avionët e mëparshëm, që do të thotë se edhe kostot e fluturimeve të këtij avioni do të jenë 25 % më të ulëta. Avionët do të jenë shumë komod për fluturime”, thotë Eckart Frankenberger.
A 350 është i konceptuar në disa versione të ndryshme: me 250 dhe 350 ulëse për pasagjerë. Në verën e vitit 2017 do të dalë nga prodhimi edhe tipi më i madh i avionit A 350. A 350 do të shpenzojë rreth 6 % më pak kerozinë se sa konkurrenti Boeing 787, ndërkohë që kursimet në krahasim me tipin më të vjetër Boeing 777, do të jenë deri në 30 %. Kohët e fundit është debatuar shpesh për sigurinë e avionëve dhe mundësinë e drejtimit të tyre, sipas sistemit të plotë elektornik, apo gjysëmelektronik. Prodhuesit e A 350 po ndjekin një rrugë tjetër. Pas problemeve me bateritë e avionit Boeing “Dreamliner”, Airbus-i ka vendosur të heqë dorë nga mundësia e përdorimit të baterive të diskutueshme me jone litiumi në avionin A 350. Ai do të përdorë bateritë tradicionale.
Precizion i lartë në konstruktim
“More electrical aircraft ka qenë gjithmonë objekt i studimeve të shumta. Shtrohet pyetja se sa sisteme elektrike mund të përdoren dhe sa energji mund të gjenerohet prej motorëve? A 350 është në këtë aspekt pak më konservator se sa Boing 787. Ne përdorim energji nga motori dhe në këtë mënyrë jemi më pak të varur nga bateritë.”
Është interesante të theksohet se mes Airbus dhe Boing ka dhe disa dallime të tjera sa i përket teknologjisë së ndërtimit. Eckart Frankenberger: “Ne kemi në prodhim panele të mëdha. Pjesët e trupit të avionit, ato anësore, të sipërme dhe të poshtme me hark të dyfishtë, kanë gjatësinë prej 14 metra dhe në montim ka një precizion të lartë: për 14 metra seksioni i tolerancës është nën një milimetër. Ky precizion është i krahasueshëm me saktësinë e prodhimit të shablloneve në industrinë e mekanike.”
Për ta garantuar këtë saktësi janë bërë edhe shumë ndryshime në sistemet ergonometrike. Për montimin e Airbus A 350 janë zhvilluar edhe teknologji dhe module të veçanta montimi, vë në dukej Eckart Frakenberger: “Ne i quajmë ato „Crown-Modules“, të cilat janë të gjata rreth 14 metra dhe të montuara më parë. D.m.th e gjithë struktura e poshtme e avionit dhe instalimet montohen paraprakisht dhe pastaj me vinç ato vendosen në pozicionin e duhur. Kjo ua lehtëson kushtet e punës punëtorvë, sepse atyre nuk u duhet të punojnë në lartësi. Të gjitha instalimet mund t’i kryejnë në tokë.”
Në Airbus po punohet me nxitim për të përmbushur planet e ndërtimit të avionëve A 350, në mënyrë që të mos ketë vonesa. Deri në mes të vitit 2014 duhet të përfundojë ndërtimi i pesë avionëve të tillë, që do të jetë edhe si sinjal se planet do të realizohen. (D.W.)