Ashtu si “Në ferrën e vogël, fshihet lepuri i madh” (Populli), edhe në vende me sipërfaqe dhe popullsi të vogël fshihen rezerva të mëdha. Por këto të fundit duhen zbuluar me aftësi dhe sidomos duhen shfrytëzuar me nikoqirllëk e me ndershmëri.
Vendet e Evropës së Veriut, apo, siç njihen ndryshe – Vendet Nordike, vazhdojnë të zbatojnë në praktikë me sukses një sistem të bazuar në kohezionin social, në përqendrimin në familje dhe në edukimin më performant në shkallë botërore. Shteti, sipas modelit nordik, veçorizohet nga rritja ekonomike e qëndrueshme, nga socialdemokracia e fuqishme, nga një lëvizje sindikale solide, nga një nivel i ulët i korrupsionit dhe nga karakteri universal i sistemit që e ndihmon shoqërinë të kapërcejë momentet e vështira. Këto “piketa”, që janë të pranishme në të gjitha vendet e kësaj pjese të kontinentit mjaftojnë që bota mbarë ta shohë me lakmi “modelin nordik”.
Një këqyrje nga afër e mënyrës se si funksionon ky model në vendet përkatëse nxjerr në pah shumë përbërës të dorës së parë. Fillimisht bëhet fjalë për anën sociale. Niveli i lartë i taksave (progresiv, që mund ta kalojë pesëdhjetëpërqindshin në rastet e të ardhurave të mëdha), e mban në këmbë tërë shoqërinë, në pajtim me parimin “një valë e lartë i ngre të gjithë”. Arsyetimi është i thjeshtë: më shumë të punësuar – të ardhura më të mëdha nga taksat. Si rrjedhojë, mbrojtja sociale në Danimarkë, Finlandë, Norvegji si dhe Holandë përqendrohet në riintegrimin e shpejtë në tregun e punës të atyre që humbasin vendin e punës. Kryesorja është se të hollat e taksave kthehen tek shtetasit. Sindikatat e fuqishme të Veriut kanë fjalë me peshë në rishpërndarjen e drejtë të fitimeve, për mbështetjen e arësimit, shëndetësisë dhe programeve sociale me cilësi të epërme. Shteti e mban shërbimin shëndetësor në standarde të larta, jep ndihma për qira, pajisje, ushqim dhe nevoja të tjera për familjet në vështirësi. Të gjitha këto avantazhe nuk synojnë që njerëzit të bëhen “të ndihmuar profesionistë”. Prandaj programet e ndihmës janë menduar në mënyrë të atillë që të japin vetëm ndihma afatshkurtra, duke e nxitur individin përkatës ta rifitojë pavarësinë financiare. Si rrjedhojë niveli i papunësisë në shtetet nordike është i ulët (3% në Norvegji kundrejt, bie fjala, 7% në Britaninë e Madhe). Një element i rëndësishëm në këtë ekuacion është përmasa e sektorit publik, shumë më e madhe se sa në pjesën tjetër të Evropës, çka bën të mundur që një numur gjithnjë e më i madh qytetarësh të kenë të ardhura të mira dhe të garantuara. “Në një kohë që në Britaninë e Madhe një në pesë punonjës është buxhetor, në Norvegji përpjestimi është një me tre. Në vitin 2008 pati një rritje të madhe, pra të gjithë i patën xhepat plot”, ve në dukje profesori Espen R. Moen, i “Norwegian School of Management”.
Pra, qytetari që punon dhe paguan taksa është i vetëdijshëm se nuk ka pse të shqetësohet as për të tashmen e as për të ardhmen. Në rast se ka fëmijë, sistemi e ndihmon gjithanësisht në mënyrë që të punojë vazhdimisht (shteti suedez u krijon mundësi prindërve t’i dërgojnë fëmijët në shkolla private me fondet publike). Nëqoftëse dikush mbetet pa vend pune, ndihmohet për një farë kohe dhe integrohet sërish shpejt. Ja dy shembuj: në Suedi, ai që e humb vendin e punës, gjatë 200 ditëve pasuese, si i papunë, merr 80% të të ardhurave që ka pasur kur punonte, ndërsa gjatë 100 ditëve të tjera merr 70% . Në Norvegji merr 62% dy vjet rresht. Sa për Danimarkën, megjithse Kodi i Punës i lejon kompanitë t’i pushojnë me lehtësi të punësuarit, këta merren menjëherë nën kujdes nga organizata që u japin përkrahje dhe kualifikim për t’u riintegruar. Shtetasi nordik që sëmuret, merr mjekimet më të mira, ndërsa kur plaket, nuk lihet në harresë, as nuk anashkalohet, as nuk detyrohet të punojë deri në ditën e fundit të jetës. (Sipas “Virtytet e modelit skandinav”, në “Ballkani, Evropa, nr. 23, janar 2016). Në rrethana të tilla nuk ka pse të habitemi që qytatarët e atyre vendeve jo vetëm e pranojnë këtë sistem: “taksa të larta – mirëqenie e lartë” (ndryshe nga çka zbatohet në pjesën tjetër të Evropës), por edhe krenohen me të. “Sot shohim që një shtet i fortë i mirëqenies, bashkë me përfitimet e mëdha në arësim dhe shëndetësi, ka vepruar si faktor stabilizues”, shprehet Kristin Halvorsen, ish-ministër i Financave i Norvegjisë.
