Nuk është përrallë, por e vërtetë. Shullëri i Grykës, i Golëmit të Kurveleshit, në kohëra të para kish qenë një pyll i dendur me lisa të mëdhenj e dafinë, por ish prerë rëndshëm për qereste e deri për dërrasa anijesh. Qe katandisur në një korie me plot filiza lisi. Fshatarët vendosën një zëri, që për një dhjetëvjeçar a më shumë të mos vihej sëpatë në këtë korie. Për ta ruajtur, zgjodhën Bekshinë, një burrë i pashëm e i fuqishëm, i cili i binte kryq e tërthor hapësirës për ruajtje. Njëri nga fshatarët, fshehurazi, shkonte në korie, bënte dru, duke prerë lisa të rinj dhe kthehej shumë shpejt në fshat. Jo vetëm kaq, por u mburrej e tallte të tjerët. Vetëm njëri i tha: “Nuk do dalësh mirë nga kjo mesele, prit kur të ndeshesh me ndonjë hundëlesh!” Vazhdoi të njëjtin avaz. Një ditë, Bekshiu dëgjoi çukitjet e një sëpate në korie. U afrua lehtë, dhe kapi për gryke druvarin, e vuri ndënë gjunjët e tij dhe po i binte me shpulla. Tek rrihej, fshatari e pa në fytyrë, dhe hunda e tij iu duk edhe më e madhe se e kujtdo, e mbushur plot me lesh. Iu kujtua këshilla, dhe tha: “Oh! Ky qenka Hundëleshi!” Iu lut Bekshiut ta falte, se nuk do e përsëriste më. Ngjarja bëri bujë. Askush nuk guxoi më të shkelte ligjin e vendosur fshaçe!
Kot nuk thonë: “Frika ruan vreshtat”. Po gjykata, në këtë hanin tonë të shqyer, a do bëhet dhe kur do bëhet si Bekshiu hundëlesh i fshatit tonë, për të ndëshkuar të gjithë ata që shkelin ligjin? Kur të bëhet, ju lutem, më dërgoni haber!
Letër e nënshkruar,
Ismet Isufi