Një nga dëshmitë më të freskëta që pasqyron qartë shqetësimin e vazhdueshëm për mirëqenien e atyre që punojnë, është ngjizja në Suedi e një modeli të ri të veprimtarisë profesionale, sipas të cilit programi i punës reduktohet nga tetë në gjashtë orë, pa zbritje rroge. Ky projekt mbështetet në fuqinë punëtore prodhuese të mirëkualifikuar, e aftë t’u përshtatet teknologjive të reja. “Njerëzve me karrierë profesionale të gjatë duhet t’u krijojmë mjedis sa më të mirë në vendin e punës” thotë një këshilltar bashkiak i Goteborgut. Për mirëqenien e përgjithshme përpiqen njëlloj, si shteti, ashtu edhe sektori privat. Kësisoj “sistemi i sigurimeve sociale ka një tepricë ndërkohë që në Bashkimin Evropian pikërisht për shkak të sigurimeve nuk është shënuar asnjë rritje ekonomike” shpjegon profesori universitar rumun Silviu Miloju. Kjo politikë nordike që mund të thirret “gjithçka për njerëzit” mbart efekte pozitive të pakundërshtueshme. Të punësuarit e taksuar sjellin shuma të mëdha në buxhetin e shtetit duke ia rritur këtij të fundit “qëndresën” ndaj stuhive ekonomike ndërkombëtare. “Perspektiva e këtyre vendeve është e mirë. Nga kriza ekonomike ato kthehen në gjendje normale gjithnjë më shpejt e më lehtë se sa të tjerat” është i mendimit Kristian Ketels, ekonomist në “Stockholm School of Economics”.
Pasqyrë e drejtpërdrejtë e politikave sociale të lartpërmendura është qëndrueshmëria ekonomike. Suedia, Norvegjia, Danimarka, Finlanda dhe Islanda kanë mbetur të begata, me kohezion, pothuajse pa asnjë shenjë korrupsioni dhe pa lëvizje sociale kundërshtuese. Duke qenë të vetëdijshëm se të hollat e taksave rikthehen përsëri tek ata, nordikët nuk i shohim të dalin në protesta si britanikët (Me kërkesën: “Punë angleze për anglezë”), apo t’i marrin peng pronarët nga frika e ditës së nesërme, siç veprojnë francezët. Me një fjalë, shoqëria mbetet e qëndrueshme falë përkushtimit ndaj mirëqenies së vet. Në rrethana të tilla qysh nga fillimi i krizës, shtetet në Veri të Kontinentit Plak ia kanë dalë mbanë të tërheqin investime me vlerë afro 288 miliardë dollarë, e cila është disa herë më e lartë se e Spanjës apo Italisë, me popullsi shumë më të madhe.
Cila është “e fshehta”? Modeli ekonomik, ashtu si ai social, ze fill nga individi (jo nga shteti!), duke promovuar përgjegjshmërinë fiskale, lirinë e zgjedhjes dhe garën, jo detyrimin, imponimin. Në këtë mënyrë të gjithë këta shtete kanë shënuar rajtinge maksimale, me borxhe publike nën mesataren e zonës euro (në Suedi deficiti buxhetor është 0,3% të PIB-it, ndërsa niveli i taksave për kompanitë është 22%, pra shumë më i ulët se sa i SHBA). Këto koordinata kanë bërë të mundur që, në kulmin e krizës, pra më 2009, Danimarka dhe Suedia të renditen në vendin e tretë dhe të katërt në botë (sipas Raportit të Forumit Botëror të Garës Ekonomike), ndërsa një vit më vonë Suedia zuri vendin e dytë në botë.
Me këtë “mbrojtje” u paraqitën shtetet nordike përballë krizës ekonomike botërore. Kur dallgët e recesionit filluan të mbytnin ekonomitë e shumicës së vendeve të Kontinentit Evropian, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia vazhdonin të kishin një sektor të shëndoshë të financave publike, madje me teprica të mëdha në buxhet (Sipas “Virtytet…”, material i cituar). Dhe kjo u mundësua jo me metoda çudibërëse, por falë koordinatës sociale të epërme: interesi i përgjithshëm dhe kombëtar mbi gjithçka. Një shembull: Me dividendet që mbledh nga shfrytëzimi i naftës dhe gazeve, Norvegjia është bërë zotëruesi sovran i fondit më të madh të botës, me vlerë 760 miliardë dollarë (taksat dhe tatimet e arkëtuara nga shteti nga kjo industri, venë në dispozicion të fondit të lartpërmendur likuiditete prej afro një miliard dollarë në javë). Rrjedhoja: “Kemi mundësi që në kohëra të turbullta të presim me durim daljen nga turbullirat”, shpjegon kreu i këtij fondi, Yngve Slyngstad.
Mbërrijmë kësisoj në një tjetër përbërëse madhore të modelit nordik: në kohezionin politik. Në rastin e fondit të sapopërmendur, vlen të përmendet fakti që të gjitha forcat politike që erdhën njëpasnjëshmërisht në qeverisje, pavarësisht nga orientimi politik, respektuan rregullën sipas së cilës fitimet e siguruara nga shteti prej hidrokarbureve të investoheshin në fond. Shkurt: politika nuk “luajti” me të ardhmen ekonomike dhe me pasurinë kombëtare. Përndryshe, në vija të përgjithshme, faktori politik i shteteve nordike është i vetëdijshëm se performancat e qeverisë dhe të institucioneve publike ndiqen me vëmendje nga qytetarët (Suedia lejon shfrytëzimin lirisht nga kushdo të dokumenteve zyrtare). Transparenca e bën gati-gati të paqenë korrupsionin, ndërsa fjala-kyç është interesi i qytetarit, për të cilin punon shteti dhe jo e anasjellta.
Parimi i kohezionit, që e zumë në gojë më lart, është zbatuar jo vetëm brendapërbrenda vendeve nordike, por edhe në rrafshin e politikës së jashtme. Skandinavët nuk ngurrojnë të huazojnë nga të tjerët idetë e dobishme, madje kanë themeluar një Këshill të Ministrave Nordikë, – ku bëjnë pjesë Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Suedia, Groenlanda dhe Ishujt Faroe, – që i ka caktuar vetes detyrën e “bashkëpunimit ndërqeveritar në dobi të qytetarëve të shteteve anëtarë”.
Larg fërkimeve që tendosin edhe sot pjesë të kontinentit (Serbi-Kosovë, Rumani-Hungari, Greqi-Maqedoni, Rusi-Ukrainë), vendet nordike i kanë hedhur pas krahëve mosmarrëveshjet historike (për shëmbull kufiri ndërmjet Suedisë dhe Norvegjisë është rishikuar shumë herë gjatë kohërave) dhe bëhen si një trup i vetëm sa herë që këtë e lypin zhvillimet e jashtme. Kjo u vu re, bie fjala, gjatë krizës së tanishme të Ukrainës, kur suedezët dhe lituanezët bashkëpunuan dhe u treguan tepër aktivë në përpjekjet për parandalimin e shkallëzimit të mëtejshëm të veprimeve ushtarake. Shembull tjetër është edhe politika suedeze e ndihmës së rëndësishme financiare për Moldavinë, që kjo e fundit të integrohet sa më shpejt në Evropë. “Ekziston një strategji për Republikën e Moldavisë, e përpunuar dhe e miratuar nga qeveria suedeze”, thekson Emil Druk, ambasador i Republikës së Moldavisë në Suedi, Finlandë dhe Norvegji.
Kjo ishte në vija të përgjithshme “radiografia” e një tipari shoqërie që niset nga parimi i mundësive të barabarta, i solidaritetit, i drejtësisë sociale dhe i sigurisë për të gjithë. Vetëkuptohet se nuk është një sistem pa të meta. Shpenzimet publike janë ende të larta, ndërsa niveli i taksave vazhdon t’i detyrojë disa kompani t’i mbartin bizneset e tyre jashtë kufijve. “Por mësimi që duhet përvetësuar lidhet me anët praktike sepse dëshmia ekziston: mekanizmat e tregut mund të integrohen në sistemin social për të rritur performancën e mirëqenien e të gjithëve” sintetizon The Economist.

Duhet themi te kunderten. A MUND TE BEHEMI…SHQIPTARE? Se sot jemi vecse nje laborator provash ku Europa provon duart jo mendjen mbi ne duke na tjetersuar aq sa nuk njihemi me si identitet kombetar por vetem si nje popullsi qe detyrohet te lavderoje c”do gje qe na sjell Europa qe nga LGBT, heqjen e Denimit me Vdekje, Reforma pa fund, etj.